Njohësi i rrethanave politike dhe raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Edward P. Joseph, ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike dhe për kthimin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi nga policia e Serbisë.
Joseph thotë se Aleksander Vuçiq duke e poshtëruar në mënyrë të qëllimshme Besnik Bislimin, duke e kthyer vetëm një orë pa arritur në Beograd ka krijuar një skenar fitimtar për punën e targave
Profesori amerikan thotë se tashmë nëse Albin Kurti zmbrapset për çështjen e targave atëherë i bie që po i nënshtrohet poshtërimit të Beogradit, jo apelit të SHBA-së dhe vendeve të tjera të Quint.
Derisa thotë se nëse kryeministri i Kosovës nuk tërhiqet për punën e targave, atëherë Aleksander Vuçiq ka në dorë krizën dhe konfrontimin në veri të Republikës së Kosovës gjë që e dëshiron vetë dhe rusët.
“Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tërhiqet tani, ai po i nënshtrohet poshtërimit të Beogradit, jo apelit të SHBA-ve dhe vendeve të tjera të QUINT-it. Nëse Albin Kurti nuk tërhiqet, Aleksandër Vuçiq ka krizën dhe konfrontimin në veri që ai dhe rusët duan: sulme të hapura ndaj policisë së Kosovës, me trupat e NATO_KFOR të tërhequr në mes”, thotë Joseph.
Joseph thotë se me këtë situatë të krijuar Kosova bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngecur.
“Presioni për Albin Kurtin për targat nënkupton shpërblim për arrogancën e Vuçiqit”, ka shkruar Jospeh në Twitter, transmeton Express.
Joseph thotë se ndërkombëtarët duhet të injorojnë deklaratën e fundit të Vucic ku flet për “de-eskalim” të situatës meqë e konsideron si një “marifet të Vuçiqit që Washingttoni duhet ta injorojë”.
Profesori amerikan thotë se është Beogradi që po përshkallëzon situatën duke mos lejuar vizitën e zv.kryeministrit Besnik Bislimi, meqë Kosova ka lejuar vizitën e Bërnabiq në veri të Republikës së Kosovës.
Joseph në reagimin e tij ka dhënë edhe një udhëzim për të dalë nga kjo krizë. Sipas tij, Washingtoni dhe BE-ja duhet të dërgojnë një kërkesë për Albin Kurtin dhe një kërkesë të mundshme për Aleksander Vucicin për të trajtuar çështjen e sundimit të ligjit në veri të Kosovës
“Sugjerimi im. Kërkoni Aleksander Vuçiqit që të shpall publikisht një hetim të posaçëm për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në vitin 2018. Kjo çështje ka të bëjë me një serb të Kosovës dhe drejtësia për Ivanoviqin është një goditje për lidershipin kriminal në veri”, ka shkruar Jospeh.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.