Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje të re për lehtësimin e punësimit

Opoja.net Opoja.net Kosova

Kosova dhe Shqipëria kanë finalizuar një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e tregut të punës, e cila synon lehtësimin e lëvizjes së punëtorëve dhe rritjen e mundësive të punësimit ndërmjet dy vendeve.

Sipas marrëveshjes, qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë do të mund të punojnë në shtetin tjetër pa pasur nevojë për leje pune, duke ndjekur procedurat e përcaktuara përmes agjencive përkatëse të punësimit.

Po ashtu, parashihet që punëtorët të trajtohen në mënyrë të barabartë me punëtorët vendas sa i përket të drejtave dhe mbrojtjes në punë. Marrëveshja përfshin edhe zhvillimin e programeve të përbashkëta për aftësim profesional, si dhe njohjen e certifikatave dhe kualifikimeve profesionale.

Ndër pikat kryesore është edhe bashkëpunimi për njohjen e kontributeve pensionale dhe sigurimeve shoqërore, në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, si dhe forcimi i koordinimit ndërinstitucional në shërbimet e punësimit.

Zbatimi i marrëveshjes do të bëhet nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive e Shqipërisë (AKPA).

Marrëveshja është nënshkruar për një periudhë katërvjeçare dhe ka hyrë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit më 3 korrik 2026.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-