Falënderimet janë për
Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë,
falje dhe udhëzim kërkojmë. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk
mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush
tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë. Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka
zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe,
dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi (a.s.) është rob i Allahut dhe i Dërguari
i Tij i fundit.
Vëllezër besimtarë! Tema
e hutbes së sotme është: “Jeta si ibadet (adhurim)!
Çdo
njeri i arsyeshëm dhe i matur, të paktën një herë në jetën e tij do ta pyeste
veten:
Si
jam krijuar?
Pse
ekzistoj?
Çka
ka pas vdekjes?
Shumë
njerëz do të enden në kërkim të përgjigjes së duhur, por, për fat të keq, shumë
prej tyre nuk do ta gjejnë përgjigjen. Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë:
“Unë
nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.”
(Dharijat, 56)
Andaj,
qëllimi kryesor për të cilin ne jemi krijuar është që t’i përkushtohemi
(robërohemi) Allahut, ta adhurojmë, përkatësisht, t’i bëjmë ibadet.
Çka
është ibadeti?
Si
t’ia arrimë këtij qëllimi?
Si
ta bëjmë jetën tonë ibadet?
Çka
është, në të vërtetë, ibadeti dhe cili është kuptimi i saktë i ibadetit?
Sipas
kuptimit të njohur, ibadete janë veprat me të cilat ne shprehim bindjen dhe
përkushtimin tonë ndaj Krijuesit tonë – Allahut të Madhërishëm. Kjo bëhet
përmes ritualeve fetare si, namazi, agjërimi, haxhi, kurbani, leximi i Kuranit
dhe veprat tjera të ngjashme.
Megjithatë,
a duhet ne krejt jetën tonë ta reduktojmë në rituale fetare, dhe t’i lëmë pas
dore të gjitha aspektet tjera të jetës?
Sigurisht
që nuk duhet, sepse në qoftë se mendojmë ashtu, atëherë të kuptuarit tonë të
ibadetit dhe të fesë islame nuk është i saktë.
Pejgamberi
(savs), i pat qortuar ata tre personat të cilët dëshiruan ta reduktojnë jetën e
tyre vetëm në atë kuptimin e ngushtë të ibadetit. Njëri prej tyre tha, se do të
agjëronte vazhdimisht; tjetri tha, se do të falej tërë natën dhe nuk do të flinte,
kurse i treti tha, se kurrë nuk do të martohej. Kur e dëgjoi për këtë Pejgamberi
(savs), tha: “Unë, vërtetë, më së shumti i frikësohem Allahut, dhe unë jam
më i devotshmi midis jush, por unë edhe agjëroj edhe bëj iftar, edhe falem edhe
martohem, andaj kush nuk e dëshiron praktikën time, ai nuk është në rrugën time.”
Koncepti
islam i ibadetit është shumë i gjerë dhe nuk kufizohet vetëm në ritet fetare,
të cilat i përmendëm më parë. Qëllimi i këtij lloji të ibadetit është që t’i
jemi mirënjohës Allahut të Madhërishëm për të mirat e shumta që na ka dhuruar,
ta forcojmë lidhjen me Krijuesin tonë, dhe ta pastrojmë dhe përmirësojmë
shpirtin tonë.
Jeta e muslimanit është
ibadet
Vëllezër
të dashur!
Islami
nuk e redukton rolin e njeriut në këtë botë, në ibadet dhe në përfitim
individual. Nuk guxojmë të harrojmë, se njeriu është përfaqësues i Allahut
(halif) në Tokë, dhe se deviza e Islamit është: mirë për këtë botë dhe mirë për
botën tjetër. “O Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër
dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.” Ky mësim kuranor, në mënyrë të qartë, i
hedh poshtë konceptet ekstreme dhe kontradiktore të atyre që duan plotësisht ta
refuzojnë këtë botë, por edhe të atyre materialistëve të cilët dinë vetëm për
këtë botë. Islami ofron një koncept gjithpërfshirës të jetës. Kurani shpesh
kërkon: “Besoni dhe bëni vepra të mira.” Angazhimi i thjesht me besim pa
aplikimin e parimeve dhe principeve të tij në jetën e përditshme, nuk ka
përfitim të madh. Gjithashtu, të bërit mirë pa besim në Zot, nuk sjell dobi në
jetën e përtejme, dhe nuk mund të na shpëtojë nga dënimi në botën tjetër.
Prandaj,
edhe veprat edhe aktivitetet tjera pozitive, mund të jenë ibadet, nëse
plotësohen disa kushte, si p.sh:
–
Nëse e ruajmë gjuhën tonë nga fjalët e pahijshme, nga gënjeshtra, nga shpifjet,
dhe nëse flasim vetëm të vërtetën, për shkak se këtë Allahu i Madhërishëm e
kërkon prej nesh, atëherë edhe heshtja jonë paraqet ibadet.
–
Nëse i ndjekim vazhdimisht ligjet e Allahut në punët tona tregtare dhe në
marrëdhëniet tona me prindërit, me fqinjët dhe me miqtë, ne me këtë bëjmë
ibadet.
–
Edhe punëtori, derisa me ndershmëri e bën punën e tij për ta ushqyer familjen e
tij, ai bën ibadet.
–
Edhe mjeku, i cili i trajton njerëzit me qëllim që t’u ndihmojë dhe t’ua
lehtësojë dhimbjet e tyre, me punën e tij ai bën ibadet.
–
Edhe studenti, i cili i studion shkencat e dobishme për të qenë i dobishëm për
vete dhe për komunitetin e tij, me studimin e tij bën ibadet.
–
Edhe gazetari, i cili shkruan me objektivitet dhe me shkrimet e tij e promovon
të vërtetën dhe drejtësinë, ai bën ibadet.
–
Edhe ata që u ndihmojnë të varfërve dhe nevojtarëve, jo për përfitime dhe
interesa personale, por pse me këtë e dëshirojnë kënaqësinë e Allahut, edhe ata
me këtë bëjnë ibadet.
Me
pak fjalë, të gjitha aktivitetet tona dhe krejt jeta jonë janë ibadet, nëse
janë në pajtim me ligjin e Zotit, nëse zemrat tona janë të mbushura me
devotshmëri, dhe nëse qëllimi ynë përfundimtar është arritja e kënaqësisë së
Allahut.
Në fund e lusim Allahun e
Lartësuar që të na mundësoje që tërë jetën tonë ta bëjmë ibadet!
O Allahu i Mëshirshëm!
Bëje që veprat tona më të mira të jenë veprat e fundit në këtë botë!
O
Zot, ndihmoju të rrezikuarve dhe të shtypurve që t’i realizojnë të drejtat e
tyre!
O
Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!
O
Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!
O
Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.
O
Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me
mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.