Kohezion dhe inkoherencë

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Qysh në krye të herës qenies njerëzore, që të jetojë si e tillë, i është dashur të jetë në udhën e përpjekjeve që veprimi i jashtëm të jetë në kohezion me brendësinë. Kjo kërkesë thelbësore shtrohet si conditio sine qua non, prej parimeve të epërme. Të jetuarit si qenie njerëzore nuk mund të jetë aq i thjeshtë sa edhe mund të duket. Kush nuk ka përjetuar sforco të mëdha në ruajtjen e kohezionit, e ka të vështirë të përthithë kuptimësinë e kërkesës për kohezion.

Kërkesa për kohezion nuk vjen në kundërshtim me natyrshmërinë njerëzore. Nuk mund të jetë antipod i saj, në të kundërt do të ishte dërrmuese. Kërkesa për kohezion vjen si mundësi e qashtër për të shkuar gjithmonë e në vazhdim drejt përnjështimit tëmodus vivendi me vetë parimet. Përnjështimi do të ishte çasti më i ëmbël për qenien njerëzore. Në të njëjtën kohë do të ishte çasti fatal për inkoherencën.

Qenia njerëzore vërtitet mes kohezionit dhe inkoherencës ndaj parimeve të epërme. Të marrësh një vendim, të bësh një zgjedhje mes kësaj vërtitje dypolëshe është shumë shtypëse. Shtypja që i bën njeriu vetes në këtë rast vjen sa nga vetja, po aq edhe nga forca përjashtuese e shoqërisë ndaj modus vivendi,  që nuk i qëndron mirë modelit sundues në shoqëri.

Shtypja e vetes nga vetja, është shpërfaqje e dobësisë së brendshme për ta manifestuar në sferën publike raportin që ke zgjedhur të ndërtosh me parimet e epërme. Frika e shënjestrimit, shikimit shtrembër, mospërfilljes dhe përjashtimit nga rrethet shoqërore ku individi është i përfshirë e detyron të shkojë drejt fshehjes së plotë apo të pjesshme të zgjedhjes që ka bërë.

Fshehja e plotë është sfilitëse. Individi shkon drejt një modus vivendi të dyfishtë. Një në fshehtësi për veten dhe një në publik për rrethin shoqëror ku jeton. Ai që rravgon në këtë stil veprimi, kërkon përshtatshmëri shoqërore të vetë parimeve të epërmve me atë çfarë parimet e epërme kërkojnë ta sjellin në natyralitet. Në këtë çast ndodh ardhja në skenë dhe bërja bosht qëndror e inkoherencës. Individi riformulon kuptimësitë e parimeve në kohezion me kërkesat e rrethit shoqëror. Riformulimi i kuptimësive duke iu larguar thelbit të tyre rrjedhon me shkulme të fuqishme mbi vetë individin. Vazhdimisht kryen operacione ripërcaktuese të riformulimeve për të legjitimuar inkoherencën. Vorbulla e riformulimeve dhe ripërcaktimeve bëhet e pandalshme. Kjo rrjedhon me dekonstruksion të vazhdueshëm të botës së brendshme të qenies njerëzore. Akti final i këtij teatri rezulton me shformimin e fytyrës së hershme të individit. Tashmë i duhet të përdorë si mbulojë dizenjo maskash që mbajnë vulën e shkërmoqjes së fytyrshmërisë. Pritet vetëm ulja e fundit e perdes dhe largimi i publikut.

Fshehja e pjesshme ndoshta nuk e sjell individin buzë humnerës përdhunshëm, por e sjell ngadalë dhe mund të rrokulliset krejt pahetueshëm. Inkoherenca në fshehjen e pjesshme është shpërfaqje e dyzimit të individit mes guximit dhe frikës për t’u shfaqur në publik. Me ç’duket guximi shkon drejt zbutjes nga frika e të marrurit mbi vete të një barre që përshtatshmëria i kërkon ta braktisë. As nuk e hedh dot, as nuk e braktis dot tërësisht. Për rrjedhojë nuk e ka të vështirë të bëhet pjesë e teatrove ku i duhet të marrë përsipër rolin e shpërfillësit ndaj parimeve të epërme. Ky individ mbetet peng i afrimitetit të vakët ndaj parimeve. E gjen të përkulshëm, të lakueshëm kurdo kur e sheh situatën të arsyeshme ose përfituese në favor të interesit personal. Nuk e gjen të gatshëm për të qenë qëndrestar. Nuk e ka për gjë të përzihet me turmën dhe të hedhë edhe gurin ndaj atyre që jetësimin e parimeve të epërme e kanë vetë jetën.

Inkoherenca me parimet e epërme është sfidë për këdo, jo thjesht dhe vetëm për atë që është përnjështuar me të dhe heziton apo refuzon ta braktisë folenë që ka ndërtuar mbi themele të luhatshme dhe të paqëndrueshme. Inkoherenca është sfidë edhe për atë individ që kohezionin me parimet e epërme e ka qëllimin përfundimtar dhe përmbyllës.

Pse është një sfidë? Edhe individi që përpiqet të ngërthejë në kohezion modus vivendi me parimet e epërme në raste të caktuara ka inkoherencë, por kjo është momentale. Pjesa më e rëndësishme është se ky individ rigjeneron vazhdimisht kohezionin i bindur se inkoherenca momentale është thjesht një thyerje, që nuk duhet lejuar të zhytet nën shtypjen e inkoherencës së vazhdueshme.

Kohezioni e sjell individin në gjendjen e transhendimit nga pesha e vetvetes dhe e shtypjes së rrethit shoqëror ku jeton. Çlirimi nga frika e panevojshme dhe kompleksive është një realitet që përjeton ky individ. Qëndrestaria është tipike, përtej luhatshmërive që mund të shfaqen aty – këtu. Kohezioni nuk kërkon prej tij antagonizëm të panevojshëm dhe sipërfaqësor me rrethin shoqëror ku gjendet. Ky individ jeton dhe vepron midis njerëzve dhe jo i arratisur prej tyre. Jetesa në kohezion me parimet e epërme kërkon ndryshimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të vetvetes dhe nga këtu shpërhapje valësh bashkëqëndrore.

Ka gjithmonë pak inkoherencë në çdo kohezion, por nuk duhet lejuar kurrsesi të ketë kohezion në inkoherencë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-