Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Shefin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, të cilit i ka uruar mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re.
Takimi është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, ku u diskutua për avancimin e marrëdhënieve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në takim u theksua përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me Misionin e OSBE-së në Kosovë në fusha kyçe për zhvillimin demokratik të vendit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës punon ngushtë me Zyrën e OSBE-së në Kosovë, e ku qëllim të ndërsjellë kemi forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.