Jeumul-ashura: Ditë e agjërimit dhe duasë

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

“Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë,
sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej
tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm,
duke i shkelur këta muaj!…” [
SURJA ET-TEUBE, 36]

Muaji i parë i kalendarit hixhri është muaji Muharrem, muaji i cili ofron mundësi të shumta për besimtarët që të fisnikërohen, ta ngrenë besimin dhe moralin personal në derexhe (shkallë) më të larta dhe me këtë ta meritojnë mëshirën dhe faljen e Allahut të Madhëruar. Allahu e bëni këtë muaj jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të zgjedhur, ndërsa i shumëfishoi shpërblimet për ata që e kalojnë agjërueshëm. Në hadithet e të Dërguarit të Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem qëndron: “Agjërim më i mirë, pas agjërimit të muajit të Ramazanit, është agjërimi në muajin që e emërtoni Muharrem, ndërsa namaz më i mirë pas namazit farz, është namazi i natës.”

Dita e dhjetë të këtij muaji është shumë e lavdëruar, ajo quhet Jeumul-ashura, dhe na kujton suksesin, ndihmën dhe furnizimin e Allahut. Të flasësh për ditën e Ashures do të thotë të flasësh për një ditë të veçantë tek Allahu i Madhërishëm, i Cili, nga mëshira dhe dashuria e Tij e pakufishme për besimtarët, veçoi disa ditë të veçanta, në të cilat Ai është më afër robërve të Tij. Muhammedi salAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kushdo që e furnizon familjen e tij në ditën e Ashures, Allahu do ta furnizojë gjatë gjithë vitit”.

Agjërimi në ditën e ashures

Transmetohet nga Ibën Abbasi: “I Dërguari i Allahut e agjëronte ditët e ashures dhe i porosiste edhe të tjerët të agjërojnë.” Kur e pyetën për ditën e ashures, i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem, tha: “I fshinë mëkatet e vitit të kaluar.”

Urtësia e agjërimit në ditën e ashures është se atë ditë Allahu i Lartësuar e shpëtoi Musain alejhis-selam dhe popullin e tij nga padrejtësia e Faraonit. Muhammedi salAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Ky agjërim tregon se feja e të Dërguarve të Allahut është një, dhe se Islami është bekim për mbarë gjininë njerëzore.” Për t’u dalluar nga hebrenjtë, sunnet është ta agjëroni ditën e nëntë apo ditën e njëmbëdhjetë të muajit të Muharremit përveç ditës së Ashures.

Për vlerën dhe rëndësinë e ditës së ashures dëshmojnë fjalët e të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem: “Ekzistojnë pesë kohë kur Allahu nuk e refuzon duanë e besimtarëve, në mes tyre është edhe nata e jeumu-ashures.”

Le të mos e humbasim mundësinë për t’i pastruar shpirtrat
tanë, që me agjërim ta meritojnë faljen dhe dashurinë e Tij, për t’iu afruar Allahut
dhe për t’i treguar bindje Atij.

Bekimet e Tij qofshin mbi Muhamedin – krijesën e tij më të
mirë, Ademin, Nuhun, Ibrahimin, Musain, isaun, dhe të gjithë Pejgamberët e Tij.

Autore: Rabija Arifović
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress.ch]

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-