Kujdesi i Ebu Hurejres për nënën e tij

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Imam Buhariu në përmbledhjen e tij Edebu-l-mufred shënon traditën e mrekullueshme të sjelljes së as’habit të mirënjohur Ebu Hurejre me nënën e tij…

Sa herë që Ebu Hurejre radijAllahu anhu duhej të del nga shtëpia, e përshëndeste nënën me selam me zë butë: “Nëna ime e dashur”, dhe i jepte selam.

Ajo ia kthente: “Djaloshi im! Selami, rahmeti dhe bereqeti i Allahut qoftë mbi ty!”

Atëherë Ebu Hurejre radijAllahu anhu ia kthente: “Nëna ime e dashur, Allahu të mëshiroftë si më mëshirove ti mua kur isha i vogël!”
Ndërsa nëna i përgjigjej: “Allahu të mëshiroftë për këto mirësi që mi bën në ditët e pleqërisë sime, djaloshi im!”

Por edhe kur të kthehej në shtëpi vepronte në të njëjtën mënyrë, duke i dhënë selam dhe duke u lutur për të.

Urtësia dhe porosia:

Bamirësia ndaj nënës është ndër veprat më të mira, vepër e cila shpie drejtë dashurisë dhe kënaqësisë së Allahut të Madhëruar.
Shembulli i Ebu Hurejres dhe nënës së tij është për admirim dhe çdo lavdërim.

Ky as’hab, bamirësinë ndaj nënës e kishte në radhë të parë dhe për çdo ditë ishte i sjellshëm dhe bamirës ndaj saj. Ai shkonte nga disa herë në ditë ta vizitoj, i jepte selam, e pyeste si është, e ndihmonte dhe shprehte dashuri të pamasë ndaj saj! Por edhe nëna e tij e kthente bamirësinë e djalit të saj ashtu që bënte dua për suksesin dhe shpëtimin e tij në dy botërat.

Është për shembull fakti se Allahu i madhëruar, la kujtim dashurinë e Ebu Hurejres ndaj nënës, ndaj ne sot edhe pas 1400 viteve lexojmë për sjelljen dhe kujdesin e tij ndaj prindërve. Në të vërtetë në këtë ka urtësi se Allahu i Madhëruar bamirësinë ndaj prindërve e dhuron me sukses të madh.

Sa e sa personalitete historike kanë kaluar dhe rreth tyre nuk flitet asgjë, ndërsa rreth Ebu Hurejres dhe nënës së tij ka mbetur kujtimi deri në ditët e sotme?

Këtu qëndron edhe mesazhi ynë, nëse dëshirojmë sukses në këtë dhe në botën tjetër, duhet të jemi bamirës dhe të sjellshëm me prindërit tanë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-