Koprracë sa janë gjallë, por kur vdesin tregohemi bujarë!

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Dhimbja më e madhe e kësaj bote është dhimbja e humbjes së atyre që i duam. Nuk mund t’i kthejmë më, e as nuk mund t’u themi atë që zemrat tona bartnin për ta.

Është interesante se vetëm pas vdekjes së dikujt derdhen ndjenjat dhe shpenzohet pasuria për ta përkujtuar, ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e asaj që jepet, sikur t’u ishte dhuruar sa ishin gjallë, do të kishte pasur vlerë dhe dobi shumë më të madhe.

Sa herë ndodh që zemra të copëtohet vetëm mbi varrin e nënës dhe të shprehë ndjenjat më të bukura që i kishte ruajtur me vite? Sa herë lotët rrjedhin vetëm atëherë kur nuk ekziston më ai prehër i sigurt dhe i butë, mbi të cilin mund të mbështetej fytyra? E sikur, sa ishte ende gjallë, të ishte ulur pranë saj, t’ia kishte marrë dorën dhe t’i kishte thënë: “Nënë, ti je mbështetja ime më e madhe në këtë botë”, kjo do të kishte qenë shumë më e vlefshme se sa lotët dhe malli që tash nuk do të arrijnë më te varri i saj.

Ne shpesh mendojmë se dashuria nënkuptohet. Se prindërit e dinë. Se bashkëshorti ose bashkëshortja e di. Se miku e di. Se vëllai në fe e di. Prandaj heshtim. E shtyjmë për më vonë. Ia lëmë “një rasti tjetër”, sikur të kishim garanci se ai rast do të vinte patjetër.

Pastaj vjen xhenazja; atëherë, si një vërshim, shpërthejnë fjalët e lavdërimit, kujtimet, dashuria dhe respekti. Flasim për fisnikërinë e të ndjerit, për mirësinë e tij, për virtytet e tij. Shkruhen statuset, mbahen fjalime, derdhen lot. Por i ndjeri nuk ka asnjë dobi nga të gjitha këto, përveç asaj dashurie dhe mirësie që e ka ndier prej nesh sa ishte gjallë.

Nganjëherë kanë mjaftuar vetëm disa fjalë. Sikur burri t’i kishte thënë gruas së tij sa ishte gjallë, ose gruaja burrit të saj sa ishte gjallë, qoftë edhe një të katërtën e asaj që flasin për njëri-tjetrin në ditët e zisë, mes bashkëshortëve në këtë botë nuk do të mbetej as dhimbje, as pikëllim.

Njëherë, një burrë po ecte rrugës duke qarë për vdekjen e motrës së tij. Thuhej se rrallëherë e kishte vizituar, madje edhe kur ajo ishte e sëmurë rëndë. Duke e parë tek qante me dënesë, një plakë i tha fjalë që e çajnë zemrën: “Shko, o bir, dhe ruaji lotët e tu! Sa isha gjallë, nuk pata dobi prej teje; ndërsa tani që kam vdekur, nuk mund të të dëgjoj.”

Ky është thelbi i shumë pendimeve tona. Prandaj, mos i shtypni dhe mos i shtyni ndjenjat tuaja. Mos u bëni koprracë në fjalët e bukura dhe në mirësi ndaj atyre që i doni, e as mos i lini për më vonë. Mos i mbyllni emocionet brenda vetes. Sepse dhimbja e humbjes së një njeriu të dashur e thyen zemrën, por edhe më e rëndë është dhimbja e ndjenjave që mbushin zemrën, ndërsa njeriu nuk ka më kujt t’ia shprehë, sepse ai ose ajo që e donte tashmë është larguar.

Në disa transmetime përmendet se Abdul-Muttalibi, gjyshi i Muhamedit (savs), gjatë sëmundjes së tij të fundit i mblodhi fëmijët e vet dhe u tha: “M’i thoni tani ato fjalë me të cilat do të më lavdëroni pas vdekjes sime.” Ata filluan ta lavdëronin me fjalë që më vonë librat e historisë i ruajtën si shembuj të elokuencës dhe të shprehjeve më të bukura.

Ai nuk e kërkoi këtë nga mendjemadhësia, por nga një nevojë e thellë njerëzore: që njeriu ta dëgjojë se ka vlerë, sa është ende gjallë. Sepse njeriu është krijuar me nevojën ta ndiejë vlerën e vet. E çfarë vlere është ajo, nëse nuk e gëzojmë dhe nuk ia mbushim zemrën me fjalë dashurie dhe mirënjohjeje, sa është ende gjallë?!

Islami na mëson se fjala e bukur është sadaka; jo fjala që thuhet pranë varrit, por fjala që thuhet atëherë kur zemra ende mund ta dëgjojë dhe ta ndiejë.

Prandaj, mos u bëni prej atyre që tregohen koprracë në fjalët e bukura dhe në mirësi ndaj të dashurve, ndërsa shpërdorojnë lotët pas vdekjes së tyre. Dhe mos prisni ndonjë rast të veçantë. Sepse rasti më i veçantë është pikërisht fakti se ata që i doni janë ende gjallë.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-