Ofrimi i shërbimeve të specializuara mbështetëse për viktimat e dhunës në familje dhe roli i strehimoreve në mbrojtjen dhe rehabilitimin e tyre, ishin tema e takimit të sotëm të kryeministrit, Albin Kurti, me udhëheqëset e strehimoreve.
Nga qeveria thuhet se në takim Kurti vlerësoi punën e strehimoreve si partnere në luftimin e dhunës në familje, të përfshira drejtpërsëdrejti në mbrojtjen e grave viktima të dhunës dhe fëmijëve të tyre.
“U bisedua për nismat e ndërmarra nga Qeveria për infrastrukturë të re ligjore, hartimin e Ligjit të ri për mbrojtje nga dhuna në familje si dhe Strategjinë për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026”, thuhet nga qeveria.
Në takimin e përbashkët me zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala, njëherit Koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, dhe me udhëheqësen e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, kryeministri u njoftua nga udhëheqëset e strehimoreve për angazhimin dhe sfidat në fushën e përgjegjësisë së tyre, në fazat e reagimit ndaj rasteve të dhunës në familje, për mbrojtjen, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri të viktimave të dhunës në familje.
Sipas qeverisë, u diskutuan hapat e mëtejmë që do të forcojnë edhe më tej zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të Konventës së Stambollit në kornizën tonë ligjore, dhe zbatimin e kërkesave që burojnë nga kjo konventë, e që do të udhëzojnë më tej punën e institucioneve përgjegjëse.
Në këtë takim morën pjesë udhëheqëset e strehimoreve: Zana Hamiti nga Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në Prishtinë, Erblina Dinarama nga OJQ “Shtëpia e sigurt” në Gjakovë, Nazife Jonuzi nga Qendra për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve “Liria” në Gjilan, Vesna Stajiq nga strehimorja “Zenski inkluzivni centar” në Novobërdë, Sevdije Kasumi – Bunjaku nga QMGF “Shtëpia ime” në Ferizaj, Ardita Bala nga Qendra për mirëqenien e gruas në Pejë, dhe Fidane Hyseni nga QMGF “Raba Voca” në Mitrovicë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.