Hutbe – Këshilla nga Hasan Basriu

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm,
prej të Cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut
qofshin për Muhamedin (a.s.) për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të
gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë;

Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, para jush do t’i
paraqes: “Disa këshilla nga Hasan Basriu (r.h.).”

Kështu ai me një rast ka thënë: Ka thënë
pejgamberi (savs): „A do të hidhen njerëzit me hundë në zjarr për diçka
tjetër sikur për frytin e gjuhës së tyre!“

– Gjuha e
një njeriu të zgjuar dhe të arsyeshëm qëndron prapa zemrës së tij. Sa herë që
dëshiron të flet diçka, ai së pari mendon mirë. Nëse ajo është në interesin e
tij, atëherë ai flet, e nëse nuk është atëherë hesht. Ndërsa zemra e injorantit
është prapa gjuhës së tij, kur mendon diçka për të thënë, ai edhe e thotë.

– Pejgamberi
(savs) ka thënë: „Zemërgjerët e umetit tim nuk do të hyjnë në xhenet për
shkak të sasisë madhe të namazit dhe agjërimit, por do të hyjnë me mëshirën e
Allahut, me pastërtinë e zemrës së tyre, me bujarinë e shpirtit tyre dhe me
dhembshurinë e tyre ndaj muslimanëve.“

– Dinjiteti
është edukimi i fisnikut, kurse devotshmëria e tij është llogaria e tij.

– Kush e
fajëson vëllain e tij për shkak të mëkateve për të cilat ai është penduar, nuk
do të vdesë derisa Allahu ta sprovojë edhe atë me një mëkat të tillë.

– Muslimani
është i detyruar ndaj muslimanëve të tjerë me katër gjëra:

(1) që t’i
ndihmojë bamirësit në mesin e tyre,
(2) që t’i përgjigjet thirrjes së atij i cili e fton,
(3) që t’i lutet Allahut për faljen e mëkateve të mëkatarëve të këtij umeti,
dhe
(4) që ta ftojë në rrugë të vërtetë atë i cili është larguar nga ajo.

– Kush ia përmbush
një dëshirë apo ia plotëson një nevojë vëllait musliman, do t’i falen mëkatet
që ka kryer.

– Transmetohet
se Allahu i Plotfuqishëm i ka thënë Ademit (a.s.): „O Adem, në katër gjëra
është përfshirë gjithçka për ty dhe për pasardhësit tu pas teje;
(1) – një më takon Mua,
(2) – një të takon ty,
(3) – një është mes Meje dhe teje,
(4) – kurse një është mes teje dhe njerëzve tjerë.

(1) – Ajo që
më takon Mua është të më robërohesh Mua dhe të mos më përshkruash dikënd tjetër.
(2) – Ajo që të takon ty janë veprat që ti i bën, për të cilat Unë do të të
shpërblejë atëherë kur ti ke më shumë nevojë.
(3) – Ajo që është midis Meje dhe teje është lutja, ti bën lutje, dhe Unë do ta
plotësojë.
(4) – Kurse ajo që është midis teje dhe njerëzve, nënkuptohet që të sillesh
ndaj tyre në atë mënyrë, në të cilën dëshiron që ata të sillen me ty.“

– O biri i
Ademit, imani nuk është në zbukurim dhe dëshira të kota, por imani është ajo që
mbillet në zemër dhe që e konfirmojnë veprat e njeriut.

– Kush i
thekson gabimisht fjalët e Kuranit, ai bën gënjeshtër ndaj Allahut, sepse
Allahu ka thënë: „Atij nuk mund t’i vie gënjeshtra, nga asnjë anë (as
përpara, as përmbrapa).“
(Fussilet,
42)

Kurse
shqiptimi i gabueshëm i fjalëve është një nga aspektet më të larta të gabimit.

– Një burrë
i kishte thënë Hasan Basriut: ‘O Ebu Seid, ti a gabon kur flasësh?’ Ai i
përgjigjet: ‘O bir, unë i kam tepruar gabimet.’

– Kujt do t’i
ankohet muslimani nëse jo vëllait tij musliman?! Sepse kujt i dhemb ajo që i
dhemb atij, nëse nuk i dhemb vëllait tij në besim? Muslimani është pasqyrë për
vëllain musliman: ai ia tregon atij të vërtetën dhe ia fal gabimet e tij. Para jush,
kur muslimani e takonte vëllain e tij musliman, i thoshte: O vëllai im, unë nuk
mund t’i di dhe t’i shoh të gjitha mëkatet dhe gabimet e mia. Nëse e sheh ndonjë
të mirë, më urdhëro që ta bëj, kurse nëse e sheh ndonjë të keqe më pengo që mos
ta bëj!

– Omer ibn el-Hattabi
(r.a.) e kishte zakon të thoshte: „Allahu i mëshiroftë të gjithë ata që na
tërheqin vërejtjen për veprimet tona të këqija!“

– Besimtarët
janë si një trup i vetëm: ajo që e pikëllon njërin, i pikëllon edhe të tjerët,
kurse ajo që e gëzon atë, i gëzon edhe besimtarët e tjerë.

– Mundohuni
që të merrni pjesë në xhenaze (varrim), sepse ajo i sjell tri shpërblime:
(1) – atij që i shpreh ngushëllime familjes,
(2) – atij që e fal namazin e xhenazes dhe
(3) – atij që është i pranishëm derisa i vdekuri të varroset.

Transmetohet
se atij i cili e përcjell xhenazen derisa të varroset i vdekuri, do t’i falen
17 mëkate të mëdha.

– Njeriu i
qeveris të tjerët me arsyen e tij, me turpin dhe me butësinë e tij.

– Shko vetëm
me ata që shpreson të mirën e tyre, që nuk frikësohesh nga vrazhdësia e tyre,
që e pret bereqetin e lutjes së tyre, dhe që mund të përfitosh nga dituria e
tyre.“

O Zot, ndihmoju të gjithë
vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

O Zot, na bën prej atyre
që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

Na ruaj nga sprovat të
cilat nuk mund t’i përballojmë!

O Zot, fali dhe mëshiroji prindërit
dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e sollën dritën e Islamit!
Kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës të fesë dhe atdheut!

O Zot, fali, mëshiroji dhe
shpërbleji me xhenet të gjithë shehidët e atdheut tonë, të cilët jetën e tyre e
sakrifikuan për lirinë tonë!

O Zot, na mëshiro në Ditën
e gjykimit, dhe na vendos në xhenet, në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët,
me shehidët dhe me njerëzit e mirë! Amin.  

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-