Incidentet me vaksinim (VIDEO)

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Opoja

Specialistja e gjinekologjisë, Besa Kolloni, e cila është dërguar nga Ministria e Shëndetësisë në qendrën e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, po pretendon se është sulmuar nga shefi i grupit të asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Granit Rifaj.

Gjinekologia ka rrëfyer në emisionin “Kallxo Përnime” se si erdhi, siç thotë ajo, te sulmi nga Granit Rifaj.

“Të premten me datën 18 (qershor) ishim tek vendi ku kryhet vaksinimi, rreth orës 12:20 pas një kontrolle që e patëm nga Ministria e Shëndetësisë ne e pezulluam punën dhe ishte orari i pauzës dhe qëndruam para objektit të QKMF-së. Në atë moment ka ardhë një makinë, personat kërkonin për vaksinim dhe unë u mundova me iu sqaru që vaksinimi nuk po kryhet për momentin pasi që e kemi Inspektoratin e Ministrisë lart dhe po pres informata nga udhëheqësi i vaksinimit. Personat në fjalë po kërkonin prapë që unë t’i vaksinoja dhe unë u tregova që nuk po e kryejmë vaksinimin dhe duhet me pritë, unë u thash kaloni në pritje se deri sa të marr informacion më pas”, rrëfen ajo.

“Personat që më kanë sulmuar më thanë që  kemi ardhë me marr vaksinën, kemi bërë termin dhe nuk mundemi me pritë. Unë u thash po më vjen shumë keq, por unë nuk mundem me ju vaksinu për momentin dhe jam largu. Në momentin që jam largu dikush nga kolegët më ka tregu që nëna e tyre e ka një sëmundje dhe nuk e kam ditë dhe unë u afrova dhe u thash në qoftëse më ofroni një dokument me foto ose në qoftëse e posedoni dokumentin unë po ua kryej punën edhe pse është pauza, nuk po ju lo me pritë, por juve nuk mundem me ju vaksinu sepse nuk posedoni dokument”, vazhdon rrëfimin mjekja.

Ajo tutje thotë se në momentin që e ka përmend pauzën Lulzim Rifaj, babai i Granit Rifajt, i cili ishte konsull në ambasadën e Kosovës në Sofje të Bullgarisë, ka filluar ta ofendojë.

Mjekja thotë se pas sharjeve dhe ofendimeve që i ka marrë nga Lulzim Rifaj ka tentuar të flasë në telefon me drejtorin e QKMF-së në Dragash, Ramadan Jashari, mirëpo ky i fundit nuk ka qenë i qasshëm.

“Gjatë gjithë kohës kam kërku me thirrë policinë por askush nuk e ka thirrë. Askush nuk i ka ndalë, askush nuk më ka dalë në ndihmë dhe kam shku vetë në polici dhe kam dhënë deklaratë dhe nuk e di pastaj kur janë marrë në pyetje me policinë”, tregon tutje ajo.

Pas këtij incidenti, Kolloni thotë se është shumë e shqetësuar dhe ka kërkuar ndihmë nga një neurokirurg pasi që edhe emocionalishtë nuk ka qenë mirë.

Por, çka thotë Granit Rifaj për këtë rast?

Shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së në Komunën e Dragashit thotë se atë ditë kur ka shkuar për vaksinim në QKMF, mjekja, Besa Kolloni, ka refuzuar ta vaksinojë.

“Kam shku bashkë me prind me u vaksinu, e kam pasë terminin atë ditë dhe jam me sëmundje kronike e që është e vërtetune edhe në QKMF në Dragash. Kur kam shku aty doktoresha në fjalë ka refuzu me na vaksinu me pretendimet se nuk po punohet, janë Inspektorati i MSh-së edhe na ka thanë që keni terminin për me ardhë me u vaksinu. (Mjekja) Ka thënë që unë jam e dërguar nga MSh dhe nuk mund të vaksinoheni sot. OK thash a ka mundësi me pritë në qoftëse bohet masnej. Prit tha por vaksinë nuk merrni”, rrëfen Rifaj.

I pyetur nëse e ka shtyrë apo sulmuar doktoreshën ai thotë se nuk e ka shtyrë apo sulmuar Kollonin dhe se një deklaratë e tillë le të mbetet në ndërgjegjen dhe kulturën e saj.

“Kjo le të mbetet në moralin dhe në kulturën e familjes dhe të vetë Besës. Në moralin e familjes sime dhe në moralin tim me ofendu edhe me shty një femër nuk është”, thot ai.

Për këtë rast Rifaj thotë se ka angazhuar edhe avokat.

Kur u njoftua drejtori i QKMF-së për rastin Kolloni – Rifaj?

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, Ramadan Jashari, në intervistën për “Kallxo përnime” ka treguar se është informuar me vonesë për rastin ndërmjet Kollonit dhe Rifajt.

Ai thotë se po atë ditë ka ndodhur edhe një sulm tjetër ndaj një infermieri tjetër i cili është detyruar të shkojë në Spitalin rajonal të Prizrenit dhe në momentet e sulmit ka qenë në vizitë tek infermieri andaj edhe nuk ka arritur t’i përgjigjet telefonatave të mjekes.

Mirëpo, ai thotë se në momentin që ka biseduar me mjeken kjo e fundit i ka thënë se ka qenë vetëm konflikt verbal por jo edhe sulm.

“Pasi jam kther nga Prizreni i jam drejtuar qendrës dhe kam biseduar me stafin dhe me mjeken e cila më ka treguar se ka ndodhur një konflikt verbal dhe kam pyetur e ka pasë sulm fizik ajo ka thënë jo konflikt verbal”, tregon drejtori.

Drejtori, fillimisht thotë se ai e ka telefonuar policinë por pastaj e pranon që vetë Besa e ka paraqitur rastin në Policië dhe jo ai.

“Rastin e kam lajmëru në Polici… Po ashtu doktoresha Besa më ka treguar se ajo e ka lajmëruar Policinë, jo unë. Tani janë duke u marrë organet kompetente me këtë rast… po Besa e ka lajmëruar rastin jo unë”, rrëfen ai.

Tutje, ai thotë se qendra nuk ka sigurim dhe me mungesë të sigurimit janë ballafaqur që nga paslufta, edhe pse ai thotë se kanë bërë kërkesë në Komunë për sigurim por të njejtët nuk i kanë bërë zgjidhje.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-