Manifestimi i Ashuras sipas Islamit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë.

Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithmonë me të, është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Për çdo vjet muslimanët gëzohen me rastin e ashures, ditën e 10 të muajit muharrem, për këtë arsye këtë hutbe do t’ia kushtojmë kësaj teme.
Fjala “ashura” është fjalë arabe, që donë të thotë e dhjeta. Me nocionin “ashura” në terminologjinë e Islamit nënkuptojmë ditën e 10 të muajit muharrem sipas kalendarit islamik. Se çfarë është vlera e kësaj dite në historinë e islamit, kemi transmetime nga Pejgamberi (savs), që tregojnë se cila është arsyeja që e dallon këtë ditë, pra ditën e 10 të muajit muharrem, nga ditët tjera të vitit.

Në një transmetim nga Ibni Abasi (r.a.) thotë: “Pasi që Pejgamberi (a.s.), emigroi prej Mekës në Medinë, atje kishte parë çifutët (judët) se ata e agjëronin ditën e ashures (ditën e 10 të muajit muharrem), e pastaj i pyeti: Çka është kjo ditë që po e agjëroni? ata i thanë: Kjo është një ditë e mirë, ditë madhështore, në këtë ditë Allahu (xh.sh.) e shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e zhyti Faraonin dhe popullin e tij, andaj këtë ditë e agjëroi Musai (a.s.) në shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh.) e edhe ne e agjërojmë këtë ditë. Në këtë rast Pejgamberi (a.s.) tha: Ne kemi më shumë të drejtë, më shumë prioritet se sa ju ndaj Musait (a.s.) dhe Pejgamberi (a.s.) e agjëroi këtë ditë, dhe i urdhëroi edhe shokët e tij që ta agjërojnë.” (Mutefekun alejhi)

Nga ky hadith i Pejgamberit (a.s.), kuptojmë se agjërimi i ditës së ashures, ishte detyrim për besimtarët islam, sepse agjërimi i ramazanit si ibadet për besimtarët islam ende nuk ishte bërë farz. Pra, kjo ngjarje ka ndodhur në vitin e parë të hixhretit, kurse agjërimi i muajit ramazan është bërë obligim vitin e dytë.

Aishja (r.a.) tregon duke thënë: “Kur Pejgamberi (a.s.) emigroi prej Mekës në Medine, ai agjëroi Ashuren dhe gjithashtu kishte urdhëruar edhe shokët e tij të agjërojnë këtë ditë, e kur Allahu (xh.sh.) na obligoi me agjërimin e muajit ramazan (vitin e dytë h.) ai e la agjërimin e ashures të lirë, kush dëshiron e agjëron e kush dëshiron nuk e agjëron.” (Buhariu)

Nga ky hadith kuptomë se Pejgamberi (a.s.), pas kësaj bisede me çifutët për arsyen e agjërimit të kësaj dite, kishte filluar të agjërojë ashuren, dhe njëkohësisht i kishte urdhëruar edhe shokët e tij që të agjërojnë.

Agjërimi i Pejgamberit (a.s.) dhe shokëve të tij ishte në shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh.) që këtë ditë kishte shpëtuar Musai (a.s.) dhe besimtarët e tij nga Faraoni. Kjo ngjarje kishte ndodhur në bregun e Detit të Kuq, kur Musai (a.s.) dhe besimtarët e tij përpara tyre kishin detin, kurse pas tyre ishte ushtria e tmerrshme të Faraonit në krye me të, i cili pasi e kishte humbur betejën e argumentit për ta bindur Musain (a.s.) se ai ishte zot dhe meritonte të adhurohej, kishte vendosur t’i eliminojë kundërshtarët e tij, andaj i ndoqi nga pas për t’i vrarë.

Kjo ishte dëshira e tij, por duhet të ndodhë vetëm ajo që e dëshiron Allahu Fuqiplotë, e jo ajo që dëshiron Faraoni. Musai (a.s.) ishte i bindur në këtë parim, sepse ai pasi që i kishte marrë të gjitha masat preventive për t’i shpëtuar Faraonit, dhe tani intervenimi i Allahut (xh.sh.) do të jetë i drejtpërdrejte duke ia hapur rrugët Musait (a.s.) dhe muslimanëve që të dalin në anën tjetër të detit, kurse me hyrjen e Faraonit në det, do të mbyllen rrugët dhe ai bashkë me ushtarët e tij do të ngulfaten në valët e detit.
Kurani fisnik e përshkruan shumë qartë këtë ngjarje, dhe kjo ishte dita e shpëtimit të Musait a.s. dhe besimtarëve të tij nga Faraoni. Pas përfundimit të këtij intervenimi të drejtpërdrejtë, që ishte mrekulli, Musai (a.s.) në shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh.) këtë ditë shpëtimi e manifestoi me agjërim, pra me ibadet.

Këtë ditë të ashures, që ishte dita e 10 e muajit muharrem në shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh.) për shpëtimin e Musait (a.s.) dhe besimtarëve të tij, e agjëroi edhe Muhamedi (a.s.) bashkë me shokët e tij.

Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është fakti se Pejgamberi (a.s.) çifutëve u tha se ne muslimanët kemi më shumë prioritet ndaj Musait (a.s.) se sa ju, sepse vërtetë ne jemi pasues të besimit të vërtetë të Musait (a.s.), kurse ju jeni ata që e keni devijuar pastërtinë e besimit të tij.

Vlerën e agjërimit të Ashures më së miri na e përshkruajnë hadithet e Pejgamberit (a.s.), e në mesin e tyre edhe hadithi i regjistruar te imam Muslimi, se Pejgamberi (a.s.) kur është pyetur për vlerën e agjërimit të ditës së Ashures, ka thënë: “Agjërimi i ashures i mbulon mëkatet e vitit të kaluar.”

Ibni Abasi (r.a.) ka thënë: “Nuk e kam parë Pejgamberin (a.s.) që është përkujdesur për agjërimin e ndonjë dite sa është përkujdesur për agjërimin e ashures.” (Buhariu)
Kurse në një transmetim tjetër nga Ebu Hurejre (r.a.) thuhet se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Agjërimi më i vlefshëm pas agjërimit të ramazanit është agjërimi në muajin e Allahut muharrem (ashura). (Tirmidhiu)

Duke u bazuar në argumentet që i theksuam dhe shumë të tjera që nuk janë përmendur, dijetarët islamë kanë sjellë vendimin që dispozita e agjërimit të Ashures është sunet. Është sunet të agjërohet dita e 9, 10 dhe 11 e muajit muharrem. Andaj disa nga dijetarët islamë kanë thënë se agjërimi i kësaj dite ndahet në tre kategori, që janë: (1) kategoria e parë është agjërimi i tri ditëve, (ditës së 9, 10 dhe 11) e muajit muharrem, (2) kategoria e dytë është agjërimi i ditës së 9 dhe 10 të muajit muharrem, dhe (3) kategoria e tretë është agjërimi i ditës së 10 të muajit muharrem. /Jusuf Zimeri/

Na brengos fakti që shumica e muslimanëve e kanë lënë pas dore këtë sunnet. I sheh ata duke u kujdesur për namazet vullnetare mirëpo në agjërim pak prej tyre nxitojnë.

Lusim Allahun (xh.sh.) të na ndihmojë t’i praktikojmë sa më tepër sunetet e Pejgamberit tonë të dashur, ndër të cilët bën pjesë edhe agjërimi i kësaj dite të madhe!
O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
Na ndihmo ta ruajmë atdheun tonë! Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde! Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!
O Zot! Fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te e sollën dritën e Islamit! Fëmijët tonë bëri prijës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!
O Allah! Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin!

Përgatiti: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-