Sado të mëdha që të jenë vështirësitë dhe ankesat tona, përsëri jemi të dobët t’i numërojmë mirësitë në të cilat po notojmë. Nëse e kemi shndërruar në sëmundje qarjen e halleve, kjo nuk mund ta mbulojë të vërtetën. Jemi njerëz, jemi robër, kështu që patjetër do të kemi vështirësi. Sigurisht se do djersijmë, do të lodhemi dhe do të tensionohemi. Çfarë kuptimi tjetër mund të ketë të qenët tonë njerëz? Edhe vendi në të cilin gjendemi, së fundi dynjaja është. Pra, nuk jemi në xhenet. Andaj nuk mund ta ndjejmë veten sikur të jemi në parajsë. Ndryshimi ndërmjet atyre që e pandehin dynjanë si xhenet dhe atyre që përpiqen të shkojnë në xhenet nga dynjaja është i fshehur në këtë kuptim. Jetën duhet ta shohim si një proces sprove që mund të përjetohet krahas të gjitha vështirësive të saj. Këtë mund ta shohim si një perceptim që e ha me shije edhe specin djegës.
Krahas çdo gjëje, ne notojmë në mirësi.
Mirësia më e madhe është e vërteta se jemi nderuar me besimin. Sa mirësi e madhe është kurorëzimi me nderimin e besimit pasi jemi krijuar si njerëz! Nëse këtë mirësi e shohim si mirësi të zakonshme, kjo është nënçmim i saj. Të qenët besimtar dhe të kesh mundësi për të bërë ibadet sipas besimit, mjafton për të qenë mirësia më e madhe. Kur të fillojmë t’i numërojmë mirësitë, është kusht që së pari të fillojmë nga kjo.
Ndërsa mirësia e madhe e dytë është koha që kemi. Nëse akoma kemi mundësi të marrim frymë dhe nuk na është mbyllur rruga për t’u kthyer, edhe nëse kemi bërë shumë gabime, do të thotë se jemi në një mirësi të madhe. Jo ditët, por edhe minutat janë të vlefshme sa vetë jeta nga ky aspekt. Kur t’i shtjellojmë me këtë këndvështrim minutat të cilat do t’i jetojmë, mund ta konceptojmë edhe më mirë se sa mirësi të mëdha na ka dhuruar Allahu i Lartësuar.
Shëndeti, pjesëtarët e familjes, njerëzit e tjerë që na rrethojnë dhe ushqimet që hamë, qëndrojnë përpara nesh si mirësi të tjera. Çdo gjë që na prek dora është një mirësi në vete. Madje, edhe sëmundjet që na bëjnë të rënkojmë, janë një mirësi për ata që mund t’i shohin me sytë e besimtarit. Nëse sëmundja bëhet shkak për rënien e mëkateve, për ndjeshmërinë e zemrave dhe për zgjerimin e mëshirës sonë, do të thotë se është një mundësi që mund të shndërrohet në mirësi. Shumë njerëz, duke filluar që nga miqtë tanë me të cilët mund të bisedojmë e deri te bashkëshortët/et më të cilët ndajmë jetën, Allahu Teala pothuajse i ka krijuar për të na lumturuar ne. Edhe ne na ka vënë pranë tyre dhe na ka bërë vëllezër e motra. A nuk është humanizëm t’i shohim si burime lumturie fëmijët, nipat dhe mbesat tona që lindin e rriten si lulet rreth e rrotull nesh? A nuk na bën besimi që ta ndjejmë këtë?
Mos vallë dyshojmë se vendi ynë i vërtetë është ahireti?
Vendin nga i cili do shpërngulemi në ahiret, nuk do ta gjenim si ahiretin. Së fundi, këtu jemi në dynja. Ky është një vend i krijuar për të nxjerrë mëshirë nga vështirësitë. Dynjaja është e përkohshme. Për shkak se është e përkohshme, është edhe burim i halleve.
Këto që kemi në dorë janë mirësi për të cilat do merremi në llogari një ditë. Edhe nëse i vlerësojmë apo jo, Ai që na i ka falur ato do të na marrë në llogari. Vendi dhe koha në të cilën do të merremi në llogari për të gjitha mirësitë, nuk është larg. Mirësitë që sot nuk ua dimë vlerën, atë ditë mund të bëhen shkak për shqetësimin tonë. Për mirësinë e bashkëshortëve/teve dhe jetës familjare, do të merremi në llogari. Krijuesi do na pyes për fëmijët tanë të cilët janë lulet e mirësive. Gjithashtu do pyetemi pa përjashtim për miqtë dhe vëllezërit besimtarë. Buka që hamë, uji që pimë dhe fjalët që i përdorim, janë mirësi. Buzëqeshjet, selamet, lutjet dhe lëmoshat tona janë mirësi. Çdo buzëqeshje e mangët, selam i harruar, lutje e pabërë dhe lëmoshë e padhënë, janë mirësi të shkuara dëm. Në vendin që do të pyetemi një nga një për mirësitë, do të kuptohet më mirë se çfarë do të thotë një buzëqeshje, një fjalë e ëmbël dhe një skenë vëllazërie.
Ne jemi të pasur me mirësi dhe vazhdimisht notojmë në to.
Nderimi i njerëzve prej Allahut Teala është një mirësi. Posedimi i trupave që mund të marrin frymë është mirësi. Të qenët tonë besimtarë është mirësi. Krijimi ynë nga umeti i Muhamedit, alejhi’s-selam, është mirësi. Posedimi i një libri si Kurani është mirësi. Njerëzit që e mbushin mjedisin tonë, vëllezërit, motrat, shokët, shoqet dhe miqtë tanë janë mirësi. Bashkëshortët/et janë mirësi siç janë edhe fëmijët. Të gjitha mirësitë janë llogari, edhe nëse sjellin me vete disa vështirësi. Nuk ka asnjë mirësi për të cilën nuk do të merremi në llogari. Përderisa të mos i vlerësojmë mirësitë jo me gjendjen e sotme, por me kushtet e ditës në të cilën do të japim llogari, nuk e kemi zbatuar plotësisht besimin. Ajo ditë është absolute, llogaria është absolute.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.