Kryeziu VS Shabani

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Lajme Opoja

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës sërish janë në garë për të marrë udhëheqjen e Qeverisë lokale në Dragash. Në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar Komune, sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, kandidati i LDK-së, Selim Kryeziu ka marrë 5 mijë e 150 vota ose 35,52 për qind, derisa kandidati i PDK-së, Shaban Shabani ka marrë 4,962 vota ose 34,22 për qind.

Kandidatët e dy partive që garojnë për kryetar të Komunës së Dragashit në raundin e dytë do të kenë mbështetje edhe nga subjektet e tjera politike. Dega e PDK-së në Dragash përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se ka lidhur marrëveshje politike me koalicionin “Vakat”, pastaj AKR-në dhe AAK-në. Nga ana tjetër, Dega e LDK-së pati njoftuar se ka arritur ujdinë me degën e NISMA-s në këtë komunë dhe partinë ‘Pokret za Goru’, shkruan sot Koha Ditore.

Kandidati i LDK-së, Selim Kryeziu, ka akuzuar PDK-në për keqqeverisje në këtë komunë dhe ka pohuar se në këtë garë nuk përballet me Shabanin, por me një ‘bandë të pleqve’ të PDK-së që dëshirojnë ta mbajnë nën kontroll Dragashin. Ai ka vlerësuar se kundërkandidati Shabani është i urtë dhe i qetë dhe se është ‘i zënë rob’ nga ky klan. Sipas tij, Shabani pavarësisht zotimit të bërë nuk mund të qeverisë me ekip të ri, ngase një gjë të tillë ia pamundëson ‘klani i pleqve’.

Ndërkaq Shabani i PDK-së është kundërpërgjigjur se ndryshimet janë të patjetërsueshme dhe se ato kanë filluar, dhe ka shtuar se programin e tij qeverisës do ta zbatojë me ekip të ri. Në të njëjtën kohë ka vlerësuar se kundërkandidati Kryeziu nuk ka njohuri të duhura për pushtetin lokal, prandaj dhe nuk e ka profilin e duhur për të qeverisur me Komunën.

Pavarësisht nga kjo, Kryeziu i LDK-së ka premtuar zgjidhjen e problemit të ujit, për çka, sipas tij, është planifikuar investimi i 2 milionë eurove. Po ashtu ka premtuar zgjidhjen e problemit të kanalizimit dhe të ujërave të zeza, si parakushte për ruajtjen e mjedisit të pastër, me qëllim të hapjes së mundësive për zhvillimin e mëtejmë të turizmit. Për bujqësinë dhe blegtorinë ka pohuar se do të ndahen subvencione shtesë dhe është zotuar për rregullimin e rrugëve malore, për të siguruar qasje normale për banorët, si dhe për zhvillimin e turizmit. Ka paraparë ndarjen e bursave për studentë dhe pagesën e praktikantëve që diplomojnë. Ka premtuar ringjalljen e jetës kulturore të Dragashit, si dhe përfundimin e projektit të stadiumit të Dragashit, si dhe Qendra të Mjekësisë Familjare atje ku ka nevojë dhe shtim të cilësisë së shërbimeve mjekësore.

Ndërkaq plani i Shaban Shabanit për Dragashin parasheh aktivitete për zhvillim ekonomik, pastaj mbështetjen e bujqësisë dhe turizmit, energjetikën, përmirësimin e infrastrukturës në vazhdimësi, mbrojtjen e mjedisit, arsimin e shëndetësinë, kulturën, rininë dhe sportin. Shabani është zotuar se krahas këtyre prioriteteve do të punohet edhe për një administratë më funksionale, si dhe funksionalizimin e këshillave lokale, që do të ndikonte në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Komunës dhe fshatrave e vendbanimeve të Dragashit. Në të njëjtën kohë do të ketë angazhim për një Dragash më të pastër me përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe furnizimin me ujë të pijes.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-