Falënderimi i qoftë
Allahut, Zotit të botëve, Atij me përcaktimin e të Cilit ndodhin e mira dhe e
keqja. Asgjë nuk është mbi Të dhe asgjë nuk është jashtë përcaktimit të Tij. Ai
është i informuar për gjithçka dhe vendos për gjithçka.
Paqja dhe shpëtimi
qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Zotit Muhamed, mbi familjen e tij të
nderuar, mbi sahabët fisnikë, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin udhëzimet e tij
deri në Ditën e Gjykimit.
“Allahu, me të
vërtetë, urdhëron që të veprohet me drejtësi, mirësi dhe t’u ndihmohet të
afërmve, e ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon
që të pranoni këshillat.” (en-Nahl, 90)
Vëllezër të dashur,
Me vullnetin dhe urtësinë
e Allahut, jeta në këtë botë është e përbërë nga e mira dhe e keqja, nga
momentet e lumturisë dhe pikëllimit, kënaqësisë dhe vuajtjes. Të jesh besimtar
do të thotë, të mbetesh njeri, pasardhës i denjë dhe i përgjegjshëm i Ademit
(a.s.), si në të mirë ashtu edhe në të keq, edhe në forcë edhe në dobësi, edhe
në shëndet edhe në sëmundje, edhe kur fiton edhe kur pëson humbje …
Në këtë rrugë të
jetës, Allahu i Fuqishëm dhe i Urtë na sprovon vazhdimisht, për të na provuar se
kush nga ne do të veprojë më mirë. Edhe sfida e sëmundjes, me të cilën po përballemi
këto ditë nuk është gjë tjetër, veçse një sprovë tjetër për njerëzimin. Secili
prej nesh individualisht jemi përgjegjës para kësaj sfide. Askush nuk do ta
bartë përgjegjësinë e tjetërkujt, dhe askush nuk do të jetë përgjegjës për
vendimet e të tjerëve. Situata e përkeqësuar epidemiologjike na ka detyruar që
tu kthehemi masave të vetë-mbrojtjes për t’i shmangur skenarët më të këqij dhe
kthimin në masa restriktive me rezultat të pasigurt për ekonominë dhe vendet
tona të punës, por edhe për shëndetin e njerëzve, i cili mund të rrënohet nga
sëmundjet e tjera ose nga kolapsi i sistemit shëndetësor.
Vëllezër të
respektuar,
Për një moment, të
gjithëve na u duk se e kishim kapërcyer sëmundjen, se ajo po qetësohej dhe po tërhiqej.
Të gjithë u relaksuam. Ne jemi të vetëdijshëm se jeta nuk mund të ndalet dhe
nuk duhet të lejojmë që sëmundja të mbizotërojë mbi jetën tonë. Prandaj gradualisht
filluam të kthehemi në jetën normale, por përkeqësimi i situatës në vend dhe në
botë, na paralajmëron se duhet më seriozisht t’i respektojmë masat e
vetë-mbrojtjes, për të cilat insistojnë autoritetet, por edhe normat e dakorduara
nga Bashkësia Islame.
Ekspertët na thonë
se mund të vazhdojmë me kthim gradual në jetën e përditshme, nëse mbajmë distancë
fizike, vendosim maska, i përmbahemi parimit të higjienës
personale, dhe nëse i shmangim tubimet masive. Në këtë mënyrë, me
vullnetin e Allahut, ne do ta mbrojmë veten dhe jetën e të dashurve tanë. Kjo nuk
është diçka për të cilën nuk mund të angazhohemi, nëse jemi individë dhe bashkësi
e përgjegjshme. Besimtarët, të cilët shëndetin dhe jetën e shohin si begati e
Allahut, por edhe si amanet i dhuruar nga Krijuesi, duhet të jenë shembull për
të tjerët në respektimin e zellshëm të rregullave. Ne as nuk duhet të mendojmë,
që në publik të krijohet përshtypja se qëndrimi ynë nuk është i tillë, ose
është i kundërt nga një përgjegjës. Liria dhe përgjegjësia janë themeli i konceptit
të besimtarit për njeriun dhe rolin e tij në këtë botë.
Kurani i Shenjtë i paralajmëron
besimtarët për natyrën njerëzore dhe prirjen e tyre, që punën të cilën gati e
kanë përfunduar, ta anulojnë (shkatërrojnë) me pakujdesi, me padurim ose me papërgjegjësi.
Në suren en-Nahl
lexojmë: “Allahu, me të vërtetë, urdhëron që të veprohet me drejtësi, mirësi
dhe t’u ndihmohet të afërmve, e ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe
dhunën. Ai ju këshillon që të pranoni këshillat. – Dhe, zbatoni obligimet e Allahut
kur t’i merrni mbi vete dhe mos e thyeni betimin – pasi që e keni forcuar, meqë
Allahun e keni bërë mbikëqyrës tuajin; Allahu, me të vërtetë di çka punoni ju.
– Mos u bëni (në thyerjen e obligimeve) si ajo (gruaja) e cila e ka shprishur
atë që e ka tjerrë, pasi është forcuar – e ka mbetur e shprishur, duke i marrë
betimet tuaja dredhi-mashtrime mes jush, vetëm nga shkaku se një popull është
më i madh në numër se tjetri. Allahu, me këtë, vetëm u vënë në provë, e me
siguri, Ai do t’ju shpjegojë në Ditën e Kiametit, për atë që ju nuk jeni
pajtuar.” (en-Nahl, 90-92)
Edhe ne sot, jemi në
një pozitë, që nuk guxojmë të lejojmë, që me pakujdesi t’i rrezikojmë, të
gjitha sakrificat dhe të gjitha dëmet që ia kemi bërë ekonomisë dhe jetës sonë
private, kur kemi jetuar në izolim të plotë për javë të tëra.
Pushimet vjetore
janë përpara nesh. Është e drejtë e njerëzve që të mendojnë se ku do t’i kalojnë
pushimet e tyre të merituara me familjet e tyre. Jashtë të gjitha lojërave
politike, për të cilat jemi dëshmitarë që po ndodhin rreth nesh, kjo është një mundësi
e mirë që të planifikojmë për kalimin e pushimeve në vendin tonë, në atdheun
tonë.
Dëmi që ka pësuar
ekonomia jonë mund të zvogëlohet, jo vetëm nëse i lëmë paratë në vendin tonë,
por edhe kur i blejmë produktet vendore. Jo se ne nuk i respektojmë dhe
vlerësojmë të tjerët, por sepse më të rëndësishme e kemi veten tonë.
Të dashur vëllezër,
Duke i respektuar dhe
zbatuar rregullat fetare dhe rekomandimet e autoriteteve kompetente
përgjegjëse, ne do të arrijmë të ia dalim, jo vetëm ta mbrojmë veten dhe
shoqërinë tonë, por do të jemi në gjendje edhe t’i ndihmojmë vëllezërit tonë
(dhe njerëzit tjerë), të cilët janë në gjendje më të vështirë se ne dhe kanë
nevojë për ndihmën tonë.
Pejgamberi (savs) na
ka mësuar se: “Allahu i Lartësuar e ndihmon robin e Tij, derisa ai e
ndihmon vëllanë e tij musliman.” Dhe se “Muslimanët janë si një
trup, i cili vuan në tërësi, nëse sëmuret një pjesë e tij.”
Tani është mundësia që
ta tregojmë konsistencën tonë në këto parime të cilave iu referohemi shpesh. Le
ta tregojmë gatishmërinë tonë për të hequr dorë kur edhe për ne është vështirë.
Le ta tregojmë solidaritetin tonë musliman dhe ta kalojmë testin e njerëzisë në
periudha të vështira.
Por le të bëhemi të
sinqertë me vetveten dhe të themi se, nëse nuk tregohemi të përgjegjshëm në
respektimin e masave mbrojtëse, pra edhe këtu në xhami, për ndonjë javë, mos e
bëftë Zoti, mund të presim përkeqësim edhe më të madh të gjendjes. Prandaj, le
të marrim mësim dhe t’i mbështetemi Allahut i Cili: “Është më i mëshirshëm ndaj
nesh sesa nëna ndaj fëmijës së saj.”
Në fund, le t’i lutemi
Allahut të Mëshirshëm:
– që të na ruajë nga
sprovat e mëdha në fe, në familje dhe në pasuri!
– që ta largojë nga
zemrat tona urrejtjen dhe zilinë ndaj njerëzve të tjerë;
– që mos të na
mposhtë neve frika dhe pashpresa;
– që të na japë forcën
për të bërë mirë midis njerëzve;
– që të na i pranojë
veprat tona të mira dhe të na i mbulojë turpet tona;
– që ta çlirojë
njerëzimin nga sprovat e sëmundjeve të këqija dhe të na japë forcën për të
vazhduar në luftën kundër tyre!
Le të pendohemi për mëkatet
që i kemi bërë nga padituria.
Le të strehohemi tek
mëshira e Allahut dhe, le të kërkojmë strehim tek Ai nga çdo e keqe.
Unë e them këtë dhe kërkoj falje nga
Mëshiruesi për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët e botës.
Përshtati: Miftar
Ajdini
Referencë: Muhamed Jusić; Akos.ba; 12.
dhul-kade, 1441. h.g. / 03. 07. 2020.