Kur shpresat na varin mbi varre!

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Opinione

Autor: Fari Kolloni

Kërkesa e disa banorëve të fshatit Blaç që fëmijët e tyre të ndërpresin mësimin për shkak të mospunësimit në shkollën e fshatit të djalit të punëtorit tashmë të ndjerë të kësaj shkolle, pavarësisht se sa është e drejtë – sepse përdorimi i fëmijëve për çështje politike nuk do të duhej të ishte model i shoqërisë sonë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve – përshfaq shenja pozitive drejt vetëdijesimit politik të qytetarëve të Dragashit. Vetë akti i manifestimit të pakënaqësive, në forma të ndryshme demokratike, ndaj personave që abuzojnë me pushtetitn dhe u shkaktojnë padrejtësi qytetarëve, është dhe duhet të jetë një gjest politik që duhet ta mbështesim të gjithë.

Kërkesa e banorëve të Blaçit, për të disatën herë e nxori në pah një fenomen që grupi parapolitik i Salim Jonuzit e praktikon prej kohësh: lojën e ndyrë me konkurset publike për punësim. Megjithatë, kurdisja e konkurseve, mospublikimi ose shpallja e tyre me vonesë, improvizimet e gërditshme, zgjedhja e personave që do të punësohen shumë kohë para shpalljes së konkursit, e shumë pisllëqe të tjera, pasqyrojnë vetëm anën sipërfaqësore të tragjedisë sonë politike dhe morale ku jemi katandisur.

Pjesën më të tmerrshme të kësaj tragjedie e përbën fakti se, pas mbylljes së fabrikave, hapja e varreve është kthyer në të vetmen shpresë për punësimin e të rinjve të Dragashit. Dikush duhet të vdesë, ose të dalë në pension, që dikush tjetër të shpresojë për një vend të lirë të punës. Vdekja e dikujt bëhet mundësi punësimi për dikë tjetër. Vdekja jote do të thotë bukë për mua. A nuk është kjo situata më rëndë që po e përjeton shoqëria jonë?!

Nëse veç duhet të presim që të vdesë dikush dhe të ketë një mundësi për ne, atëherë le të presim, por edhe ta ndihmojmë që të vdesë kjo qeveri. Vetëm vdekja e saj mund të sjellë shkëndija ndryshimi në komunën tonë.

Kjo gjendje e mjerë paraqet shkallën më të lartë të shëmtisë morale dhe politike të një grupi pushtetarësh lokalë të papërgjegjshëm, i cili me vjet të tëra ushqehet si parazitët me paratë e qytetarëve, pa treguar asnjë lloj efikasiteti në qeverisje. Qeverisja e tyre është shpallur çdoherë si më e papërgjegjshmja dhe më pak transparentja nga të gjitha komunat tjera të Kosovës. Ata vetë, shumica prej tyre janë akuzuar, gjykuar, madje edhe dënuar nga organet e drejtësisë. Çfarë tjetër mund të presësh prej tyre, përveç të t’i varin shpresat mbi varre?!


(Shkrimi në këtë artikull nuk shpreh qëndrimet dhe opinionet e redaksisë së Portalit “Opoja.net“. E gjithë përgjegjësia e shprehjeve, bie mbi autorin e këtij opinioni).

Dërgoni edhe ju opinionin tuaj në këtë email: info@opoja.net)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-