Konjufca: Ne duam paqe, por Serbia është kërcënim i sigurisë në rajon

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia po e kërcënon dhe minon stabilitetin në rajon.

Ai ka theksuar se koncentrimi i forcave ushtarake serbe dhe grumbullimi i tyre përgjatë kufirit me Kosovën nuk është mesazh i një shteti që dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore, andaj kërkoi reagimin nga Bashkimi Evropian për të dënuar këtë veprim.

“Republika e Kosovës në politikat e saj strategjike të orientimit rreshtohet fuqishëm me ato të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s për paqe dhe stabilitet… Ne duam paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, por jemi plotësisht të vetëdijshëm se paqen dhe stabilitetin po e kërcënon dhe minon Serbia. Ta zëmë, koncentrimi i këtyre ditëve të fundit i forcave ushtarake të Serbisë dhe grumbullimi i tyre përgjatë kufirit me Kosovën nuk është mesazh dhe porosi i një shteti që dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën. Prandaj si veprim i tillë duhet të dënohet prej të gjithëve, duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian”, tha ai.

Këto deklarata, Konjufca i bëri të enjten në takimin e nëntë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-