Jeta familjare e Ebu Bekrit (r.a.)

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Familja e Ebu Bekrit kishte disa cilësi të cilat nuk i posedonte asnjë familje tjetër. Familja e tij kishte qenë shkaku i zbritjes së ajetit kuranor që i lejonte myslimanët të merrnin tejemum kur nuk kishte ujë për abdes. Pas zbritjes së këtij ajeti, Usejd ibn Hudejri tha:

“Pa dyshim, ky nuk është i vetmi bekim i ardhur mbi familjen e Ebu Bekrit”.[1]

Midis Sahabëve, familja e Ebu Bekrit ishte e vetmja që kishte namin për 4 breza myslimanësh. Kjo ishte arritur përmes Abdurrahmanit dhe Esmës.

Siç dihet, Ebu Bekri është martuar 4 herë në kohë të ndryshme. Nga këto martesa ai pati 6 fëmijë.

Gruaja e tij e parë ishte Katila bint Abduluza. Ebu Bekri e divorcoi atë gjatë kohës së injorancës. Pas divorcit, ajo erdhi për të vizituar vajzën e saj Esma me disa dhurata. Esma i refuzoi dhuratat dhe u përpoq ta ndalte të futej në shtëpi. Pas incidentit, Katila i tha Aishes të fliste me Profetin për të gjetur një zgjidhje për çështjen. Më vonë, ajetet kuranore treguan se këto lloj marrëdhëniesh ishin të lejuara në kohë paqeje.[2]

Pas Katilas, Ebu Bekri u martua me Umu Ruman bint Amir, e cila ishte nëna e Aishes dhe e Abdurrahmanit. Umu Rumani e kishte pranuar Islamin përpara martesës me Ebu Bekrin. Ajo i kishte dhënë besën Profetit në Mekë. Umu Ruman ndërroi jetë në vitin e gjashtë të hixhretit.

Pas Umu Rumanit Ebu Bekri u martua me Esma bint Umejs. Ajo ishte e veja e Xhafer ibn Ebu Talibit i cili kishte rënë shehid në luftën e Mu’tes. Nga kjo martesë Ebu Bekrit i kishte lindur djali më i vogël, Muhamedi. Esma ishte ndër gratë e para që kishte pranuar Islamin. Ajo ishte bërë myslimane përpara se Profeti të hynte në shtëpinë e Ibn Erkamit. Ajo gjithashtu ishte në grupin e personave që emigruan në Abisini, ku kishte shkuar bashkë me bashkëshortin, Xhafer ibn Ebu Talib.

Gruaja e fundit që u martua me Ebu Bekrin ishte Habibe bint Harixhe. Ajo ishte nga fisi hazrexh i ensarëve. Habibja ishte shtatzënë në kohën kur vdiq Ebu Bekri. Ajo lindi më vonë një vajzë që e quajti Umu Kulthum.

Abdurrahmani ishte fëmija më i madh. Ai pranoi Islamin ditën e Hudejbijes. Përpjekjet e tij gjatë emigrimit ishin të jashtëzakonshme. Ai shoqërohej me idhujtarët gjatë ditës dhe më pas informonte ata që do të niseshin për emigrim për të rejat më të fundit në Mekë. Ai ra shehid nga një shigjetë në ditën e Taifit. Në atë kohë Ebu Bekri ishte Kalif.

Djali i Ebu Bekrit, Muhamedi kishte lindur ditën e Hutbes së Lamtumirës. Ai e humbi të atin në moshën 3 vjeçare. Muhamedi u rrit nga Aliu. Më vonë ai ishte emëruar si guvernator i Egjiptit dhe atje ra shehid.

Vajza e madhe e Ebu Bekrit, Esma, të cilës Profeti i kishte vënë titullin “Dhunitakajn” gjatë emigrimit të shenjtë, ishte martuar me Zubejr ibn Avamin. Nga kjo martesë lindi Abdullah ibn Zubejri. Esma ishte e vetmja grua shtatzënë gjatë emigrimit. Ajo ishte e para muhaxhire që lindi në Medinë. Për këtë, Abdullah ibn Zubejri ishte fëmija i parë i palindur akoma që kishte emigruar. Esma vdiq në vitin e 73 të hixhretit. Ajo ishte e njohur për bujarinë e saj.

Nëna jonë Aishja, bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut, ndërroi jetë në vitin e 57 të hixhretit.

Përpara se Ebu Bekri të ndërronte jetë kishte folur me Aishen për Umu Kulthumin, vajzën që nuk kishte lindur akoma. Ai e këshilloi Aishen për pjesëtarët e familjes: “Këta janë vëllezërit dhe motrat tuaja.” Aishja nuk po e kuptonte se ç’donte të thoshte i ati dhe e pyeti: “E di se kush janë vëllezërit dhe e di se Esma është motra ime, por kush qenka motra tjetër?”

Ebu Bekri i kujtoi Aishes Harixhen. Ajo lindi një vajzë, ashtu siç kishte thënë Ebu Bekri. Më vonë Umu Kulthumi u martua me Talha ibn Ubejdullahun.

Është e qartë se midis Sahabëve të tjerë, familja e Ebu Bekrit qëndron lart me cilësi të dallueshme. Edhe ndërmjet Sahabëve nuk gjendet një i dytë si Ebu Bekri. Ai është i vetmi, babai, nëna dhe fëmijët e të cilit ishin të gjithë myslimanë. Për më tepër, 4 gjenerata të familjes së tij ishin takuar me Profetin duke marrë gradën e Sahabëve. Ebu Bekri kishte arritur këtë përmes 2 degëve të familjes:

  1. Abdullah ibn Zubejri dhe nëna e tij Esma, Ebu Bekri dhe babai i tij Ebu Kuhafe.
  2. Muhamedi, i biri i Abdurrahmanit i cili ishte djali i parë i Ebu Bekrit dhe Ebu Bekri dhe babai i tij Kuhafe.

Si përfundim, mund të themi se Ebu Bekri ishte një person i cili u ngrit nga tregu i qytetit në rangun e Kalifit. Arritjet dhe rangu i lartë në të cilin u ngjit e bënë atë një shembull të paharrueshëm për të gjithë ata që do të pasonin.

Mënyra e jetesës së tij gjithmonë në progres dhe përmirësim të vetvetes duhet të merret parasysh dhe të ndiqet nga të gjithë. Ai ishte një model qëndrueshmërie që kurrë nuk tha, “Mjaft kam bërë.” Ai ishte në një garë për të bërë gjithnjë e më shumë. Në rrugën e të drejtëve u përpoq deri në fund pa hezitimin më të vogël dhe frikën se mos humbiste nga pasuria e tij.

Ka vetëm një gjë që mund të themi për ata që e shikojnë Ebu Bekrin me zili: “Asnjëherë nuk është shumë vonë! Ndoshta ju kurrë nuk do të jeni si Ebu Bekri, por më ndihmën e Allahut, ju mund t’i shërbeni Islamit ashtu si Ebu Bekri dhe të mbaheni mend në përjetësi.”

Për ta arritur këtë, në fillim duhet të keni qëllimin, të ndjekur nga një aksion i përjetshëm…

[1] Buhari, Sahih, 1/27.
[2] Mumtehine, 8.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-