Kush është shembulli juaj?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Me forcimin e lidhjes mes Allahut dhe njeriut, këtij të fundit i pakësohen gabimet dhe të metat. Le të bëjmë  një përpjekje për ta njohur sa më mirë Zotin tonë, me të gjitha cilësitë e Tij. Allahu është me ne në çdo moment të jetës; në gëzim dhe në hidhërim, në vështirësi dhe në lehtësim, në dritë dhe në errësirë… Fatkeqësisht, shejtani duke përfituar nga çastet tona të dobëta, na bën që ta harrojmë këtë gjë dhe të largohemi nga qëllimi ynë.

Zoti ynë është i mëshirshëm. Ai na dhuron të gjitha gjërat e nevojshme dhe na i siguron të gjitha gjërat deri edhe tek ato më të parëndësishmet… Allahu hap shtigje edhe nëpër rrugët që na duken të mbyllura. Ai është i durueshëm për të pritur pendesën e robërve  të Vet…

Allahu i di të gjitha të fshehtat e Gjithësisë… Ai e ka krijuar njeriun si krijesën më të lartë, më fisnike dhe i ka dhënë fenë islame, në mënyrë që jeta e tij të vazhdojë të jetë fisnike. Në një kuptim metaforik mund të themi që Islami është muri i lartë që mbron një gur të çmuar.

Në një periudhë njëzet e tre vjeçare u rrit dhe u kalit Pejgamberi ynë i dashur. Ai edukoi me fenë e drejtë Hazreti Ebu Bekrin, Hazreti Omerin, Hazreti Osmanin, Hazreti Fatman, Hazreti Zejnepin dhe shumë e shumë sahabë të tjerë.

Natyrat e tyre të ndryshme u kalitën me moral të lartë, nder dhe modesti. Le të kujtojmë fjalët e Resulullahut salallahu alejhi ve selem: “Modestia dhe qetësia janë të besimit, mungesa e modestisë dhe fjalët e shumta janë veset e para të hipokritit.” Ai na ka njoftuar se: “Në Ditën e Gjykimit, morali i mirë do të jetë më i rëndi në peshore.”  (Ebu Davud, Edeb 7/4799; Tirmidhi, Birr, 62.)

Një nga rregullat e jetës është ruajtja dhe mbrojtja e gjërave të çmuara dhe të rralla. Sa më shumë të ruhet diçka, aq më e vyer bëhet ajo. Ato që e plotësojnë më së miri këtë kriter, janë gratë dhe burrat. Porosia më e madhe që u lënë prindërit fëmijëve janë: morali dhe modestia. Ato janë dy nga virtytet më ta mira të një njeriu, kurse të kundërtat e tyre nuk janë tjetër veçse vese të shejtanit.

Ashtu siç ka thënë dhe poeti:

“Morali është një kurorë që ka zbritur nga qielli

Vendose atë kurorë, që të mbrohesh nga sherri.”

Dy shembuj

Allahu (xh.sh.), në Kuran na ka folur për dy shembuj të gjallë të moralit dhe ndershmërisë; Hazreti Jusufi dhe vajzat e  Hazreti Shuajbit.

Jusufi alejhi selam nuk ra pre e dëshirave të epshit, por i bëri ballë ftesës së gruas së sundimtarit. Ngjarja e ‘këmishës së grisur nga prapa’ u bë një shembull i bukur për të gjithë burrat.

Vajzat e Shuajbit, alejhi selam, të cilat janë një shembull i mirë për të gjitha vajzat, i çonin kafshët për të pirë ujë, sepse babai i tyre ishte i sëmurë. Ato nuk i afroheshin asnjëherë ujit, kur pranë tij kishte çobanë. Hazreti Merjem është një shembull tjetër shumë i bukur i pastërtisë shpirtërore.

Allahu nuk i ka ngarkuar njerëzit më shumë se ata mund të përballojnë, por i ka treguar rrugët që duhen ndjekur për të qenë në fitore. Le të shikojmë ajetin 90 të sures Nahl:

“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të varfrit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.”  Me këtë ajet Allahu na ka treguar se cilat janë virtytet që i shtojnë të mirat e familjes dhe cilat janë veset që e shëmtojnë jetën.

Pejgamberi ynë i nderuar na ka njoftuar që: “Islami përbëhet nga morali  i mirë.” (Kenzul Ummal, III, 17.) Ai ka thënë që jeta e jetuar bukur ka emrin Islam.

Para çdo tundimi sado i bukur të jetë le të ndjekim shembullin e Jusufit, alejhi selam, i cili ka thënë: “Unë kam frikë nga Allahu!..” Në qoftë se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të shpëtuar nga e keqja, le të largohemi nga ai ambient… Vajzat le të përpiqen të ndjekin shembullin e vajzave të Hazreti Shuajbit dhe të qëndrojnë larg vendeve të rrezikshme dhe le të kenë parasysh Hazreti Merjemen, e cila e ruajti nderin e vet edhe kur ishte vetëm edhe kur ishte në mes të njerëzve…

Ndershmëria, modestia, morali dhe edukata janë disa nga gjërat më të shtrenjta që u janë dhënë njerëzve. Sulltani i cili pati nderin që të çlironte Stambollin, pas çlirimit të Bosnjës ka shpallur këtë dekret:

“Kini kujdes që kur vajzat boshnjake t’i afrohen ujit

Të gjithë ushtarët e mi të largohen!..”

Formula e mbrojtjes së karakterit është përmendur në Kuran:

“Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (Ankebut, 45)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-