Margaritari i fjalës së shkruar në trevën e Opojës, Bedri Halimi

Opoja.net Opoja.net Opoja
MARGARITARI I FJALËS SË SHKRUAR NË TREVËN E OPOJËS
-SEKU I BEDRI HALIMIT-

Sirtartarët e librave personale, i kam ndarë në seqe. Vetëm një sek i librave që ka shkruar

Bedri Halimi

deri më tani, nuk po m’i nxë dot, madje nuk i kam të gjithë librat që ka shkruar ai.

Për shkak të moshës – ai më i vjetër e unë më i ri, por edhe të detyrave tona, siç thotë populli: “Njëri në mashrik e tjetri në magrib”, nuk kemi pasur kontakte të shpeshta me të. Kohët e fundit, bashkëbisedojmë vazhdimisht dhe rrimë kohë pas kohe, ngase na ka lidhur edhe aspekti i shkrimit.
Ç’të them për Bedriun?! Ndoshta nuk mund t’ia qëlloj ashtu si duhet.
Është personaliteti më i veçantë në trevën e Opojës. Kur analizoj jetën e tij, i cili që nga rinia e hershme u burgosë, duke qenë në shkollë të mesme, për shkak të bindjeve të tij antijugosllave (antiserbe) dhe u dergjë nëpër burgjet famëkeqe serbe, e edhe nëpër spitale; dhe deri në përfundim të luftës së Kosovës nuk e ka parë dritën tamam, madje për një fije floku i shpëtoi më të keqës, ai ka gjetur kurajo dhe forcë, që vuajtjet e tij dhe të popullit të tij, t’i shprehë në shkrime, vargje, revista…, që i themeloi vetë ai.
Që nga fillimi i viteve të 1990-ta e deri tani, nuk u ndalë së shkruari, ndoshta shkrimet e tij ia mjekojnë plagët, ndoshta ngushëllohet me to!?
Ka shkruar e botuar shkrime të lëmenjve të ndryshëm, të cilat, janë të shumta. Mos t’i hyj në hak se nuk e di saktë numrin e tyre. Pas luftës e këndej ka përdorur energji të jashtëzakonshme në aspektin e të shkruarit, sigurisht që ndjen aromën e lirisë dhe rrezet e diellit, për të cilat gati 20 vite kishte nevojë, në këtë mënyrë edhe për të shpalosur ato që kishte në brendësi të shpirtit, e që s’kishte mundësi t’i shprehtte, pra edhe t’i botonte.
Duke i kapur librat e tij, që i posedoj, disi të rrëqethet trupi, ato ta ndalin frymën. Them: ‘mesele vetëm t’i lexosh gjithë këta libra, e lëre më që t’i shkruash’.
Ajo që është prekëse, duke biseduar me të për kopertinat e librit, si dhe ngjyrat gjatë botimit, me këmbngultësi më thotë: “Kopertinat i dua që të jenë kuq e zi, nuk bën ndryshe”! Kjo do të thotë se vuajtjet e tij në shpirt, dëshiron t’i shprehë edhe përmes ngjyrave, nëpër të cilat ka kapërcyer ai dhe populli i tij – ‘nëpër dhé të përgjakur, e të shoqëruar me zi’.
Sa i përket librit të fundit: “Dhuna serbe në Opojë (1912 – 1999)”, ai përmes kësaj vepre më ka nderuar, njëkohësisht edhe më ka ngarkuar me një përgjegjësi – në cilësi të korrektorit, e që me mundësitë e mia jam munduar me mish e shpirt t’ia kryej një shërbim të vockël, krahasuar me punën e tij madhore që e ka bërë në këtë libër.
Libri në fjalë, është thesar i çmuar për Opojën, e që i ka munguar kësaj treve. Këtë libër duhet ta ketë shumëkush nga ne, ngase është dokument burimor për të kaluarën e Opojës. Aty, do të gjendet emri i ndonjërit nga opojanët, i prindërve, gjyshërve e stërgjyshërve të tyre, të cilët kanë vuajtur, janë torturuar, burgosur, ose janë vrarë nga forcat e dhunshme serbe.
Bedriu, ka nevojë për mbështetje morale, meqë rënkon nga pasojat e më hershme, pse jo edhe financiare për punën që bën, si dhe që vazhdimisht kujdeset për botime të reja. Bedriu akoma jeton me qera. Do të ishte mirë që organet shtetërore të Kosovës Bedriut t’ia kenë parasysh këtë çështje, dhe të shikohet mundësia e zgjidhjes se këtij problemi, e pse jo edhe e pensionimit të parakohëshëm të tij, në mënyrë që këtë energji që i ka mbetur, ta përdorë për t’na dhuruar libra të tjerë, qoftë nga krijimtaria qoftë edhe nga studimet e shumta që ka në dorëshkrime. Boll është lodhur e ka vuajtur. Veç të tjerash, Bedriu ka nevojë që këtë pjesë të jetës së tij ta kalojë edhe i qetë pranë gjirit familjar.
Autor: Kasam Muhameti
/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-