Opoja.net

Ikjet tmerruese: shkaqet, pasojat dhe mesazhi

Opinione
Autor: Bedri Halimi
Te shumë njerëz në Kosovë ishte ngulitur ideja se me largimin e Serbisë nga Kosova do të kishte vende pune me automatizëm për të gjithë të papunët. Kosova nuk mund të jetojë e getoizuar nga Evropa. Për t’u ndryshuar realiteti duhet ndryshuar qasjen. Për t’u ndryshuar ritmi i valles, duhet të ndryshojë së pari ritmi i melodisë.
Gjeneza 
Problemet me të cilat është ballafaquar Kosova, veçanërisht shqiptarët, janë të kahershme, të cilat vazhdimisht kanë ardhur duke u shtresëzuar, rrjedhimisht duke u rritur. Moszhvillimi ekonomik i Kosovës ishte pasojë e okupimit të saj dhe e shfrytëzimit të vazhdueshëm të resurseve kosovare. Tashmë Kosova është çliruar që 16 vjet. Por, çlirimi dhe moszhvillimi ekonomik janë dy gjëra të ndryshme. Thamë se moszhvillimi është pasojë e mungesës së lirisë, kurse akti i çlirimit ishte një veprim më i shkurtër sesa moszhvillimi ekonomik.
Te shumë njerëz në Kosovë ishte ngulitur ideja se me largimin e Serbisë nga Kosova do të kishte vende pune me automatizëm për të gjithë të papunët.
Administrata ndërkombëtare dhe keqpërdorimet në emër të meritokracisë
Në anën tjetër, çështja e vendosjes së administratës ndërkombëtare në Kosovë si dhe veprimeve praktike të tyre nuk dhënë shpresë se gjërat do të ecnin pozitivisht, madje as në progresion aritmetik. Kur kësaj t’i shtohet edhe fakti i të qeverisurit mbi bazën e ashtuquajtur të meritokracisë, të institucionalizimit të jaranisë në shumë vende qeverisëse, rezultatet e veprimit, përkatësisht mosveprimit të duhur pozitiv, ishin evidente. Kështu, disa udhëheqës në nivele të ndryshme institucionale janë vetëmjaftuar me vetveten dhe nuk kanë bërë përpjekje për të qenë të suksesshëm maksimalisht në punët që ka qenë dashur t’i kryejnë. Disa të tjerë që kanë qenë joprofesionistë, e kanë sjellë të keqen e dyfishtë në shoqërinë kosovare: së pari paaftësinë për t’i kryer punët dhe së dyti padenjësinë për t’u marrë me kryerjen e punëve. Në shumë vende janë vendosur njerëz të paaftë, ku si rrjedhojë, është krijuar një imazh i brendshëm i paaftësisë institucionale. Kur kësaj t’i shtohet edhe reflektimi i paaftësisë në nivele ndërkombëtare, ku te segmentet e caktuara të mekanizmave ndërkombëtar, është krijuar bindja se: “kur shqiptarëve nuk u ha palla për vetveten, atëherë si do të na hajë palla neve për ta”?
Kriteret e padrejta dhe mossqarimi i pamundësisë 
Kësisoj, për krijimin e gjendjes së amullisë, depresionit dhe paperspektivës, faji është i dyfishtë, edhe i vendorëve edhe i ndërkombëtarëve. I vendorëve për shkak të krijimit të një administrate të paaftë në të gjitha nivelet, ku në shumë raste individët e caktuar janë të papërgjegjshëm, njëkohësisht të paaftë për t’i kryer punët për të cilat paguhen nga buxheti i Kosovës. Në shumë raste përflitet me të madhe për pasigurinë totale për investime të huaja. Në shumë raste, thuhet se ekziston korrupsion i përmasave të ndryshme, të cilat në vetëdijen kolektive të shqiptarëve, janë rritur përtej reales, në progresion gjeometrik. Pra, edhe përtej mundësisë reale të zhvillimit të mundshëm të këtij korrupsioni. Kjo ka krijuar psikozë. Kjo mendësi është transmetuar para botës edhe përmes miqve, edhe para miqve, edhe përmes jomiqve, edhe para armiqve. Kjo nuk ka mbetur pa ndikim as te investitorët e mundshëm të huaj. Kur kësaj t’i shtohet edhe fakti se një investitor i huaj nëse takohet diku me ndonjë zyrtar në ndonjë vend të Kosovës, puna e parë që i shkon ndërmend zyrtarit vendës, nuk është se sa punëtorë do të mund të punësoheshin në këtë investim dhe si të realizohet ky investim më shpejtë, por preokupimi parësor i tij është se: ku jam unë?! Çka përfitoj unë? Dhe eventualisht në imagjinatën e tij të krijojë listën e njerëzve që do t’i punësonte. Kohën e harxhon në këtë mënyrë, në vend se të interesohej për të përshpejtuar procesin e vënies në praktikë të investimeve të huaja.
Disa nga personat e tillë janë vetëmjaftuar me vetveten, kanë pagën institucionale dhe njëkohësisht janë munduar të përbirojnë mundësitë e përfitimeve jashtë institucionale. Edhe në shumë raste, kur dikush, nëse u ka kërkuar personave të tillë, që t’u ndihmojë në punësimin diku, dhe nëse ai zyrtar nuk e ka pasur këtë mundësi, nuk është lodhur fare për ta bindur, se përse realisht nuk ka mundësi t’ia kryejë një punë. Kjo padyshim ka sjellë zhgënjim, sepse sikur i njëjti të ishte sqaruar për arsyen e pamundësisë, zhgënjimi nuk do të ishte i këtij niveli. Në anën tjetër te kriteri i përzgjedhjes së njerëzve për punë, ku në shumë raste është përdorë vetëm jarania, nepotizmi apo edhe mitoja, nuk ka mbetur pa reflektim negativ në opinion. Kjo edhe për faktin se për atë vend të punës nuk janë pranuar kandidatë që kanë qenë shumë më profesional sesa personi i pranuar. Edhe kjo ka sjellë zhgënjim, natyrisht.
Ish-njerëzit e Serbisë me ndikim në subjekte politike
Një pjesë e madhe e udhëheqjeve partiake, që nga paslufta, në vazhdimësi, ku më shumë e ku më pak e kanë përdorë këtë qasje ndaj njerëzve. Me një ndryshim “të vogël”, ku në raste të caktuara, te disa nuk ka vlejtur as kriteri i jaranisë, as i meritokracisë, madje as i veprimit logjik, por të gjitha këto janë zëvendësuar me kriterin e përfitimit personal të tij. Kështu, nëse dikush ka qenë bashkëpunëtor i Serbisë dhe gjatë kohës së okupimit ka arritur të krijojë pasuri marramendëse, tashmë ai person është bërë person me ndikim edhe në vetë subjektin politik. Madje më shumë sesa dikush që mund të ketë sakrifikuar qoftë burgjeve, qoftë në luftë, qoftë edhe materialisht gjatë luftës, e që pas luftës kanë mbetur raste sociale. As kjo qasje nuk ka mbetur pa u vënë re në opinion dhe pa krijuar zhgënjim te ta.
Parimi makiavelist për të ardhur në pushtet
Kur kësaj t’i shtohet edhe shtyrja me bërryla, me ndërskamca, duke mos zgjedhur mjete për të arritur qëllimin e ardhjes në pushtet sipas parimit makiavelist, siç ishte rasti pas zgjedhjeve të 8 Qershorit, ku inatet, ambiciet dhe dëshirat arritën përtej mundësive reale të udhëheqësve të caktuar politik, krijuan vakum institucional. Dhe ky vakum, jo vetëm që solli pasoja të brendshme e të jashtme, por edhe i shtoi pasojat. Sepse dha sinjal para botës, se këtu është vështirë të investohet, sepse udhëheqja e këtij vendi është latente, labile, dhe jo funksionale. Kjo nuk mbeti pa reflektuar negativisht edhe te faktori i brendshëm, ku te njerëzit u rrit shkalla e zhgënjimit. Kjo është pasojë për të cilën realisht dikush do të duhej të mbante përgjegjësi. Por nuk ka mundësi të mbajë askush përgjegjësi, sepse përgjegjësia gjuhet te njëri-tjetri dhe askush nuk e mban për veti. Klasa aktuale politike në Kosovë është aq e stërkequr në këtë drejtim sa që thënë figurativisht sikur të gjithë këta lider të luanin futboll me Serbinë, Serbia do të shënonte vazhdimisht gola. Pos tjerash edhe për faktin se lojtarët e “ekipit” politik të Kosovës, topin do ta mbanin vetëm për vete dhe inati nuk e lente që t’ia qesin tjetrit për të shënuar gol, edhe sikur të bashkëlojtari të ndodhej para portës së zbrazët.
Sistemi gjyqësor – kulmi i stërkeqjes
Kulmi i parregullsive në Kosovë është sistemi gjyqësor, ku pothuaj nuk funksionon asgjë si duhet. Ku hajni kapet dhe lirohet. Ku hajni nuk dënohet. Ku në vend të dënimit të hajnave të mëdhenj dënohet dikush sa për sy e faqe, për 100 euro, apo edhe për një drekë. Ku gjyqësori nuk është i pavarur, dhe ku gjyqësori nuk i jep llogari askujt. Dhe jo vetëm kaq! Të gjitha këto të shpien në përfundim logjik se një pjesë e madhe e gjyqësorit vet është i kriminalizuar. Merre me mend sa mund të jetë efektiv një gjykatës që ka qenë gjykatës edhe gjatë monizmit. Dhe këtë jo për shkak të profesionalizmit, por për shkak të moralit të vrarë të tij. Me njerëz të pamoralshëm, cili vend serioz në botë funksionon? Cili institucion? Kështu që është bërë një martesë, herë e lumtur, herë e dhunshme, mes gjykatësve kriminel dhe kriminelëve që s’ka kush t’i gjykojë. Dhe në ketë rast rezultati është:
Të dy palët bëhen kriminelë me të cilët nuk ka kush të merret. As kjo nuk ka mbetur pa reflektim negativ as para botës e as para vendorëve. Dhe sërish, jo vetëm kaq! Edhe hajnat e botës, si dhe ndonjë që nuk ishte hajn, disa shqiptarë në Kosovë kanë arritur t’ia mësojnë zanatin e perfeksionuar të hajnisë dhe tashmë kanë hyrë së bashku në valle, vendorë e ndërkombëtarë, sepse  këta tipa ”i ka bashkuar kënga popullore”.
Klima e pasigurt për investitorët
Mosfunksionimi i gjyqësorit në Kosovë ka reflektuar më së shumti negativisht, si para faktorit ndërkombëtar, ashtu edhe para faktorit të brendshëm. Pasojë e këtij mosfunksionimi është krijimi i klimës së pasigurt për investimet e huaja, dhe si rrjedhojë një klimë e pasigurt për investitorët. Në pasiguri askush nuk është budalla që të investojë. Kurse në opinionin e brendshëm, reflektimi negativ është në rritjen e shkallës së zhgënjimit te njerëzit, për shkak të mosfunksionimit të duhur të shtetit. Tashmë është përzier shumëçka në Kosovë: e vërteta me gënjeshtrën, i ndershmi me mashtruesin, i afti me të paaftin dhe si rrjedhojë, nuk funksionon sistemi i vlerave. Nuk ka kritere për vlerësimin e vlerës.
Faji i bashkësisë ndërkombëtare
Në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, me jo seriozitetin e saj ndaj gjendjes reale në Kosovë dhe me qasjen jopragmatike, ka kërkuar që në vazhdimësi shqiptarët t’i nënshtrohen vazhdimisht urdhrave, kërkesave dhe projekteve të tyre. Të kenë dëgjueshmëri absolute dhe nuk e kanë qarë kokën fort për nevojën e përshpejtimit real të proceseve në Kosovë. Kështu që para kërkesave të vazhdueshme të Evropës ndaj Kosovës dhe para dëgjueshmërisë absolute të Kosovës para saj, është krijuar një vakum për gjendjen reale në Kosovë. Dhe ky vakum ka krijuar mundësinë e shpërthimit të situatës. Bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht Evropa duhet ta kuptojë realisht se si është e mundur të mbijetoje populli i Kosovës dhe Kosova përgjithësisht në një gjendje karantine siç e kanë sjellë Kosovën? Si është e mundur që të mos e kuptojë bashkësia ndërkombëtare se si mund të mbijetojë një popull në një shtet në krijim, si i izoluar nga bota? Sot, Kosova është vendi i vetëm i izoluar në Evropë, pa të drejtë për të pasur qasje të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj. Me një fjalë, Kosovës i janë lidhur duart më së shumti nga faktori ndërkombëtar, e në një masë edhe nga vet Kosova.
Prandaj, si pasojë e tërë kësaj klime depresive, të paprespektivës dhe krizës ekonomike, shumë njerëz kanë filluar që t’ia mësyjnë rrugëve të perëndimit, për të dalë si azilantë ekonomikë. Skenat e tilla në këtë kohë dimri janë trishtuese. Qoftë kjo edhe marrveshje interne e të mëdhenjve për t’ja lëshuar pak frymën gomës së fryrë para pëlcitjes apo edhe thithjen e një pjese të shqiptarëve si ‘repromaterjal’ për nevoja të brendshme të dikujt. Të kujtojnë ikjet nga Shqipëria pas rënies së komunizmit.
Negativja dhe pozitivja e koalicionit PDK – LDK dhe opozitës
Edhe çështja e koalicionit PDK dhe LDK si koalicion i madh ka reflektimin e vet negativ, sepse në opinion krijohet bindja se kur të mëdhenjtë janë bërë bashkë dhe nuk po mund ta ndryshojnë këtë gjendje të rëndë, atëherë përfundimisht nuk ka kush që i zgjidh më problemet tona. Kësaj klime në masë të konsiderueshme po i kontribuojnë edhe partitë aktuale opozitare, të cilat në këtë tragjedi kombëtare, paturpësisht po mundohen të fitojnë politikisht, duke e bërë fajtore për çdo gjë vetëm pushtetin aktual, përkatësisht vetëm këto dy parti. Ndërkaq asnjëri nga liderët e partive opozitare, nuk mund të jap kurrfar alternative. Hipotetikisht ta zëmë se këto dy parti do ti heqim me automatizëm sot nga pushteti, cila është alternativa e AAK-së, VV-së dhe Nisma-s? Si ata do t’i zgjidhnin këto probleme? A kanë shkop magjik për t’i zgjidhur këto probleme? Mund të merret me mend, se çfarë morali kanë edhe këto parti me vet faktin se në njërën anë qierrën së bërtituri për ruajtjen e pasurisë publike, e në anën tjetër organizojnë protesta, ku shkatërrohet vetë pasuria publike. Madje nuk përtojnë të bëjnë as veprime ultimative që thërrasin në anarki. Ndihmesën më të madhe këto parti sot do t’ia bënin vendit, duke ia lënë duart e lira Qeverisë për të punuar. Për ta pritur në qetësi atë farë 100 ditësh aq shumë të përmendur, për ta parë se a po punohet diçka, a është filluar të punohet mbarë diku dhe jo për të tentuar që përmes krijimit të anarkisë, t’ia lidhin duart edhe kësaj qeverie, çfarëdo që është, sepse fundja është me votën e qytetarëve.
Pretekstet reale për të protestuar
Pretekste për të protestuar Kosova ka pasur në vazhdimësi. Por në vend se të protestoheshin për gjëra konkrete, të cilat qojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe funksionimit të shtetit, këta presin që të protestojnë ndaj ndonjë diversioni politik të Serbisë përmes ndonjë Jaballanoviqi dhe të keqen përsëri t’ia sjellin vetës dhe Kosovës. Probleme konkrete siç janë KEK-u, skandalet e mëdha të ndryshme në ndonjë institucion etj. askush nuk del në protesta, apo dalin aq pak sa që protestat reale mbeten fragmentare.
Kulmi për t’u ngritur në protesta, është nevoja për ta kërkuar ndryshimin radikal së gjendjes në gjyqësorin e Kosovës. Në mënyrë që gjykatat të funksionojnë si duhet, në mënyrë që gjykatësit të mos shikojnë paraprakisht se si t’i shmangen lëndës, se si të gjejnë apo edhe të krijojnë vakuume ligjore për t’u shmangur ekzekutimit të shkeljeve ligjore.
Pra, krijimi i klimës së sigurisë në Kosovë, duhet të fillojë së pari me reformën e thellë me gjyqësorë, duke i burgosur dhe dënuar krahas të gjithë hajnave edhe vet gjykatësit që u janë shmangur me vetëdije implementimit të ligjit për të cilin paguhen, për cilin janë emëruar, dhe për cilin janë të thirrur. Pa një reformë të thellë të gjyqësorit në Kosovë, nuk do të ketë as ndalim të korrupsionit, as luftim të korrupsionit, as luftim të çfarëdo keqpërdorimi tjetër. E si rrjedhojë nuk do të ketë as funksionim normal të shtetit, as krijimin të klimës së mirëbesimit, as krijim të perspektivës për qytetarët e Kosovës, se do të bëhet mirë për ta, as përmirësim të imazhit para botës, në mënyrë që t’u mundësohet thithja e investimeve të huaja në Kosovë.
Sa më gjatë që të shkojë kjo fazë, aq më tepër do të zgjatët agonia, aq më shumë do të rritët pasiguria, zhgënjimi dhe paperspektiva e qytetarëve të këtij vendi. Kjo detyrimisht të shpije deri te rritja e kriminalitetit e të gjitha llojeve, ku ky kriminalitet do t’u servohet edhe bashkësisë ndërkombëtare. Dikujt, kjo ndoshta mund t’i konvenojë aktualisht, por kjo më së paku i konvenon Kosovës si dhe vet Evropës. Për t’u ndryshuar realiteti duhet ndryshuar qasjen. Për t’u ndryshuar ritmi i valles, duhet të ndryshojë së pari ritmi i melodisë.
Loading...

Mos i humb

Heroizmi i rënies së Afrimit dhe Fahriut, frymëzim për brezat liridashës

Opoja.net

Paga minimale: E zotëron punën, sepse e zotëron veten!

Opoja.net

Zhvillime të bujshme në Kosovë

Opoja.net

Dr. spec. Selami Sylejmani në 20 vjetorin e lirisë vjen me shkrimin për dëshmorin e kombit Dr. Fahredin Hotin

Opoja.net

Cilët njerëz i duhen Kosovës?!

Opoja.net

Pesëdhjetë vite migrim të kosovarëve – pse tani është faza më e rrezikshme?

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net