Lista Serbe ankohet që FSK-ja shkoi në veri: Kryetarët e komunave serbe s’e aprovuan pushtimin e veriut

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Lista Serbe pretendon që FSK-ja ka shkuar në veri pa lejen e katër kryetarëve të komunave serbe, kështu sipas tyre kanë shkelur edhe marrëveshjen me NATO-n.

Lista Serbe është ankuar se kryetarët e katër komunave nga veriu i Kosovës nuk kanë aprovuar hyrjen e pjesëtarëve të FSK-së në territorin e komunës së Zubin Potokut, gjë që sipas tyre ka shkelur marrëveshjen e garantuar nga NATO-ja, duke kërkuar reagim të prerë nga komandanti i KFOR-it, Ferenc Kajari, transmeton Zeri.info.

“Inkursioni i paligjshëm i pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës në territorin e komunës së Zubin Potokut është shkelje e rëndë e marrëveshjes së vitit 2013, e garantuar nga NATO-ja, e cila garanton se asnjë formacion i armatosur i Prishtinës nuk mund të pushtojë komunat serbe në veri pa miratimin e kryetarëve të këtyre komunave dhe komandantit të KFOR-it”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Lista Serbe shkuarjen e FSK-së në veri e ka quajtur si “provokim dhe shkelje brutale të marrëveshjes që rrezikon paqen në ato zona”.

“Në kohën kur Prishtina po përpiqet të militarizojë veriun dhe të pushtojë komunat në veri me armë, incidente të tilla janë të papranueshme dhe kërkojnë reagimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, e mbi të gjitha KFOR-i, EULEX-i dhe UNMIK-u”, theksohet në deklaratë.

Sipas tyre, shihet qartë se Albin Kurti në momentin kur plani i tij i regjistrimit të veturave me targa RKS nuk kalon në mesin e serbëve, “po tenton të frikësojë qytetarët paqësorë dhe të virtytshëm serbë në komunat e veriut, duke ngritur tensione, të devijojë opinionin nga problemet që po grumbullohen në Prishtinë”.

“Edhe një herë u bëjmë thirrje autoriteteve që të veprojnë në mënyrë parandaluese dhe të paralajmërojnë Kurtin se nuk do të tolerohet kjo sjellje. Sjellja e papërgjegjshme në këto momente për të fituar pikë të lira politike është karakteristikë e politikanëve dhe manipuluesve të paaftë që aktualisht janë në krye të institucioneve në Prishtinë”, sipas Listës Serbe. /Zëri

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-