Marrëdhënia ndërmjet Islamit dhe të vërtetës

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Kur të bëhet fjalë për marrëdhënien me Islamin, të parashtrosh një pyetje si: “Ta përdorësh/shfrytëzosh apo ta zbatosh Islamin?” – dhe ta shfaqësh “përdorimin e Islamit” si një alternativë në këtë pyetje, domethënë, të flasësh për përdorimin e Islamit kundrejt zbatimit të tij, me të vërtetë do të thotë të sjellësh në rendin e ditës një rrezik mjaft të madh. Marrëdhënia e pashkëputshme me Islamin sigurisht se është “zbatimi” i tij. Sigurisht se Islami ka ardhur për t’u zbatuar dhe përjetuar. Islami, si një tërësi e rregullave që Allahu Teala ia ka dërguar njeriut dhe si një shenjë e besimit dhe besnikërisë së dëlirë ndaj Allahut të Madhëruar, do të jetë shenjë e “besnikërisë ndaj Allahut Teala” e besimtarit aq sa përjetohet dhe zbatohet me sinqeritet.

Për këtë arsye, “sinqeriteti” është pranuar si një disiplinë shumë themelore në marrëdhënie me fenë. Allahu i Lartësuar kërkon nga besimtarët në Kuranin Fisnik që “ta zbatojnë fenë me sinqeritet ndaj Tij”. Mirë, por çfarë do të thotë ta përdorësh fenë apo Islamin? Ta përdorësh fenë, me kuptimin më të qartë të saj, do të thotë që njeriu të mos e zbatojë atë për hir të Allahut Teala, por ta shndërrojë atë në material përfitimi të interesave vetjake. Siç është sinqeriteti një vepër e zemrës, edhe përdorimi i fesë për interesat vetjake është një devijim i saj. Pra, është një rrëshqitje dhe devijim i zemrës.

Feja, në të vërtetë e gjen vlerën e saj reale me pjekurinë shpirtërore edhe pse është një institucion që ka edhe dimensionin e sjelljeve me natyrën që i sistemon të gjitha marrëdhëniet e njeriut në këtë botë. Edhe hadithi fisnik i njohur i të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, i cili fillon: “Veprat vlerësohen sipas nijeteve…” – standardin e cilësisë së çdo gjëje që e bëjmë ne e lidh me “nijetin – qëllimin – synimin”, i cili është një vepër shpirtërore. Domethënë: Përse e bëre atë punë? Cili ishte qëllimi yt në kryerjen e asaj pune? Ndërsa fusha në të cilën hetohet nijeti është shumë e qartë: “Kënaqësia e Allahut Teala, apo ndonjë hesap tjetër?”

Kënaqësia e Allahut është esenca e fesë, ndërsa të gjitha hesapet e tjera janë përdorim/shfrytëzim i fesë. Për shembull, “shtirja” shpreh një devijim shpirtëror për të cilin besimtari paralajmërohet me insistim në Kuranin Fisnik dhe në hadithet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në mënyrë që të qëndrojë sa më larg saj. “Shtirja” është një hesap i tmerrshëm që bëhet për të parë dikush aktivitetet fetare, në mënyrë që të shfrytëzohen mundësitë, fama etj. Domethënë, të të shohin namazin, të të shohin agjërimin, të të shohin infakun, të të shohin xhihadin dhe të të thonë: “Bravo!” Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që një aktivitet fetar të mos e bësh për Allahun Teala, por për të fituar vlerësimin e njerëzve prej të cilëve pret edhe shpërblimin. Në Islam kjo vepër quhet “shirk i fshehtë”. Domethënë, ky është një devijim i besimit që ka influencuar në zemër. Pra, është shoqërim ortakërie kundrejt Allahut të Madhëruar.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), në një hadith fisnik ka thënë: “Njerëzit e parë që do të gjykohen në Ditën e Kiametit janë këta:

I pari është një njeri i rënë dëshmor. Ai do të sillet në audiencën e Allahut. Allahu do t’ia kujtojë mirësitë që ia pati dhënë. Edhe ai do t’i pohojë ato. Allahu i Lartësuar do ta pyesë: “Atëherë, çfarë ke bërë kundrejt këtyre mirësive?” Ai do të thotë: “O Zoti im! Kam rënë dëshmor për Ty.” Allahu do t’i thotë: “Gënjeve! Ti ke luftuar vetëm që të të thonë trim dhe kështu u tha për ty.” Për atë jepet urdhër dhe tërhiqet zvarrë me fytyrë për tokë derisa të hidhet në Xhehenem.

I dyti është ai njeri që e mëson dijen, ua mëson atë të tjerëve dhe veçanërisht lexon Kuranin Fisnik. Ai do të sillet në audiencën e Allahut. Allahu do t’ia kujtojë mirësitë që ia pati dhënë. Edhe ai do t’i pohojë ato. Allahu i Lartësuar do ta pyesë: “Atëherë, çfarë ke bërë kundrejt këtyre mirësive?” Ai do të thotë: “Kam mësuar dije. Dijen ua kam mësuar edhe të tjerëve dhe kam lexuar Kuran për Ty. Allahu do t’i thotë: “Gënjeve! Ti ke mësuar dije vetëm që të të thonë dijetar dhe ke lexuar Kuran vetëm që të të thonë lexues i Kuranit. Prandaj, kështu u tha edhe për ty.” Për atë jepet urdhër dhe tërhiqet zvarrë me fytyrë për tokë derisa të hidhet në Xhehenem.

I treti është një njeri që Allahu i Lartësuar i ka dhënë pasuri. Ai do të sillet në audiencën e Allahut. Allahu do t’ia kujtojë mirësitë që ia pati dhënë. Edhe ai do t’i pohojë ato. Allahu i Lartësuar do ta pyesë: “Atëherë, çfarë ke bërë kundrejt këtyre mirësive?” Ai do të thotë: “Të gjithë pasurinë time e kam harxhuar në rrugën Tënde.” Allahu do t’i thotë: “Gënjeve! Ti e ke harxhuar pasurinë tënde vetëm që të të thonë bujar. Prandaj, kështu u tha edhe për ty.” Për atë jepet urdhër dhe tërhiqet zvarrë me fytyrë për tokë derisa të hidhet në Xhehenem.” (Muslim, Imare 152.)

Këtë hadith fisnik duhet ta lexojmë me shumë kujdes, në mënyrë që ta kuptojmë se sa ndjeshmëri e përpikëri duhet të shfaqim kundrejt dimensionit shpirtëror në ato që bëjmë e veprojmë përgjatë jetës sonë në këtë botë. Njeriu mendon se ka bërë xhihad, se ka sakrifikuar jetën e tij, se ka mësuar dije, se ua ka mësuar dijen njerëzve të tjerë dhe se e ka harxhuar pasurinë e tij në rrugë të Allahut Teala. Edhe në tubimin e madh që do të bëhet në Kiamet do të thotë në audiencën e Allahut (xh.xh.): “Këto i kam bërë për Ty.” Por atij do t’i jepet përgjigjja: “Ti i ke bërë këto, në mënyrë që të të thonë hero, të të thonë dijetar dhe të të thonë bujar.” Pastaj tërhiqet zvarrë me fytyrë për tokë dhe hidhet në Xhehenem.

Domethënë se rrëshqitja e zemrës e bëka njeriun të besojë se ai po i bëka këto “për hir të Allahut Teala”, por ja që në të vërtetë, përparësi u jepet hesapeve vetjake. Domethënë se njeriu mund t’ia veshë dëshirave vetjake makijazhin “kënaqësia e Allahut”.

Kur në Kuranin Fisnik flitet për klerikët e Ehli Kitabit / ithtarëve të librit (çifutët dhe të krishterët), thuhet se ata i shesin/këmbejnë ajetet/argumentet e Allahut me diçka krejt të pavlerë” dhe se ata, me këtë vepër që bëjnë, nuk fusin gjë tjetër në barkun e tyre përveçse “zjarr”. “Pa dyshim, ata që fshehin çfarë ka shpallur Allahu në Libër dhe e këmbejnë atë me diçka tjetër të pavlerë, do të gëlltisin në barkun e tyre vetëm zjarr. Në Ditën e Kiametit, Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i pastrojë (nga gjynahet) dhe do t’u japë dënim të dhembshëm.” (Bakara, 174) Përsëri në Kuranin Fisnik thuhet se dijetarët e Ehli Kitabit kanë bërë manipulime me kuptimet e ajeteve të Allahut Teala:

“Në mesin e hebrenjve ka nga ata që i nxjerrin fjalët nga konteksti i tyre dhe i thonë Profetit: “Dëgjuam, por nuk të bindemi”! dhe “Dëgjo, mos dëgjofsh!” dhe “Ra’iná!”, duke shtrembëruar (shprehjet) me gjuhën e tyre dhe duke shpifur për fenë. Po sikur ata të kishin thënë: “Dëgjuam dhe u bindëm!” dhe “Dëgjo!” e “Shikona neve!”, kjo do të ishte më e mirë dhe më e drejtë për ata. Allahu i mallkoi ata për shkak të mohimit të tyre, prandaj ata nuk besojnë, përveç një numri të vogël.” (Nisa, 46)

“Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat të ashpra. Ata i kanë shtrembëruar fjalët e Shkrimeve të shenjta dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla. Ti (Muhamed) përherë do ta vëresh tradhtinë e tyre, përveç një pakice të tyre; pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit.” (Maide, 13)

“O i Dërguari i Allahut! Mos u brengos për ata që zhyten shpejt në mosbesim, qofshin nga ata që me gojën e tyre thonë: “Besojmë”, ndërkohë që zemrat e tyre nuk besojnë apo prej hebrenjve, të cilët trillimet i dëgjojnë shumë, (madje)dëgjojnë edhe ata që s’kanë ardhur te ti. Ata i ndryshojnë vendet e fjalëve (në tekstet e shenjta)dhe thonë: “Nëse (shpallja) ju është dhënë kështu, pranojeni e, nëse nuk ju është dhënë kështu, atëherë, ruhuni e mos e pranoni”. Kur Allahu dëshiron ta lërë dikë në humbje, ti nuk mund të bësh asgjë për ta penguar Atë. Këta janë të asaj dore të cilët Allahu nuk dëshiron t’ua pastrojë zemrat. Për ata, në këtë jetë ka poshtërim, kurse në jetën tjetër ka ndëshkim të rëndë.” (Maide, 41)

Edhe këtë ajet fisnik le ta lexojmë me vëmendje: “Me të vërtetë, një grup ithtarësh të Librit e shtrembërojnë Librin me gjuhët e tyre (ndërsa e lexojnë atë), që ju të mendoni se ai farë leximi është prej Librit (që ka zbritur Allahu), kurse në të vërtetë, nuk është prej Librit. Ata thonë: “Kjo që lexojmë është nga Allahu”, por ajo nuk është nga Allahu. Ata flasin gënjeshtra për Allahun, duke qenë të vetëdijshëm për këtë.” (Al Imran, 78)

Shembulli i Ehli Kitabit, për të cilin njoftohemi në Kuranin Fisnik, padyshim se nuk është një e dhënë historike. Çdo tip njeriu që përmendet, tregon orientimet e mundshme njerëzore që përbëjnë shembull për të gjitha kohërat. Në këtë mënyrë, tregohen orientimet e drejta dhe të devijuara të tyre. Nëse e analizojmë ajetin fisnik të mësipërm, e kuptojmë qartë se pikërisht ky është “përdorimi dhe shfrytëzimi i fesë”. Përsëri në Kuranin Fisnik qortohet Ehli Kitabi në lidhje me “ngatërrimin e të vërtetës me të pavërtetën” dhe “fshehjes së të vërtetës”: “O ithtarët e Librit! Përse e pështjelloni të vërtetën me të pavërtetën dhe përse e fshihni të vërtetën me qëllim?” (Al Imran, 71)

Të gjitha këto janë paralajmërime për besimtarët që jetojnë në kohëra të ndryshme. Ne nuk kemi rrugë tjetër përveçse marrëdhënien tonë me Islamin ta formojmë brenda kornizës së sinqeritetit e pastërtisë që kërkon Allahu i Madhëruar. Veprat shpirtërore kërkojnë një ndjeshmëri të lartë. Padyshim se çdo vepër që e bëjmë e ka një kundërvlerë shpirtërore. Besimtari nuk lejon që asnjë vepër e tij të fitojë një natyrë që mund të cilësohet si “shfrytëzim i fesë apo përdorim i fesë për interesa vetjake”.

Një njeri që e shfrytëzon fenë me vetëdije patjetër duhet t’i bëjë vetes një “test besimi”. Ndoshta ai mund të jetë prej atyre që e kanë bërë zot epshin e tyre. Njeriu është një krijesë që e shfrytëzon për interesat e tij edhe besimin ndaj Allahut (xh.xh.). Këtë lloj njeriu duhet ta shtjellojmë në një kategori të veçantë.

Ne le të shikojmë veten tonë! Ndërkohë që jemi besimtarë, ndërkohë që shqetësohemi për Ahiretin, ndërkohë që përpiqemi për të mos na shkuar veprat dëm në audiencën e Allahut Teala. Le të mundohemi që të mos jemi prej atyre të humburve për shkak të devijimeve shpirtërore. Gjithashtu le të përpiqemi që të mos ndëshkohemi në botën e përhershme duke na u thënë: Xhihadi nuk të është pranuar, sepse e ke bërë për shtirje. Dija nuk të është pranuar. Lëmosha nuk të është pranuar. Namazi nuk të është pranuar, etj.

Cilësia e marrëdhënies sonë me Islamin është shumë e rëndësishme, sepse është jetike. Për këtë arsye, duhet të përpiqemi që të mos futemi në telashe ditën kur raportet e zemrave tona të mbarten në mahsher.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-