Marrëdhëniet Kuran – Njeri

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Shpallja hyjnore cakton pejgamberin, të gjitha ndodhitë në univers, rrjedhën, kuptimin dhe rëndësinë esenciale të përmbajtjes së këtyre ekzistencave. Allahu Teala ka krijuar të gjitha krijesat dhe u ka dhënë atyre edhe nga një detyrë. Çdo krijesë e bën punën e saj pa asnjë mangësi. Secila prej tyre e vazhdon jetën duke ndihmuar dhe plotësuar tjetrën, brenda një sistemi e rregulli.

Toka ka nevojë për farën, fara për ujin, çdo krijesë ka nevojë për tjetrën, ndërsa njeriu ka nevojë për të gjitha këto. Sikur pemët të ishin lapsa dhe detrat bojë, nuk do të mjaftonin për të treguar këtë krijim e ekzistencë. Ai që guxon ta bëjë këtë, nuk ia del dot mbanë.

Përse? Për kë janë krijuar të gjitha këto krijesa? Kush e njeh dhe kush mund ta shpjegojë këtë krijim mahnitës? Çfarë është kjo ekzistencë? Njeriu është ai i zgjedhuri ndërmjet të gjitha këtyre krijesave. Çdo gjë është në shërbimin e tij, çdo gjë ka marrë kuptim nga ai, është vepra artistike e pashoqe e Allahut Teala, i krijuar në formën më të mirë. Atij i janë mësuar emrat e gjërave dhe i është dhënë urtësia?

Ata që ua mësojnë njerëzve parimet që i bëjnë të vlefshëm, janë pejgamberët e zgjedhur ndërmjet të gjithë njerëzve të krijuar.

Të gjitha pyetjet i gjejnë përgjigjet duke pranuar pejgamberët. Allahu Teala na ka njoftuar nëpërmjet pejgamberëve për shpirtrat, për krijesat në qiej dhe për botën e ditur e atë të paditur. Njeriu është mëkëmbës në tokë, për shkak se është krijuar me aftësitë, si mendja, konceptimi, vullneti dhe zbulimi marramendës i gjërave e i ambjentit që e rrethon.

Kur njeriu, që është zgjedhur ndërmjet të gjitha krijesave të tjera, t’u besojë pejgamberëve që janë zgjedhur ndërmjet njerëzve, atëherë e njeh Krijuesin e tij, e kupton se sa e vlerëson Ai, e mëson se me çfarë punësh lartësohet vlera e njerëzisë dhe e koncepton se do të humbë vlerë, nëse lë pas dore disa gjëra të tjera…

Kur njeriu që është krijuar në ormën më të mirë, t’i refuzojë pejgamberët, e humb privilegjin dhe te Krijuesi bie në një shkallë aq të ulët, saqë nuk mund të krahasohet me asnjë krijesë, sepse natyrshmëria e njeriut është “Ahseni Takvim”. Për fat të keq, më vonë ai e mbuloi natyrshmërinë me dëshirat e pasionet vetjake dhe e neglizhoi të vërtetën e krijimit të çdo gjëje e synimin e krijimit.

Me këtë gjendje, edhe nëse standardi i jetesës së njeriut është në shkallën më të lartë, edhe nëse bën jetën më të mirë e më të rehatshme, në të vërtetë ai është prej të mashtruarve dhe prej të humburve. Njerëzit e tillë e kanë harruar se kanë për t’u kthyer në botën tjetër. Siç nuk ka mundësi foshnja të vendosë për të ardhur në këtë botë, edhe te vdekja nuk mund të bëjë ndonjë ndërhyrje. Kjo është një e vërtetë që nuk mund ta mohojë askush. Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik, e shpreh kështu gjendje e këtyre njerëzve që i kanë neglizhuar argumentet e tij:

(Allahu do t’u thotë): Tashmë na vini veç e veç, ashtu siç ju krijuam herën e parë, duke lënë pas vetes ato që ju patëm dhuruar. Ne nuk po i shohim me ju ndërmjetësuesit tuaj, për të cilët pretendonit se ishin ortakët e Allahut. Midis jush janë shkëputur të gjitha lidhjet dhe ajo tek e cila shpresonit, ju ka lënë në baltë.” (el-En’am 94.)

“O njeri! Dëgjoje zërin e natyrshmërisë tënde dhe atë që të thërret për te ajo. Kjo thirrje është për njerëzit e mençur. Njeriu, i cili është krijuar nga asgjëja!”

Edhe pse ke fuqi për të bërë shumë gjëra me vullnetin tënd, prapëseprapë nuk mund t’i largosh shumë fatkeqësi që nuk i dëshiron, ashtu siç nuk mund të arrish çdo gjë që dëshiron.

“O njeri! Ç’të mashtroi tyqë nuk i besove Zotit tënd bujar, i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta, të harmonizoi dhe të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?!” (el-Infitar 6-8.)

Tani le të mendojmë! A nuk arrihet qetësia shpirtërore dhe siguria, nëse do të përjetohej Kurani dhe zbatoheshin urdhrat e tij? Sado që të ketë zullumqarë dhe injorantë që i mbyllin veshët ndaj thirrjes së Allahut të Madhëruar, ata nuk do të guxojnë të bëjnë ligësira, për shkak se e dinë që do të ndëshkohen.

Të gjithë i dimë ato gjëra që bëjnë ata, të cilët luftojnë pa mëshirë për t’i arritur shpresat dhe dëshirat e tyre të përkohshme në këtë botë, në vend që të luftojnë që të zbatohet dhe të mbisundojë Kurani Fisnik… Sot në Irak, ku lufta është më e nxehtë, padrejtësitë që u bëhen myslimanëve, a nuk u bëhen në emër të drejtësisë, lirisë dhe demokracisë? A nuk të kujton tiranin Sadam pika në të cilën kanë arritur?

Ai që nuk ka frikë nga Allahu, mendon vetëm për interesat e kësaj bote të përkohshme. Për këtë arsye, i del kundër çdo gjëje që mund të jetë pengesë për interesat dhe pasionet e tij. Sigurisht se këtë do ta bëjë me mbështetësit që ka pranë. Kurani Fisnik e konkretizon këtë me shembullin e Faraonit, Hamanit, Karunit dhe Bel’amit.

Faraonin e mbante në këmbë Hamani, që ishte fuqia ushtarake, Karuni, që ishte fuqia ekonomike dhe Bel’ami, që jepte fetva sipas interesave të tij.

Botën që po prishet, po shkatërrohet dhe po mbytet çdo ditë e më shumë në ndjenja kafshërore, që po e drejtojnë njerëz të paaftë e po e kthejnë në një kaos, mund ta shpëtojë vetëm njerëzia që ndërton Kurani Fisnik. Ata të cilët i besojnë një ndërtimi të tillë, duhet ta lexojnë Kuranin sikur t’u ishte shpallur atyre, ta përsosin moralin me dispozitat e tij dhe të paguajnë çfarëdolloj çmimi në atë rrugë.

Pra, duhet të punojnë si sahabët e nderuar dhe i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, i cili siç i premtoi njerëzisë siguri, drejtësia dhe xhenet, po ashtu nuk u dha rëndësi propozimeve të femohuesve, që ngelën të paaftë përpara tij.

Allahu Teala në Kuranin Fisnik, thotë:

“Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë mëkatarët.” (en-Nur 55.)

O njeri, që të ka mëshiruar Allahu! O njeri, që je ngritur në miraxh duke i bërë sexhde Allahut Teala me plot bindje! Kthehu në origjinalitetin tënd! Kërko mbrojtje nga Zoti, që të arrish krenarinë, nderin, virtytin dhe lumturinë e përhershme! Kjo rrugë nuk është qorrsokak, por një rrugë që të shpie në ebedijet, në jetën e përhershme.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-