Ikja nga Ardhmëria

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Opinione

Autor: Bedri Halimi

Letër e hapur disa punonjësve të arsimit në Gorë që duan ende të punojnë me planprogramet serbe

Qasja ndaj popullatës gorane nga shqiptarët përherë ka qenë konstruktive. Historikisht nuk mbahet mend që të ketë pasur probleme mes këtyre dy etniteteve, përkundër faktit që të tjerët kanë bërë përpjekje të vazhdueshme që pjesëtarët e njërës etni për t’ia kundërvënë pjesës tjetër.
Ajo që na shtyri që t’u drejtohemi me këtë letër të hapur qëndron në faktin se disa nga ju ende vazhdoni të punoni me palnprogramet e Serbisë duke marrë paga pos nga Kosova, edhe nga Serbia. Pasi realitetin e pasluftës në Kosovë, si duket disa nga ju ende nuk e keni pranuar, atëherë fillimisht duam të sqarojmë jo vetëm juve, por opinionin në përgjithësi, e veçmas popullatën gorane se ç’kanë bërë disa nga pjesëtarët e popullatës së Gorës ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, dhe cili ishte roli i tyre në këtë kohë?
Policia para luftës, në Komunën e Dragashit është përbërë kryesisht nga pjesëtarët goranë. Politika serbe në këtë komunë është ekzekutuar kryesisht nga kjo polici, pjesëtarët e së cilës ishin vegël në shërbim të antishqiptarizmit. Kjo nuk d.m.th., se e tërë popullata gorane është fajtore apo pjesëmarrëse në këtë veprimtari antishqiptare, siç nuk d.m.th., as heshtje e mosdistancim i popullatës gorane e veçmas intelektualëve të kësaj treve nga kjo veprimtari antishqiptare. Deri më tani distancime të tilla ka patur në mënyrë të heshtur nga popullata, e shumë pak nga klasa intelektuale, veçmas ajo shtresë intelektualësh që merren me veprimtari arsimore, e të cilët me vetë faktin se vazhdojnë të punojnë me planprogramet serbe tregon qartë se ata nuk janë distancuar nga politika antishqiptare serbe si dhe nga veprimet antishqiptare të pjesëtarëve të policisë serbe nga radhët e goranëve. Sipas shënimeve të degës së KMDLNJ për komunën e Dragashit, në këtë komunë ka patur mbi 326 raste të evidencuara të shkeljeve të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Gjithashtu shumë raste të shkeljes së të drejtave të njeriut, nuk janë lajmëruar fare në këtë këshill, nga frika e kërcënimit se do ta pësonin më keq sikur rasti të bëhej publik. Dhe këtë kërcënim ndaj shqiptarëve, e kanë bërë pjesëtarët goranë në policinë serbe, në këtë komunë. Këto shkelje kanë qenë të natyrave të ndryshme, që nga ndalja arbitrare në rrugë, rrahje, maltretime, burgosje, bastisje etj. Ndonëse është e qartë që komandimi ka qenë serb, gjithsesi ekzekutimi është bërë nga pjesëtarët e popullatës gorane. Ju duhet ta dini se çdo shkelje e të drejtave të njeriut, ka qenë si pasojë e shkeljes së të drejtave kombëtare të shqiptarëve, si kudo në Kosovë, ashtu edhe në këtë komunë. Ndalimi i varrosjes së shqiptarëve në varrezat e qytetit në komunën e Dragashit, gjatë kohës së okupimit serb, ka qenë kulmi i shkeljes së të drejtave kolektive që nuk ka ndodhur askund tjetër në Kosovë. Ne e dimë se kjo është ndikuar dhe urdhëruar nga politika serbe, siç e dimë se është ekzekutuar nga pjesëtarët goranë në policinë serbe në këtë komunë. Dhe jo vetëm kaq, e dimë gjithashtu se ju të nderuar intelektualë të arsimit që doni të punoni ende me planprogramet serbe, ende nuk jeni distancuar asnjëherë nga kjo politikë gjenocidale. E dimë që secili nga ju, gojarisht në mënyrë formale mund të deklarohet se nuk është fajtor dhe se distancohet nga veprimet e tilla, por veprimet praktike tuaja, madje edhe 16 vite pas luftës, flasin në esencë për të kundërtën.
Nuk e konsiderojmë të tepërt tua rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, në komunën e Dragashit, ka pasur mbi 4000 të mobilizuar nga radhët e popullatës gorane, për luftë kundër shqiptarëve dhe NATO-s. E dimë gjithashtu se shumica e të mobilizuarve është bërë dhunshëm jashtë dëshirës dhe vullnetit të tyre, ku pak kush ka mundur ti shmanget mobilizimit të dhunshëm. Por, nuk e kuptojmë se si askush nga ju që doni të punoni me planprogramet serbe nuk jeni distancuar pas luftës nga kjo politikë antishqiptare. Pra, a nuk e kuptoni të nderuar zotërinj se, fakti që ju vazhdoni të punoni me planprogramet serbe, tregon se nuk jeni distancuar akoma nga kjo politikë? Dhe jo vetëm kaq! Ne e dimë, se në mesin e të mobilizuarve ka pasur edhe të tillë nga radhët tuaja, që sot vazhdoni të hani me dy lugë, duke e mbajtur kështu kokën në Beograd e trupin në Kosovë. Po t’u takosh në rrugë, secili nga ju formalisht mund ta bëjë distancimin, por veprimet praktike tuajat edhe sot e kësaj dite, e demantojnë një gjë të tillë. Juve të nderuar intelektualë nga Gora, që vazhdoni të punoni me planprogramet serbe, nuk u ka brengosur gjenocidi serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, por si duket nuk u kanë brengosur as dhunimet masive që i ka bërë policia dhe ushtria serbe ndaj vajzave dhe grave gorane gjatë luftës, sidomos në shtëpitë e të mobilizuarve goranë, ku torishtën e kanë pasur të lirë, pa meshkuj në shtëpi; ndërkohë që meshkujt tuaj i kishte dërguar si mish për top, duke i qitur përpara, për t’u ballafaquar në betejat e planifikuara me shqiptarët. Kështu Serbia pati planifikuar t’i kryente dy punë në një rrugë: që të vriten goranë e shqiptarë mes veti, dhe të thellohet armiqësia mes tyre.
Antishqiptarizmi i disa goranëve në periudha të ndryshme është i njohur. Në këtë rast ne nuk do të përmendim emra, sepse popullata e kësaj komune, e Gorës dhe e Opojës i njeh të gjithë, siç i di edhe të gjitha të bëmat e tyre, disa nga të cilët vazhdojnë të mrizojnë në Beograd. Ju të nderuar punonjës të arsimit nga Gora që vazhdoni të punoni me planprogramet serbe, jo që nuk jeni distancuar as nga ata, por ndoshta dikush nga ju edhe vazhdon të koketojë e të marrë instruksione antishqiptare nga ta edhe sot e kësaj dite. Siç mund të vazhdoni të merrni instruksione edhe nga pjesëtarët goranë që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë edhe sot në sigurimin e shtetit serb në Serbi.
Ju të nderuar mësues goranë qw punoni akoma me planprogramet serbe, për interesa tuaja personale dhe të Serbisë, vazhdoni ta mbani popullin e Gorës të getoizuar, vazhdoni të ndikoni në moskyçjen e njerëzve nga Gora në realitetin e ri të Kosovës. Me veprimet tuaja po e dëmtoni jo vetëm veten tuaj, por po e dëmtoni edhe Gorën, popullin e saj, po e helmoni rininë gorane dhe kësi soji po ndikoni drejtpërdrejt në shpërnguljen e të rinjve goranë nga treva e Gorës. Për shkak të mosdëshirës suaj për ta parë realitetin objektivisht, Ju po i pengoni të rinjtë goranë që ta mësojnë edhe gjuhën shqipe që është gjuhë e interesit të tyre ekonomik në Kosovë.
Pas lufte, shqiptarët u sollën me ju sikur askush të mos kishte bërë asgjë. Madje shqiptarët ua zgjatën dorën e bashkëpunimit edhe në sferën e kulturës, edhe atë të politikës, por disa krijues nga Gora, pikërisht të shtyrë nga ju, kanë qenë të detyruar të qëndrojnë indiferentë ndaj ofertës sonë, sikur t’ua kishim për borxh. Afrimi i palës shqiptare përmes politikes e kulturës u bë me qëllim të ndihmesës që popullata gorane sa më shpejtë të inkorporohej në rrjedhat normale të shoqërisë kosovare. Bashkëpunimi për fat të keq, ka mbetur vetëm në nivelin e individëve vullnetmirë nga treva e Gorës. Ne të nderuar zotërinj, ju afruam edhe me orë letrare të përbashkëta edhe me koncerte të përbashkëta, por ju jo vetëm që nuk erdhët në këto manifestime, por vazhduat madje që të bënit obstrukcione edhe te qytetarët e thjeshtë për t’i frikësuar ata.
Prandaj të nderuar zotërinj, në instancën e fundit kjo gjë a nuk është keqpërdorim i mirësjelljes së shqiptarëve? Kosova ka interes për Gorën dhe popullin e saj, sepse Kosova nuk mund të heq dorë nga asnjë pëllëmbë e saj, siç nuk mund të heq dorë nga banorët e secilit etnitet. Por shqiptarët e komunës së Dragashit nuk kanë interes për ju që vazhdoni të punoni mbrapsht duke tentuar jo vetëm t’i mashtroni, por edhe ti frikësoni pjesëtarët e thjeshtë të Gorës. Prandaj, duhet ta keni të qartë njëherë e përgjithmonë se, as që mund t’i pengoni proceset e zhvillimit të shtetësisë së Kosovës. Kjo që po bëni ju, është keqpërdorim i lirisë, keqpërdorim i demokracisë, keqpërdorim i shtetit të Kosovës. Cili shtet në botë lejon veprime që bien ndesh në fushën e arsimit me ligjet e atij shteti? Serbia siç po e shihni, (dhe do ta shihni në vazhdimësi), po heq dorë nga pagat e dyfishta edhe për Serbet e Kosovës, të cilët gjithashtu i ka instrumentalizuar deri tani, dhe jo më për joserbët. Prandaj të nderuar zotërinj punonjës të arsimit nga Gora, është mirë t’i thirrni arsyes, sa nuk është bërë vonë edhe për ju. Mos u çuditni se nuk do të jetë e largët dita kur vetë populli i Gorës do të distancohet nga ju dhe veprimet tuaja, ashtu siç një pjesë e madhe e këtij populli është distancuar përfundimisht.
Ne gjithashtu e dimë se pas luftës, kanë ndodhur edhe disa të këqija për disa pjesëtarë të popullatës së Gorës, por edhe të Opojës, të cilat për mrekulli i ka shfrytëzuar Serbia përmes propagandës së saj. Kanë ndodhur disa shpërthime enigmatike, ndonjë vrasje dhe pësime tjera ekonomike të disa qytetarëve goranë. Natyrisht se ne jemi distancuar dhe distancohemi nga çfarëdo veprimi kriminal i kujtdo qoftë. Dhe jo vetëm kaq, por kërkojmë nga institucionet përgjegjëse vendore dhe ndërkombëtare, që të gjitha ato raste të zbardhen deri në fund dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar, sepse askush nuk ka të drejtë ta shqetësoj askënd, e aq më pak ta vrasë dikë. Ne kemi pasur guxim qytetar që edhe në kohë të vështira të distancohemi dhe të bëjmë thirrje publike, që të gjitha dyqanet e uzurpuara të goranëve në Kosovë t’u rikthehen. Edhe për këtë kërkojmë nga Eulex-i, që secilin rast të uzurpimit apo blerjes së detyruar të secilit lokal të pronarit goran ta rishqyrtojnë. Askush nuk ka të drejtë t’ia grabis pasurinë e askujt, aq më parë, kur vetë shqiptarët e kanë përjetuar në kurrizin e vet, për decenie të tëra, plaçkitjen nga policia e ushtria serbe.
Se çfarë rruge duhet të ndjekin goranët në Kosovë, e kanë shembullin e sivëllezërve të tyre në Shqipëri, të cilët kanë qenë dhe kanë mbetur qytetarë të barabartë të shoqërisë së shtetit shqiptar. Gjithashtu edhe sivëllezërit tuaj në trevën e Zhupës, banorët e së cilës e kanë pranuar realitetin në Kosovë, dhe mësojnë me planprogramet e Kosovës.
Organizimi politik në trevën e Gorës është aq heterogjen sa që çdo formacion politik, gjërat i sheh në prizmin e ndonjë ideologjie të caktuar, duke u shërbyer kështu interesave të çastit dhe duke ndikuar në përçarjen e panevojshme të njerëzve në trevën e Gorës.
Të nderuar intelektualë goranë. Atdheu i goranëve është vendi ku jetoni e punoni. Për disa individë të caktuar, atdhe është Serbia, për dikë Shqipëria, për dikë Kosova, për dikë Maqedonia, për dikë Bosnja e madje për dikë edhe Bullgaria. Është çështje e përcaktimit të lirë të secilit, që ta zgjedh atdheun dhe etninë të cilës i përket.
Por duhet t’ua rikujtojmë gjithashtu se pas luftës, si nga institucionet vendore, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare në trevën e Gorës janë bërë investime në çdo aspekt, duke mos e dalluar atë nga treva e Opojës, madje në shumë raste në këtë drejtim, Gora është favorizuar si nga qeveritë komunale ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar. Atëherë, përderisa edhe ky faktor ndërkombëtar e ka njohur pavarësinë e Kosovës, a nuk është e ndershme nga ana juaj, që edhe ju ta njihni përfundimisht realitetin e ri në Kosovën e pavarur, aq më tepër kur ju vet jetoni në të?
Të nderuar punonjës të arsimit nga Gora që doni të punoni me planprogramet serbe, vazhdimi i keqpërdorimit të mirësjelljes së shqiptarëve nga ana juaj, është shikim i ëndrrave me sy hapur, për ndonjë rikthim të mundshëm të Serbisë në Kosovë. Vazhdim i “zablludës” suaj dhe njerëzve të pafajshëm, për çka përgjegjësinë historike do ta mbani ju. Por jo vetëm historike, ngase institucionet e Kosovës dhe shteti i Kosovës përgjithësisht, duhet t’i japë fund lazdrimit tuaj. Për këtë, që moti ka qenë koha të bindet edhe bashkësia ndërkombëtare.
Shqiptarët ndaj goranëve kanë ndjekur përherë rrugë të drejtë, është koha e fundit që edhe ju ta kuptoni përfundimisht se, “nuk shkon kodra te Muhamedi, por Muhamedi duhet te shkojë te kodra”. E nëse kodra për dikë është Serbia, atëherë duhet ta ketë të qartë se të paktën fizikisht nuk mund të qëndrojë njeriu në dy kodra në të njëjtën kohë apo jo?!

(Shkrimi në këtë artikull nuk shpreh qëndrimet dhe opinionet e redaksisë së Portalit “Opoja.net“. E gjithë përgjegjësia e shprehjeve, bie mbi autorin e këtij opinioni.

Dërgoni edhe ju opinionin tuaj në këtë email: portali@opoja.net)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-