Xhumaja – ibadet që disa e kryejnë me trup, por me shpirt mungojnë

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Xhumaja, dita më e zgjedhur e javës, dita që All-llahu e nderoi dhe ngriti mbi të gjitha ditët e tjera, ditë që duhet t’i tubojë ata që veten e quajnë muslimanë, që ta dëgjojnë fjalën dhe mesazhin e All-llahut.

All-llahu i Lartësuar në Kur’an thotë:

“O ju që besuat! Kur të thirreni për namaz ditën e xhuma, nxitoni drejt përmendjes së All-llahut dhe lini tregtinë. Kjo është më e mira për ju, sikur ta dinit.” [El-Xhumu’a, 9]

Xhumaja nuk është çështje zgjedhjeje, as zakon shoqëror. Ajo është ibadet. Ajo është detyrim – madje detyrim mbi detyrime. Prandaj ai që me vetëdije dhe pa arsye të vlefshme e lë xhumanë, le ta dijë se po luan me themelet e fesë së tij. Sepse në hadith thuhet:

“Kush i lë tri xhuma radhazi nga pakujdesia, All-llahu ia vulos zemrën.”

E vulosja e zemrës do të thotë: do t’u flitet, por nuk do të dëgjojnë; do t’u jepet këshillë, por nuk do ta pranojnë; do të përmendet emri i All-llahut, por nuk do të ndiejnë asgjë në zemrat e tyre.

Ky është dënimi për ata që luajnë me xhumanë – vijnë kur u teket, por sapo u del diçka “më e rëndësishme”, zhduken. E imagjinoni tani çfarë dënimi ka për ata që kurrë nuk vijnë në xhuma?

All-llahu na udhëzoftë neve dhe ata në rrugën e drejtë!

Xhumaja, si një nga urdhërat më të rëndësishme të All-llahut, me vete sjell edhe shpërblime të veçanta – por vetëm për ata që sillen sipas rregullave të saj.

Disa prej këtyre rregullave janë: të lahemi dhe të parfumohemi para se të shkojmë në xhuma, e jo të vijmë të ndotur dhe me erë të rëndë, siç dinë të vijnë disa, saqë njerëzit duhet të largohen prej tyre ose të ikin në një saf tjetër.

Nga rregullat e xhumasë është që kur marrim abdest në shtëpi dhe nisim për në xhami, të jemi të vetëdijshëm se ku po shkojmë dhe pse po shkojmë. Të mos i fusim hundët ku nuk duhet, të mos flasim kot, e sidomos kur hyjmë në xhami. Sepse xhamia para xhumasë nuk është vend muhabeti, zhurme dhe bisedash të kota, por vend ku duhet ta fitojmë mëshirën dhe kënaqësinë e All-llahut.

Nga rregullat e xhumasë është që kur imami fillon hutben – dhe hutbe është çdo gjë që imami thotë, si në arabisht ashtu edhe në gjuhën tonë – ne duhet të dëgjojmë me vëmendje, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo. Sepse i Dërguari a.s. ka thënë:

“Nëse i thua dikujt ‘Hesht!’ gjatë hutbes, ke bërë gabim.”

Shikoni: mëkat bën vetëm ai që e qorton tjetrin duke i thënë “hesht”. E imagjinoni çfarë mëkati bëjnë ata që nga java në javë flasin e flasin gjatë hutbes.

Vëllezër të dashur, hutbja nuk është televizor që e lë në sfond ndërsa ti merresh me punët e tua. Ai është momenti kur shpallet fjala e All-llahut, mesazhi i All-llahut, përmes atij që qëndron në minber. Dhe kush nuk dëgjon, ai nuk është në ibadet – ai është vetëm fizikisht në xhami, ndërsa me shpirt diku tjetër. Dhe kjo nuk është vetëm pakujdesi – është mosrespektim. Dhe edhe kjo ka çmimin e vet. Sepse i Dërguari a.s. ka thënë:

“Kush luan me gurë gjatë hutbes, e ka humbur shpërblimin.”

Ne sot nuk kemi gurë në xhami, por kemi tespihe dhe telefona. Të moshuarit luajnë me tespih, të rinjtë me telefon. Asnjëra nuk është e drejtë. Sepse hutbja nuk është kohë për të numëruar subhanet, por për të dëgjuar. Nuk është kohë për Facebook, Instagram apo rrjete të tjera, por kohë për t’u lidhur me mesazhin e All-llahut.

E gjithë kjo mund të përmblidhej në një fjali: Kush nuk e respekton shenjtërinë e xhumasë dhe hutbes, ai privohet nga çdo e mirë e xhumasë.

Ndoshta disa prej jush nuk do t’i pëlqejnë këto fjalë. Por, detyra ime nuk është t’u ledhatoj, është t’ua them të vërtetën, t’ju paralajmëroj, mësoj, t’ua tregoj gabimet që i vërej. Sepse unë jam përgjegjës para All-llahut dhe dua të kem justifikim Ditën e Llogaridhënies.

Prandaj, vëllezër të dashur, e këshilloj veten dhe juve: të mos vijmë në xhuma sa për sy e faqe, por për veten tonë. Të mos e dëgjojmë hutben për hir të imamit, por për hir të All-llahut.

Është koha t’i pastrojmë safet nga pakujdesia, hutbet nga zhurma dhe zemrat tona nga shpërqendrimi.

Le të bëhet xhumaja sërish ajo që është: moment takimi me All-llahun, moment zbritjeje të mëshirës dhe bekimit të Tij.

O Zoti ynë, përmirësoji qëllimet dhe veprat tona. Na bëj prej atyre që vijnë në xhuma me respekt, që e dëgjojnë hutben me kuptim dhe që jetojnë sipas asaj që dëgjojnë. Mos na lër në pakujdesi, mos lejo që zemrat tona të ngurtësohen. Na udhëzo neve, familjet tona, fëmijët tanë dhe popullin tonë. Amin!

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-