Të hënën vazhdoi shqyrtimi gjyqësor në rastin e shpërdorimit të detyrës zyrtare ku të akuzuar janë kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi dhe Lulzim Rifaj, ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal në Dragash, aktualisht konsull në ambasadën kosovare në Sofje të Bullgarisë.
Gjykimi nisi me marrjen në pyetje të të akuzuarit Salim Jenuzi, i cili udhëheq Komunën e Dragashit nga viti 2008.
Jenuzi e Rifaj akuzohen se pronën shoqërore të ndërmarrjes “Sharr Prodhimi” e kthyen në komunale, me një vendim të Kuvendit Komunal të Dragashit.
Jenuzi tha se seanca që ka vendosur për këtë pronë është caktuar nga kryesuesi i kuvendit Lulzim Rifaj, ndërsa shtoi se kishte qenë kundër kësaj, pasi nuk ishte i përgatitur për këtë rast.
Sipas Jenuzit vendimi për shpronësimin e pronave nga ‘’Sharr Prodhimi’’ në pronësi të Komunës së Dragashit është shfuqizuar me votim nga asamblistët në një seancë tjetër, e cila ishte mbajtur me kërkesën e tij.
Ai deklaroi se vetë nuk ka mundur ta anulojë vendimin e kuvendit komunal, por bëri me dije se në të gjitha rastet kur dyshohet për vendim joligjor, vendimi dërgohet për vlerësim në Ministrinë e Pushtetit Lokal.
“Azhurimin e një vendimi të një organi më të lartë konsideroj se kryetari i komunës nuk ka mundësi me anulu, nëse konsiderojmë se vendimi është joligjor, ne me fillim e dërgojmë në Ministrinë e Pushtetit Lokal”, tha Jenuzi.
Sa i përket urdhëresës së nxjerrë nga kryetari për drejtorinë e Urbanizmit që të bëjë shpronësimin e pronave nga “Sharr Prodhimi” në pronësi të Komunës së Dragashit, për të cilën gjë edhe akuzohet me aktakuzën e prokurorisë së krimeve të rënda në Prizren, kryetari Jenuzi tha se ka konsideruar se vendimi i kuvendit duhej zbatuar.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.