Opoja.net

“Kush zgjoheti shëndoshë, i sigurt dhe ka furnizim për atë ditë, sikur ta ketë tubuar pasurinë e kësaj bote.”

Falënderimi qoftë
për Allahun e Plotfuqishëm, i Cili na ka dhënë dhe na  jep begati të panumërta. Salavatet, paqja dhe
bekimet e Allahut qofshin mbi më të dashurin e Allahut dhe të dërguarin e Tij
të fundit Muhamedin a.s. mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë
ata që kanë jetuar me të vërtetën në zemrat e tyre.

Vëllezër besimtarë, temë e hutbes së sotme është hadithi: “Kush zgjoheti shëndoshë, i sigurt dhe ka furnizim për atë ditë, sikur ta ketë tubuar pasurinë e kësaj bote.”

Allahu i Lartësuar
në Kuran thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote, por
veprat e mira, që mbetën përherë, janë më mirë të shpërblyera te Zoti dhe janë
shpresë më e mirë.”
(el -Kehf, 46)

Komentuesit e
Kuranit pajtohen, që ky ajet sugjeron që kjo botë, me të gjitha përfitimet dhe
sfidat e saj, është një dekorim kalimtar, një begati kalimtare, dhe se gjithçka
që njeriu fiton nga këto begati, një ditë me siguri do të zhduket. Kapitali i
vetëm i cili mbetet përgjithmonë, dhe në të cilin mund të mbështetemi, janë
veprat e mira (el-bakijat es-salihat).

A nuk e vërteton
këtë të vërtetë kuranore realiteti ynë?

Kur një person vdes,
gjëja e parë që ai humbet është emri i tij. Sepse kur njeriu vdes dhe kur të
afërmit dhe fqinjët mësojnë për vdekjen e tij, gjëja e parë që ata pyesin, pasi
të vijnë në shtëpinë ku ka ndodhur, është, ‘ku është i vdekuri?’ Ata nuk
pyesin se ku është Mustafa apo Hasani, apo Fatimja, por pyesin: “Ku
është i vdekuri ta kthejmë kah kibleja, pastaj ta lajmë dhe të ia falim xhenazen.”

Prandaj, le ta
lexojmë me kujdes hadithin e mëposhtëm, dhe të mësojmë se çka i duhet njeriut
nga kjo botë, që të jetë i lumtur dhe i kënaqur. Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kush
gdhihet i shëndoshë, i sigurt dhe ka furnizim sa është i mjaftueshëm për atë
ditë, sikur ta ketë tubuar krejt dynjanë dhe të gjitha begatitë e saj.”

(Buhariu)

Muhamedi (savs),
përmes këtij hadithi, na mëson se begatitë më të mëdha të dynjasë janë:
shëndeti, siguria dhe furnizimi që është i mjaftueshëm për një ditë, përkatësisht,
që njeriu për çdo ditë të posedojë aq furnizim sa i mjafton. Të gjitha ato që e
tejkalojnë këtë, janë zbukurime shtesë të dynjasë, dhe si të tilla nuk janë të domosdoshme.

Njeriu mjaft mirë
dhe normalisht mund të jetojë dhe të funksionojë pa pasuri të mëdha dhe pa
familje, madje mundet edhe pa fëmijë, por nëse sëmuret nga një sëmundje e
rëndë, atëherë nuk i bën dobi asnjëra. Për pacientin, një ditë është sa një
vit, kurse nata edhe më shumë. Për askënd nata nuk është aq e gjatë, dhe askush
nuk e pret me padurim agimin sikurse i sëmuri. I sëmuri do ta jepte gjithë
botën, vetëm që të shërohet dhe të jetojë normalisht.

Kush nuk e beson
këtë, le t’i pyesë njerëzit që kanë sëmundje të rënda, se si e shikojnë dynjanë
në atë gjendje, dhe cila do të ishte pasuria dhe lumturia e tyre më e madhe. Të
vërtetën e ka thënë Muhamedi (savs): “Shumica e njerëzve mashtrohen në
aspektin e dy begative: për shëndetin dhe për kohën e lirë.”

Kurse njerëzit e
mençur kanë thanë: “Shëndeti është kurorë mbi kokat e njerëzve të shëndoshë,
të cilën e shohin vetëm njerëzit e sëmurë.”

Hadithi i cituar
është një lloj paralajmërimi dhe inkurajimi për besimtarët që ta ruajnë
shëndetin e tyre dhe mos ta shkatërrojnë, sepse pastaj do të pendohen keq, por
pendimi nuk do t’ju sjell dobi.

Begatia tjetër të
cilën e ka përmendur Pejgamberi (savs), është siguria. Nëse njeriu jeton
në frikë për vetveten, për familjen e tij, për pasurinë e tij, nëse nuk mundet i
lirë të lëvizë, të punojë, të shkollohet, nëse nuk mundet i lirë të bëjë
ibadet, kjo është një sprovë që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ata që për
shkak të frikës nga dora dhe e keqja e armikut, janë detyruar të ikin nga
vendet e tyre, nga vatrat dhe tokat e tyre, e dinë mirë se çka janë frika dhe
pasiguria. Prandaj, si besimtarë, ne duhet shumë më tepër ta vlerësojmë begatinë
e sigurisë dhe lirisë, dhe për të, vazhdimisht ta falënderojmë Allahun dhe t’i
lutemi, që kurrë mos të na privojë nga kjo begati.

Pastaj, nëse njeriu
nuk ka furnizim të mjaftueshëm aq sa ka nevojë për një ditë, atëherë gjendja e
tij është jashtëzakonisht e vështirë dhe poshtëruese. Ata që nuk kanë furnizim
të mjaftueshëm për veten dhe për fëmijët e tyre – që sot në vendin tonë ka
shumë – ata më mirë e dinë dhe e ndiejnë poshtërimin e lypjes nga të tjerët, dhe
pritjen e lëmoshës prej të tjerëve. Për këtë arsye, Pejgamberi (savs), edhe në
këtë mënyrë, na nxit që të jemi mirënjohës ndaj Allahut për begatitë, që të
përpiqemi ta fitojmë furnizimin tonë të kësaj bote në mënyrë hallall, dhe nëse
Allahu na ka dhuruar pasuri, le të mos jemi koprracë dhe kryelartë, dhe në
asnjë mënyrë, le të mos i harrojmë njerëzit e varfër dhe të nevojshëm, veçanërisht
fqinjët, pa marrë parasysh se çfarë feje dhe kombi janë. Sepse, sikur që na ka
dhënë Allahu pasurinë, Ai gjithashtu edhe mundet të na e merr për një çast, dhe
të na bëjë ta shijojmë hidhërimin e varfërisë dhe skamjes. Mirëpo, të gjitha begatitë
e dynjasë, e edhe ato që u përmenden, nuk janë asgjë në krahasim me Udhëzimin, me
njohjen e të Vërtetës, dhe me veprat e mira që njeriu i bën në emër të Allahut.

Edhe veprat e mira,
në realitet, janë udhëzim nga Allahu, sepse njohja e së Vërtetës dhe Udhëzimi, janë
dritë nga Allahu me të cilën Ai i ndriçon zemrat e besimtarëve. Askush prej
nesh nuk mund ta arrijë dhe ta realizojë këtë dritë me njohuritë, aftësitë dhe
përpjekjet e veta. Për këtë shkak, veprat tona të mira dhe ibadeti ynë, kurrsesi
nuk guxojnë të na çojnë në arrogancë dhe mburrje, por në përulësi, modesti,
bujari dhe në mirënjohje të vazhdueshme ndaj Allahut nën dritën e Udhëzimit, dhe
në mundësi të bërjes së veprave të mira, me të cilat do ta fitojmë kënaqësinë e
Allahut dhe shpërblimin e përjetshëm.

O Zot, ndihmoju të gjithë
vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

Na bën prej atyre që vetëm
për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

Na ruaj nga sprovat të
cilat nuk mund t’i përballojmë!

O Zot, fali dhe mëshiroji prindërit
dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e sollën dritën e Islamit!
Kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës të fesë dhe atdheut!

O Zot , fali, mëshiroji
dhe shpërbleji me xhenet të gjithë shehidët e atdheut tonë, të cilët jetën e
tyre e sakrifikuan për lirinë tonë!

O Zot, na mëshiro në Ditën
e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët,
me shehidët dhe me njerëzit e mirë! Amin.  

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

Kurti merr pjesë në Samitin e Vjenës, e pranishme edhe Bërnabiq

Merlinda Guraj

SIPAS QËLLIMIT SHPËRBLEHESH

Merlinda Guraj

Imami Shefqet Krasniqi infektohet me coronavirus, shtrihet në Klinikën Infektive

Merlinda Guraj
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net