Hutbe e Pejgamberit (a.s.) mbi rëndësinë e Ramazanit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Tregohet
prej Selman Farisiut se H. Muhamedi a.s. mbajti një hutbe në fund të muajit shaban
mbi rëndësinë e muajit ramazan, ku, midis të tjerash, tha:

“O njerëz,
po ju vjen një muaj i madh 
dhe i bekuar, muaji në të cilin gjendet një natë më e mirë se njëmijë muaj.
Është një muaj që Zoti e ka bërë farz (detyrim) agjërimin e ditës, namazet e teravihve-namazet
e natës në të – vullnetare. Çdo vepër e mirë në këtë muaj, është e njëjtë me
atë që ka kryer një detyrë farz, jashtë këtij muaji. Ndërsa ai që kryen një
detyrë, domethënë një farz në këtë muaj është i barabartë me 70 farze, që i
kryen jashtë këtij muaji.

Ramazani është muaji i sabrit (durimit), kurse shpërblimi i sabrit është
xheneti. Ramazani është muaji i bamirësisë, muaji në të cilin shtohet bereqeti
i besimtarit të vërtetë. Kush e fton tjetrin në iftar, do t’i falen gjynahet,
do t’i shpëtojë zjarrit të xhehenemit dhe do të ketë shpërblim të barabartë me
atë që e ka ftuar në iftar pa asnjë pakësim të shpërblimeve të veta.”

Sahabët i thanë Pejgamberit (savs), se disa nga ata nuk kishin mundësi për
këtë.

I dërguari i Allahut u përgjigj:

“Allahu do të shpërblejë me shpërblimin e përmendur, cilido që e fton për
iftar agjëruesin edhe me një hurmë, apo një gotë qumësht, ose qoftë edhe me një
gotë ujë”.

Ky është një muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi është falje,
ndërsa fundi i tij është shpëtim prej zjarrit të xhehenemit.

Në këtë muaj përpiquni të plotësoni katër veti: me dy prej tyre do të
kënaqni Allahun dhe dy të tjerat ju nevojiten juve. Të parat, me të cilat do të
kënaqni Allahun janë: Dëshmia e shehadetit, se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut
dhe lutje për të kërkuar falje prej të madhit Zot për mëkatet e bëra.

Dy të tjerat janë: lutje për Zotin që të shpërblejë me xhenet dhe lutje që
të ruajë prej xhehenemit.
Kush e ushqen agjëruesin në këtë muaj, Allahu do t’i japë nga burimi i
vet, pas së cilës nuk do të ndiejë as etje, as uri, deri kur të hyjë në xhenet.

O popull, ramazani ju ka ardhur me bereqet, mëshirë për falje, ky muaj
është më i dashur për Allahun nga të gjithë të tjerët, orët e tij janë më të
mira nga të gjitha orët e tjera.

Ky është një muaj në të cilin jeni të ftuar te Zoti në mikpritje, ku
konsideroheni njerëz të mirë të Allahut xh.sh.

Frymëmarrja juaj në këtë muaj është tesbih, gjumi është ibadet; puna juaj
gjatë këtij muaji do të pranohet tek Allahu dhe lutja juaj do të plotësohet.

Kërkoni nga Zoti juaj sinqerisht dhe me gjithë zemër që t’ju ndihmojë në
agjërimin tuaj, të cilin jua ka bërë detyrë dhe lexoni Kuranin që ju ka
shpallur.

I paaftë do të jetë ai që në këtë muaj nuk përfiton nga mëshira dhe falja e
të madhit Zot. Derisa jeni të uritur e të etshëm, atëherë përkujtoni urinë e
etjen e Ditës së Gjykimit.
Jepuni lëmoshë – sadaka atyre që janë të varfër dhe të shkretë, nderoni
më të vjetrit dhe kini mëshirë ndaj të rinjve, respektoni dhe vizitoni
farefisin.

Ulini sytë prej asaj që i ndalohet besimtarit ta shikojë dhe mos dëgjoni
atë që besimtari e ka të ndaluar ta dëgjojë.

Kini mëshirë ndaj të tjerëve që Zoti të ketë ndaj jush. Kërkoni prej Zotit
që t’ju falë mëkatet. Ngrini duart lart duke kërkuar prej Allahut me dua pas
çdo namazi, se kjo është koha më e mirë për dua dhe Allahu i mbulon njerëzit e
vet me mëshirë dhe pranon duatë që i drejtohen.

O popull, shpirtrat tuaj janë varur prej veprave tuaja, çlironi shpirtrat
duke kërkuar falje prej mëkateve! Shpirtrat tuaj janë ngarkuar me barrë të
rënda, lehtësojini peshën me sexhde sa më të gjatë. Dijeni se do të jeni më se
të sigurt, se Zoti nuk do t’i mundojë ata që falen dhe bëjnë sexhde dhe nuk do
t’i frikësojë me zjarr të xhehenemit.
Kur të vijë nata e parë e Ramazanit thërret një thirrës (prej anës së
Zotit): O ti që kërkon mirësi, pranoji ato, dhe o ti që kërkon të liga, ndaloi!
Shpëtimin nga zjarri i xhehenemit e bën vetëm Allahu për çdo natë.” [1]


[1] ) Kjo hutbe paraqitet sipas tregimit të Ebu Hurejres (r.a.) /Islami.al

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-