Xhudistët janë ata të cilët i sollën Kosovës medalje të shumta nga arena ndërkombëtare edhe pse të njëjtit u përballën me vështirësi dhe probleme të shumta për shkak të pandemisë COVID-19.
Sportistet si Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Laura Fazliu, në krye me trajnerin Driton Kuka i sollën Kosovës trofe shumë të rëndësishëm, medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta.
Trajneri i xhudos, Driton Kuka ka deklaruar për KP, se pandemia COVID-19, ka prekur direkt edhe ekipin e xhudos duke vështirësuar shumë punën e tyre, por që sakrifica e madhe që ata kanë bërë, në fund është shpërblyer me trofe të rëndësishëm.
“Edhe ne në sport kemi pasur sfida të jashtëzakonshme këtë vit. Jemi munduar ta menaxhojmë në atë kohën kur jemi mbyllur të gjithë që në një formë ta kemi një kontinuitet për arsye se nuk dihej a do të mbaheshin Lojërat Olimpike. Mirëpo, në fund u vendos të shtyhen Lojërat Olimpike edhe mandej ne pak e ndryshuam strategjinë, tre muaj kemi qenë të karantinuar, kemi vazhduar stërvitjet, mandej kemi ndryshuar modalitetin deri kur kanë filluar garat në shtator. […] Ajo çfarë na solli telashe ishte virusi kur ka hyrë në një pjesë të ekipit, kemi pasur përgjysmim. 1/3 e ekipit ka shkuar në gara, ndërsa të tjerët kanë qenë, po flas për Kampionatin Evropian, garën më të rëndësishme, të tjerët është dashur të izolohen. Prapë kemi arritur që prej tre garuesve të kthehemi me dy medalje. Janë medaljet e vetme elitare për sportin e Kosovës, jo vetëm për xhudon por për të gjitha sportet. Kjo më bën të ndihem mirë për arsye se gjithë ajo sakrifica e garuesve gjatë pandemisë në një farë forme është shpaguar”, tha Kuka.
Kuka ka thënë se mbështetja nga ana e shtetit ishte në nivelin e duhur gjatë kohës së pandemisë dhe derisa ata ishin duke marrë pjesë në garat evropiane. Madje, bën thirrje që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tutje.
“Kemi pasur bashkëpunim të mirë edhe me ministrinë, edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës me të cilët kemi bashkë ndjerë këto problemet e sportit, problemet e garuesve, klubeve dhe faktikisht shteti ka qenë në nivel të duhur sa i përket përkrahjes për sportin. Po besoj që kjo të vazhdoj edhe më tutje sepse po hyjmë në vitin tashmë olimpik ku do të kemi shumë gara, shumë punë, shumë sakrifica, shumë sfida, por besoj se kjo të kurorëzohet me medalje në lojërat olimpike”, tha Kuka.
Sa i përket vitit 2021, Kuka ka thënë se synimi i ekipit të xhudos për vitin e ardhshëm janë që të kthehen me medalje nga të tri kompeticionet që pritet të marrin pjesë si Kampionati Evropian, Kampionati Botëror i xhudos, si dhe Lojërat Olimpike.
“Na presin shumë gara, do të thotë Kampionati Evropian, në vitin e ardhshëm do të mbahet edhe Kampionati Botëror në xhudo, por gjithsesi caku janë Lojërat Olimpike. Po besoj që nga këto tri gara të mëdha të kthehemi me medalje. Kjo është ajo çfarë ne synojmë, por besoj që ekipi është duke punuar mirë. Deri më tani pothuajse në çdo garë ku kemi shkuar jemi kthyer me medalje dhe besoj që ky trend të vazhdoj tutje. Nuk ka ndodhur pothuajse në këto katër, pesë vite të mos kthehemi pa medalje nga asnjë garë”, theksoi Kuka.
Se pandemia COVID-19, i vendosi para vështirësive të mëdha, e pranojnë edhe vet xhudistet si Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Laura Fazliu. Gjithsesi ato theksojnë se kjo nuk do t’i zmbraps.
Synimet e tyre janë për të korrur suksese të reja në këtë sport edhe gjatë vitit 2021.
“Sivjet ka qenë mjaftë vështirë se puna që ka qenë pandemia e krejt. Njëherë jemi mbyllur gati tre muaj, kemi ushtruar…..Më në fund në nëntor kanë filluar garat edhe ka qenë momente të bukura që me e ndi këtë ndjenjën e garave e edhe më mirë ka qenë që kemi marrë medalje. Synimi kryesor është Olimpiada për vitin tjetër, shpresoj që edhe atje kam me qenë në formën e duhur për të marrë medalje”, tha Kuka.
Xhudistja tjetër, Laura Fazliu përkundër vështirësive që i ka hasur, e cilëson si të suksesshëm vitin 2020. Kurse, për vitin 2021 synon t’i bashkohet ekipit olimpik.
“Po normal viti ka qenë i vështirë për shkak të pandemisë, por ne kemi ushtruar vazhdimisht, nuk jemi ndalur asnjëherë. Kam arritur t’i fitoj dy medalje në kampionatet e Evropës u-20 dhe u-23….Viti ka qenë i vështirë, por në përgjithësi ka shkuar gjithçka mirë…..Për vitin 2021 shpresoj që pse jo edhe unë ta ndjek normën olimpike, t’i bashkëngjitëm edhe unë ekipit olimpik”, theksoi Fazliu.
Kurse, xhudistja që e mbylli vitin 2020 e para në ranglistën botërore, Distria Krasniqi, ka thënë se gjatë vitit që lamë pas nga tri gara të zhvilluara është kthyer me medalje. Një synim të tillë, ajo bashkë më të gjithë ekipin e ka edhe për vitin 2021 kur do të zhvillohen Lojërat Olimpike.
Ajo thotë se synimi i saj në çdo garë është ngritja e flamurit të shtetit të Kosovës, e sidomos në ato shtete të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Ka pasur shumë vështirësi ky vit, por pavarësisht vështirësive, kam arritur të përfundoj vitin si e para ne ranglistën botërore kështu që e cilësoj si një vit shumë të suksesshëm ku edhe kam marrë pjesë në tri gara dhe në të tri garat jam kthyer me medalje kështu që për mua ka qenë një vit shumë i mirë. Do përgatitem shumë për Lojërat Olimpike që do të mbahen vitin e ardhshëm edhe shpresoj që unë edhe ekipi i Kosovës të gjithë që do të shkojmë dhe do të marrin pjesë ne Olimpiadë të ketë përformancë sa më të mirë edhe pse jo të kthehen me medalje. […] Sa herë që shkojmë në gara unë e kam mendjen që t’i bëj krenar sa më shumë vendin tim edhe të ngritë flamurin në të gjitha shtetet sidomos shtetet që nuk na kanë pranuar Kosovën si shtet”, tha Krasniqi.
Përndryshe, së fundmi, ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi u ka ndarë shpërblime shtetërore ekipit të xhudos për sukseset e arritura gjatë vitit 2020.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.