Përfaqësuesja e Kosovës në futboll për femra është vetëm një hap larg një arritjeje historike. “Dardanet” do të zbresin sonte në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku do të përballen me Kroacinë në një ndeshje vendimtare për objektivat e tyre në garat ndërkombëtare.
Vajzat e Kosovës kanë zhvilluar një fushatë mbresëlënëse deri më tani, duke regjistruar katër fitore në po aq ndeshje. Fillimisht triumfuan bindshëm ndaj Gjibraltarit me rezultat 6:0, ndërsa më pas mposhtën Kroacinë me rezultat minimal 1:0. Forma e mirë vazhdoi edhe ndaj Bullgarisë, ku Kosova arriti dy fitore të rëndësishme, si në Sofje ashtu edhe në Prishtinë.
Një tjetër sukses sonte ndaj Kroacisë do t’i siguronte Kosovës vendin e parë në grup, promovimin në Ligën B dhe njëkohësisht kualifikimin në fazën “play-off” për Kampionatin Botëror, duke e afruar edhe më shumë ëndrrën e pjesëmarrjes në një ngjarje madhore ndërkombëtare.
Takimi nis në orën 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa përfaqësuesja kosovare do ta mbyllë ciklin e ndeshjeve të martën me përballjen ndaj Gjibraltarit.
Të mbështetura nga publiku vendas, “Dardanet” synojnë të shkruajnë histori dhe të vazhdojnë rrugëtimin e tyre të suksesshëm drejt skenës më të madhe të futbollit botëror.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

