Kryetari Latifi pas përmbytjeve nga shiu: Kërkojmë përkrahjen urgjente të Qeverisë

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smail Latifi, pas vërshimeve dhe dëmëve të mëdha që shkaktoi shiu i rrëmbyeshëm në orët e para të ditës së shtunës ka kërkuar ndihmë urgjente nga qeveria e Kosovës.
Pas gjendjes së krijuar nga vërshimet Komuna e Rahovecit ka formuar edhe Shtabin Emergjent të komunës së Rahovecit, për t’i dalë në ndihmë banorëve.

Përmbytje dhe dëme të konsiderueshme ka patur në këto lokalitete të Rahovecit: Fortesë, Sapniq, Ratkoc, Malësi e Vogël, Gexhë, Celinë, Xërxë, Dejnë, Krushë e Madhe, Nagac, Çifllak, Hoçë e Vogël, Dobidol …etj.

Latifi: Dëme të mëdha nga vërshimet dhe përmbytjet në Rahovec, kërkojmë përkrahjen urgjente të Qeverisë

Që nga orët e hershme të mëngjesit jemi duke u ballafaquar me gjendje të rënduar, pas reshjeve të shumta të shiut, e për këtë qëllim kemi formuar edhe Shtabin Emergjent të komunës së Rahovecit, i cili është mbledhur, sot në orën 10:00.

Përmbytjet nga ujërat dhe pasojat që kemi në shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike, bujqësi etj. i kemi parë nga afër në shumë zona të komunës sonë, posaçërisht, në: Fortesë, Sapniq, Ratkoc, Malësi e Vogël, Gexhë, Celinë, Xërxë, Dejnë, Krushë e Madhe, Nagac, Çifllak, Hoçë e Vogël, Dobidol …etj.

Me vendimin tim do të formohen komisione të veçanta të vlerësimit, të cilat do të regjistrojnë dëmet e mëdha si në: amvisëri, ekonomi të shumta familjare e biznese, bujqësi dhe infrastrukturë publike. Po bëjmë krejt çka është e mundshme si komunë, e pas hartimit të raporteve të vlerësimit, do të kërkojmë nga institucionet qendrore në Prishtinë përkrahje direkte për mbulimin e dëmeve.

Derisa moti të përmirësohet, probleme të tilla do të mund të na përsëriten, andaj bëjmë thirrje që rastet tuaja t’i adresoni në këtë numër emergjent:

*029-277-555- Njësia e zjarrfikësve-Rahovec

Drejtoria e Shërbimeve Publike me Njësinë e Zjarrfikësve, Drejtorinë e Bujqësisë, Stacionin Policor Rahovec, kompanitë e kontraktuara nga komuna jonë dhe ekipet e shumta vullnetare, janë duke punuar pandërprerë, në mbrojtje të qytetarëve dhe pronave të tyre si dhe për evitimin e rrezikut nga vërshimet, si dhe sanimin e pasojave. Nëse vazhdojnë reshjet me intensitet të lartë, dëmet mund të jenë edhe më të mëdha.

Si Kryetar i Komunës shpreh shqetësimin tim për situatën e krijuar dhe kërkoj ndihmë nga Qeveria për ta tejkaluar më lehtë gjendjen momentale, e për t’i kompenzuar dëmet e mëdha të cilat do të dihen pas vlerësimit nga ana e komisioneve tona, të cilat do t’i evidentojnë ditëve në vijim.

Njëkohësisht, ju bëj thirrje qytetarëve të rrisin kujdesin dhe mos të lëvizin në pikat ku ende ka pasiguri dhe rrezik.
Ne jemi në terren dhe brenda kapaciteteve tona do të veprojmë”, ka shkruar Latifi.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-