179 gjoba i shqiptuan vetëm këtë vit.
Inspektoratit të Punës po i del punë me punëdhënësit që nuk po e zbatojnë Ligjin e Punës.
E kur dolën në terren, atë hasën në 578 punëtorë pa kontrata.
Kështu ka bërë të ditur për Front Online, Agim Millaku, Zv/Kryeinspektor për Siguri në Punë.
“Gjatë këtij viti Inspektorati i Punës ka shqiptuar gjithsej 179 gjoba për mos respektim të dispozitave pozitive nga marrëdhënia e punës dhe siguria dhe shëndeti në punë”, tha ai për Front Online.
Gjithsej i kryen 8445 inspektime.
E nga to, u evidentuan 578 punëtorë të cilët nuk kanë kontrata të punës.
“Gjatë këtij viti Inspektorati i Punës ka realizuar 8445 inspektime, nga të cilat gjatë inspektimit ka rezultuar se 578 të punësuar kanë qenë pa kontrata pune”, tha Millaku për Front Online.
Bizneset, sipas Millakut, ndëshkohen me gjoba të cilat janë të përcaktuara me ligj.
“Gjobat janë të përcaktuara me dispozitat e Ligjit të Punës”, tha ai.
Kryesindikalisti i punëtorëve: Pronarët e bizneseve kanë marrëveshje me inspektorët
Mosdhënia e kontratave të punës për punëtorët e sektorit privat, mbetet një problem i vjetër.
E kjo sipas Kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, po bëhet pasi që nuk ka një plan të veprimit nga Inspektorati i Punës.
“Nuk kemi ndonjë plan të veprimit pozitiv nga Inspektorati i Punës i cili në rend të parë është i obliguar ta mbikëqyrë çështjen e Ligjit të Punës”, deklaroi Azemi
Mosregjistrimi i punëtorëve, sipas tij, po bëhet në mënyrë që punëdhënësi t’i ikë obligimeve.
“Pronari i kompanisë në shumicën e rasteve i paguan punëtorët me 300 euro dhe për t’iu ikur pagesave e ka zgjedhur rrugën që punëtorët të mos i regjistron dhe në vend që t’i paguan obligimet ai ato mjete i merr për veti”, tha ai për Front Online.
Azemi si arsye të moszbatimi të Ligjit të Punës në sektorin privat e përmendi edhe marrëveshjen që në shumicën e rasteve kanë inspektorët me pronarët e kompanive.
“Inspektorët në shumë raste kanë marrëveshje me pronarët e kompanive dhe para se të shkojnë për vizitë i lajmërojnë ata që të largohen punëtorët e them se në shumicën e rasteve ka marrëveshje ndërmjet inspektorëve dhe pronarëve”, tha Azemi.
Ministria e Financave tregon arsyet pse bizneset nuk po e zbatojnë Ligjin e Punës
Ministria e Financave për FrontOnline, ka dhënë disa arsye pse bizneset nuk i regjistrojnë punëtorët.
Një ndër arsyet kryesore është mos qëndrueshmëria e biznesit dhe ikja e obligimeve që dalin nga deklarimi i punëtorëve.
Nga kjo Ministri thonë se bizneset sillen në këtë mënyrë pa i marrë në konsideratë benifitet që i sjellin atyre formalizimi i punëtorëve.
“Bizneset i ikin t’i regjistrojnë punëtorët çoftë për shkak të pa qëndrueshmërisë së biznesit , çoftë ikjes së obligimeve dhe përgjegjësive që dalin nga formalizmi i punëtorëve të cilët ushtrojnë veprimtari pune në ato biznese, çoftë me kërkesën e punëtorëve për mos deklarim të tyre sepse humbin të drejtat nga skemat e ndryshme sociale etj. Bizneset sillen kështu pa i marrë në konsideratë benifitet që i sjellin atyre formalizimi i punëtorëve”, thonë për Front Online nga Ministria.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.