Me moton “Qumështi i vendit tim”, është shënuar dita ndërkombëtare e qumështit. Në panairin e mbajtur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, prodhuesit e produkteve të qumështit, kanë ekspozuar produktet e tyre.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin shumë mysafirë edhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane, USAID, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, Shoqata e Prodhueseve të Qumështit (SHPQK) dhe Shoqata e Qumështoreve të Kosovës (SHQK).
Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së shefit të USAID-it në Kosovë, Paul Vaca, tha se USAID është shumë krenar që e mbështet industrinë e qumështit dhe përmes kësaj mbështetje po bëhet përpjekje që të zëvendësohet importi me produktet vendore.
“Prej se kemi filluar këtë fushatë në dhjetor ne kemi parë një rritje për shtatë herë në konsumimin e qumështit të freskët. Gjithashtu jemi të vetëdijshëm për një rrugë të gjatë që na mbetet ende, se rreth 90 për qind e qumështit të freskët që konsumohet në Kosovës importohet, por e kemi parë në sektorë të tjerë të bujqësisë se ne mund t’i zëvendësojmë këto importe me prodhime të suksesshme që i bëjmë këtu në Kosovë. Në vend se ne të dekurajohemi me këtë shifër të lartë të importeve 90 për qind në këtë e shohim si mundësi që të rrisim prodhimtarinë, rrisin cilësinë dhe që të punësojmë më shumë njerëz dhe në këtë mënyrë ta zbresim këtë import”, tha Vaca.
Ai ka shtuar se kjo fushatë ka shtatë muaj që është duke u zhvilluar dhe janë duke shikuar në drejtim të një partneritet afatgjatë me prodhuesit e qumështit në Kosovë.
Për të shënuar ditën ndërkombëtare të qumështit, sot do të ketë aktivitete të ndryshme ku do të marrin pjesë të gjitha qumështoret e Kosovës me produktet e tyre dhe në të njëjtën kohë do t’i shpërndajnë produktet e qumështit fëmijëve për të festuar edhe ditën e fëmijëve. /Telegrafi/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.