Kryeministri Haradinaj takon Kryetarin Shabani në ‘Forumi Konsultativ Qeveri-Komuna’

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Çështjet buxhetore, çështjet pronësore që ndërlidhen me tokat dhe ato që ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit, janë temat kryesore për të cilat Qeveria dhe komunat duhet bashkëpunuar.

Kështu tha Kryeministri Ramush Haradinaj, në fjalën e tij hyrëse, në takimin e parë me kryetarët e komunave në kuadër të ‘Forumi Konsultativ Qeveri-Komuna’, i iniciuar nga vet Kryeministri, shkruan Opoja Sot.

Ky takim është cilësuar si hap i parë drejt ndërtimit të platformës së përhershme të konsultimit, bashkëpunimit dhe bashkërendimit në Forumin Konsultativ Qeveri–Komuna.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj tha se ky është një fillim i mirë i zhvillimit të një konsulte të vazhdueshme pra një Këshilli Konsultativ të vazhdueshëm Qeveri-Komuna, pasi kryetarët e komunave janë në komunikim direkt me qytetarët të cilët presin prej tyre, dhe puna e tyre është shumë e vështirë pasi që pritjet dhe nevojat janë të mëdha, ndërsa mundësitë janë të kufizuara.

Duke përmendur disa prej çështjeve dhe temave me të cilat ballafaqohen komunat e Kosovës, Kryeministri Haradinaj tha se problemet janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ato buxhetore për të cilat tha se duhet krijuar një marrëdhënie e re e tejkalimit të sfidave të rënda në disa komuna.

“Mundësitë që ekzistojnë duhet zbatuar dhe jo të humben për shkak të mungesës së komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet nivelit nacional dhe atij lokal. Takimi i sotëm është një nismë e nevojshme për të vendosur këtë partneritet, në të mirë të qytetarëve”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se komunat e kanë partnere Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, por edhe Zyra e Kryeministrit dëshiron që të jetë e kyçur direkt në çështjet me të cilat ballafaqohen Komunat e Kosovës dhe t’iu dal në ndihmë për zgjidhjen e tyre dhe për këtë arsye, Qeveria tashmë ka caktuar Koordinatorin Besnik Tahiri që do të merret direkt me këto tema.

Dhënia e pronave në shfrytëzim për Komunat është një tjetër hap drejt zhvillimit ekonomik, vlerësoi Kryeministri Haradinaj, duke përmendur edhe luftën kundër korrupsionit, për të cilën tha se është interes i Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare, në procesin e Reformave Evropiane dhe çështjen më të ndjeshme të vendit tonë, liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.

Ndërkaq, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Ministria e Financave është në dispozicion të komunave, çdoherë kur ato kanë nevojë për alokime, rialokime dhe për aprovim të të hyrave shtesë, do të jenë të hapur në çdo kohë.

Në takimin e sotëm, i pari i këtij lloji ishin ftuar të gjithë Kryetarët e Komunave në Kosovë, me qëllim të ndërtimit të një agjende të përbashkët bashkëpunuese, për të çuar përpara projektet e rëndësishme që kanë relacion me nivelin qendror. Në diskutimin e sotëm Kryetarët e komunave shpalosen të arriturat, problemet dhe planet kapitale për komunat që ata drejtojnë. /OpojaSot.com/Opoja.net/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-