Ngjarja:
Sipas transmetimit të Enes Ibn Malikut (r.a.), Rasulullahu (a.s.), kaloi pranë një gruaje e cila po qante duke bërtitur në krye të një varri dhe i tha:
“Ki respekt ndaj Allahut dhe bëj durim!”
Gruaja u përgjigj:
“Më lër rehat! Halli që më ka rënë mua, s’të ka rënë ty!
Gruaja nuk e kishte njohur Profetin (a.s.). Mirëpo më pas, kur i thanë se ai që e këshilloi të ketë respekt dhe durim, ishte vetë Profeti (a.s.), ajo nxitoi për tek shtëpia e Rasulullahut (a.s.), hyri brenda dhe tha duke kërkuar falje:
“Unë nuk ju njoha.”
Ndërsa Profeti (a.s.), tha:
“Durimi i vërtetë, është të durosh në momentin e parë të fatkeqësisë.”[1]
Respekti dhe durimi
Në këtë hadith fisnik, nuk është përmendur emri i gruas në fjalë. Gjithashtu, nga sa kuptohet prej transmetimeve, kjo grua qante se kishte humbur fëmijën e saj. Madje, qante me të madhe. Kjo kuptohet nga fakti se Profeti (a.s.), e ftoi atë të tregonte respekt ndaj Allahut dhe të bënte durim. Po ashtu, këtu kuptohet se edhe gratë mund të vizitojnë varrezat, sepse Profeti ynë (a.s.), nuk e paralajmëroi atë për faktin se kishte ardhur në varreza, por sepse po qante me të madhe.
Siç dihet, Profeti ynë (a.s.), interesohej për njerëzit përreth dhe aty ku ndihej nevoja, kryente detyrën e tij të “urdhërimit për të mirë dhe të ndalimit nga e keqja”, në mënyrën më delikate dhe pa i thyer zemrën askujt. Pra, edhe në këtë hadith fisnik, Profeti (a.s.), ka urdhëruar për të mirë, duke i thënë: “ki respekt ndaj Allahut dhe bëj durim!”. Edhe pse në mënyrë indirekte kjo nënkuptohet si “mos qaj duke bërtitur!”, ai nuk i tha kështu. Ky paralajmërim është një shembull i zbatimit të metodës dhe delikatesës së udhëzimit dhe urdhërimit për të mirë edhe kur tërhiqet vërejtja.
Gruaja e shkretë, në atë gjendje të përhumbur, pa bërë kujdes se kush e këshillonte të kishte respekt dhe durim, reagoi mjaft ashpër, duke thënë: “Më lër rehat! Halli që më ka rënë mua, s’të ka rënë ty!”. Përndryshe, kushdo qoftë, burrë apo grua, asnjë prej sahabëve nuk do të thoshte kurrë “më lër rehat”, po ta kishte njohur Profetin (a.s.).
Meqë ra fjala, është me dobi të themi diçka edhe për një çështje aktuale. Ka disa njerëz, që përballë disa haditheve të Profetit (a.s.), thonë: “Nuk më duket si thënie e profetit. Por edhe nëse e ka thënë, unë s’mund ta pranoj këtë!”, gjë që nuk është aspak e hijshme. Kjo bie në kundërshtim me të vërtetën e besimit, mënyrën e të kuptuarit të Profetit (a.s.) dhe respektit ndaj tij. Për rrjedhojë, atyre që kanë rënë në një injorancë të tillë ose kanë zgjedhur këtë mënyrë kuptimi, është e domosdoshme që t’u bëhet thirrje dhe paralajmërim, duke i këshilluar për respekt dhe durim.
Për shkak të gjendjes së përhumbur të gruas që reagoi ashpër, Rasulullahu (a.s.), nuk e zgjati shumë dhe vazhdoi rrugën. Nëse ai do ta kishte përsëritur këshillën e tij, gruaja mund të fliste fjalë më të rënda dhe më të ashpra. Dhe kjo mund ta shpinte atë grua në një gjendje më të keqe dhe më të rrezikshme nga gjendja që ndodhej. Thelbi i këshillës dhe urdhërimit për të mirë, është se nuk duhet që personi i cili këshillohet, të detyrohet me zor ta pranojë këshillën apo paralajmërimin. Kjo, sepse realizimi i detyrës së këshillimit për të mirë, nuk e ka si kusht pranimin e këshillës nga personi. Është e mjaftueshme të bëhet e ditur e vërteta.
Kjo është edhe metoda që duhet ndjekur sot. Pra, kur këshillohet e urdhërohet për të mirë dhe merren përgjigje si; “më lër rehat, shiko punën tënde, ç’të duhet ty etj.”, nuk duhet të hyjmë në debat apo në grindje me njerëzit. Neve na mjafton të themi të vërtetën dhe të këshillojmë të drejtën.
Një (apo disa) prej sahabëve, të cilët nuk përmenden me emër, mendoi se gruaja e bëri këtë veprim për shkak se nuk e njohu Profetin (a.s.). Për këtë arsye, ai ia bëri të ditur duke i thënë:
“Ai që të këshilloi të tregosh respekt dhe durim, është Profeti (a.s.).” Pas kësaj, gruaja u mërzit jashtë mase dhe duke harruar edhe dhimbjen që kishte për fëmijën e vet, mori rrugën për tek Profeti (a.s.), që t’i kërkonte falje. Ky është rezultati i natyrshëm i një myslimani që e ka të drejtë botëkuptimin e tij për Profetin (a.s.) dhe respektin ndaj tij.
Sipas transmetimeve, gruaja e shkretë mendoi se tek dera e Profetit (a.s.), do të kishte roje dhe ajo nuk do të kishte mundësi ta takonte atë. Mirëpo, nuk ndodhi ashtu. Ajo shkoi dhe u takua direkt me Profetin (a.s.).
Sipas transmetimit, thuhet se gruaja u betua se “Unë nuk të njoha!” dhe i kërkoi të falur. Mirëpo, Profeti ynë (a.s.), si një edukues i pashoq, e kuptoi se gruaja nuk kishte shumë njohuri në lidhje me durimin. Për rrjedhojë, ai ia shpjegoi menjëherë aty se çfarë është durimi i vërtetë, duke ia bërë të ditur edhe të gjithë umetit të tij. “Durim i vërtetë, është të durosh në momentin e parë të fatkeqësisë.” Madje, ai nuk u ndal fare tek fjalët që i tha gruaja: “Më lër rehat! Halli që më ka rënë mua, s’të ka rënë ty! E rëndësishme ishte që gabimi të pranohej dhe myslimanët të mësonin të vërtetën e durimit.
Dihet se njeriu mësohet dhe duron gjithçka me kalimin e kohës. Por është shumë e vështirë të jesh i durueshëm në momentet e para kur përballesh me fatkeqësitë dhe belatë. Pasi të kesh duruar goditjen e fatkeqësisë në momentin e parë, më pas ndikimi i saj do të pakësohet dalëngadalë. Mirëpo, të jesh i zbrazët nga besimi në ato momente, Zoti na ruajttë, mund të bëhet shkak i përfundimeve të padëshirueshme e të hidhura, që tek humbja e mendjes, e deri tek vetëvrasja. Për këtë arsye, është e domosdoshme që në momentet e para të fatkeqësisë, të tregohemi të fortë, të respektueshëm dhe të durueshëm.
Siç kuptohet edhe nga kjo ngjarje, momentet e hidhërimit, janë momente të rrezikshme, të cilat mund të bëjnë të harrosh respektin ndaj Allahut dhe të bësh veprime të tepruara. Dhe përjetimi i momenteve të tilla është një realitet i jetës së kësaj bote për të gjithë. Momentet e hidhërimit dhe gëzimit, janë çaste kur vullneti dhe qëndresa e njeriut janë të dobëta. Një fjalë apo një fjali që mund të dalë nga goja e njeriut në momente të tilla, mund ta turpërojnë njeriun dhe mund ta nxjerrin edhe myslimanin nga besimi i tij. Për këtë arsye, rreziku është shumë i madh.
Respekti ndaj Allahut dhe durimi duhen më tepër përballë ndodhisë së vdekjes. Pjekuria e besimit të myslimanit matet pak edhe me anë të durimit që tregon gjatë ndodhive të vdekjes. Në fakt, vaji dhe kuja që përdorin populli dhe në mënyrë të veçantë gratë, nuk janë virtyte ashtu siç pandehet. Virtyti i vërtetë është ta kalosh atë moment të hidhur duke e pranuar caktimin e Allahut. Rreziku që e pret njeriun në momente të tilla, është përdorimi i fjalëve që nënkuptojnë refuzimin e Profetit (a.s.), e madje edhe të Allahut të Madhëruar. Për shkak se durimi i njeriut është i dobët në çastet e hidhërimit, është shumë e vështirë që ai t’i kontrollojë fjalët që nxjerr prej goje. Allahu i Madhëruar, urdhëron: “…Përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (Bekare, 155-156)
Në këtë ndodhi tregohet se jo gjithmonë këshilla dhe paralajmërimet marrin gjithmonë falënderime. Atëherë, neve na duhet të jemi të përgatitur ndaj reagimeve të papritura që mund të bëhen ndaj këshillave që bëjmë. Madje, kjo duhet vlerësuar si një detyrë që kërkon “respekt dhe durim”.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.