Në prag të dërgimit të pejgamberit të fundit Muhamedit (savs), bota ishte zhytur në një errësirëtë thellë. Rrëmuja mbretëronte në të gjitha sferat e jetës, dhe atë, jo vetëm në Gadishullin Arabik, por në të gjithë botën. Feja e drejtë dhe e vërtetë me të cilën kishin ardhur pejgamberët e mëparshëm pothuajse ishte zhdukur. Adhuroheshin statuja dhe idhuj të ndryshëm, besohej shumë në herezi dhe besëtytni. Jeta, nderi dhe prona e askujt nuk ishin të sigurta dhe të mbrojtura. Më i forti e shtypte më të dobëtin, kurse i pasuri e shfrytëzonte të varfrin.
Ishte një kohë kur e gjithë bota po përballej me krizë të moralit dhe të vlerave morale. Vlera që ishte në atë kohë më e rrezikuar, ishte vlera e mëshirës, e cila gati ishte zhdukur. Kjo vërtetohet nga shumë shembuj të mizorisë dhe pamëshirës së asaj epoke. Është e njohur se arabët i varrosnin fëmijët femra – vajzat e gjalla dhe i vrisnin pa asnjë mëshirë. Ata këtë e bënin për shkak të frikës nga turpi dhe varfëria. E vrisnin njëri-tjetrin edhe për shkakun më të vogël. Në mënyrë të paligjshme ua merrnin pasurinë e jetimëve. Kanë qenë shumë të përhapura imoraliteti, shthurja dhe kamata. Këto rrethana dhe situata në të cilat jetuan arabët, më së miri na i përshkruan Xhafer b. Ebi Talibi (r.a.), në bisedë me sundimtarin e Abisinisë, Nexhashiun, i cili, veç të tjerash, tha:
“O sundues, ne ishim njerëz që jetonim në paganizëm, adhuronim statuja, hanim cofëtina, kryenim vepra të pahijshme, i ndërprisnim lidhjet me të afërmit, e linim pas dore fqinjët, kurse më të fortët midis nesh i shtypnin ata që ishin të dobët. Ne ishim në këtë gjendje, derisa Allahu na dërgoi një pejgamber, njërin prej nesh, të cilit ne ia njihnim origjinën, sinqeritetin, besnikërinë dhe dëlirësinë. Ai na thirri tek Allahu, që të besojmë vetëm në Të, që ta adhurojmë vetëm Atë, dhe të heqim dorë nga të gjithë idhujt, të cilët më parë i adhuronim edhe ne edhe paraardhësit tanë. Ai na urdhëroi që ta flasim të vërtetën, që ta përmbushim emanetin, që t’i ruajmë lidhjet farefisnore, që të sillemi mirë me fqinjët tanë, që të largohemi nga ajo që është e ndaluar, nga gjaku i njerëzve të tjerë, nga imoraliteti, nga dëshmia e rreme, nga rrëmbimi i pronave të jetimëve dhe nga shpifja e grave të ndershme për imoralitet. Ndërkaq, ai na urdhëroi që ta adhurojmë Allahun, të mos ia atribuojmë Atij askënd për shokë, që ta falim namazin dhe ta japim zekatin…” (Ahmedi dhe Ibn Huzejme, sahih)
Gjithashtu, edhe në vendet përreth, në kulturën e fuqishme bizantine, e cila bazohej në fuqi dhe forcë, nuk kishte vend për ‘kulturën e mëshirës’. Persia vuante nga shtypja e klasave, e cila i shtrydhte të dobëtit dhe të varfrit. Në Indi, gruaja digjej e gjallë me burrin e saj pas vdekjes së tij. Luftëra të zgjatura, të përgjakshme dhe rraskapitëse u zhvilloheshin midis fiseve dhe popujve, pa asnjë mëshirë.
Në rrethana të tilla, kur mëshira ishte shumë e nevojshme, Allahu i Plotfuqishëm e dërgoi të dashurin e Tij dhe pejgamberin e fundit për racën njerëzore – Muhamedin (savs), për ta përhapur ‘kulturën e mëshirës’ në të gjithë botën dhe tek të gjithë njerëzit, për t’i vendosur themelet e sjelljes ndaj të tjerëve dhe ndaj botës përreth vetes, në të cilën do të dominojë mëshira dhe drejtësia e përcaktuar me mëshirë, dhe në të cilën, edhe luftërat do të jenë të përshkuara nga mëshira.
Kjo kulturë, kultura e mëshirës, erdhi në shprehje në jetën e Pejgamberit (savs), si teorikisht ashtu edhe praktikisht. Ai e inkurajoi mëshirën, butësinë dhe dhembshurinë. I kritikoi ata që ishin të pamëshirshëm dhe të vrazhdë, dhe ju shpjegoi njerëzve gjerësinë e asaj mëshire, e cila i përfshin të gjithë, edhe miqtë edhe armiqtë, edhe njerëzit dhe kafshët…
Në këtë mënyrë, misioni i Muhamedit (savs), ishte fillimi i përhapjes së një kulture të re për njerëzimin – kultura e mëshirës, andaj, për këtë arsye ai edhe u quajt Pejgamberi i mëshirës. Këtë e konfirmon ajeti i mirënjohur i Kuranit, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Na të kemi dërguar ty (o Muhamed!) vetëm si mëshirë për botët – njerëzit.” (el-Enbija, 107)
Prandaj, manifestimi më i madh i mëshirës, të cilën na e solli Pejgamberi (savs), pasqyrohet në atë, se njerëzimin – me lejen e Allahut – e ka nxjerrë nga errësirat e paditurisë dhe mashtrimit në rrugën e drejtë.
Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu i dhuroi besimtarët me mëshirë të madhe, meqë nga mesi i tyre u dërgoi Pejgamber i cili u lexon atyre ajetet e Tij, i pastron ata nga mëkatet dhe ua mëson Kuranin e diturinë e hollë. Ata, më parë, me të vërtetë, ishin në rrugë krejtësisht të gabuar.” (Alu Imran, 164)
Përveç që ishte mëshirë që iu dërgua njerëzimit, ai, gjithashtu, vazhdimisht i inkurajoi pasuesit e tij që të jenë të mëshirshëm. Për këtë flasin shumë hadithe që i ka thënë ai. Le t’i listojmë disa:
– “I Gjithëmëshirshmi mëshirën e Tij do ta shprehë ndaj atyre që do të kenë mëshirë ndaj të tjerëve. Jini të mëshirshëm për ata që janë në Tokë, pastaj ndaj jush, do të jetë i mëshirshëm Ai që është në qiej.” (Ebu Davudi, 4936)
– “Mëshira do të jetë e larguar vetëm nga zemra e fatkeqit.” (Ebu Davudi, 4937)
– “Zjarri do të jetë i ndaluar për çdo person që është i sjellshëm, i afrueshëm, i butë dhe dashamirës.” (Tirmidhiu, 2488)
– “Allahu është i butë, e do butësinë dhe jep me butësi atë që nuk e jep me vrazhdësi.” (Ebu Davudi, 4802)
“Aty ku gjendet butësia, ai / ajo zbukurohet, ndërsa aty ku zhduket butësia, ai / ajo shëmtohet.” (Ebu Davudi, 4803)
“Kush privohet nga butësia, privohet nga të gjitha të mirat.” (Ebu Davudi, 4804)
Siç ishte para 14 shekujve, ashtu edhe sot ‘kultura e mëshirës’, e vendosur nga Pejgamberi (savs), është në krizë të madhe, dhe atë, jo vetëm në qëndrimin tonë ndaj njerëzve në përgjithësi, por edhe ndaj ithtarëve të Kibles, përkatësisht, ndaj muslimanëve. Prandaj, para së gjithash, është detyrë e studiuesve islamikë, e thirrësve dhe ligjëruesve, që ta promovojnë dhe gjallërojnë këtë kulturë të harruar, ashtu siç e përhapi dhe gjallëroi ai që u dërgua si mëshirë për botët.
Përkthim:[1] Miftar Ajdini
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.