Mbi lumturinë dhe dhunën në martesë

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Të Gjesh Shpirtin Binjak. Disa e lidhin martesën me një utopi të tillë. Sa është e mundur që martesën ta vlerësojmë në formën e gjetjes së shpirtit binjak? Ta fillosh martesën me një ideal kaq të lartë që në fillim, mos është rraskapitje? Mund të gjejmë një koncept më të bukur e me real sesa shpirti binjak: Pasqyra e shpirtit… Në fakt; Është në përputhshmëri me hadithin e Profetit: “Besimtari është pasqyra e besimtarit.” (Ebû Dâvûd, Edeb, 49/4918), si dhe shpjegues i veçorisë që martesa plotëson gjysmën e njeriut. (Hâkim, el-Mustedrek, Nr: 2681, 2/175) Gjithashtu, është në atë formë që do të përfshinte atë parimin e reflektimit shpirtëror të hadithit: “Jini të ndershëm e të virtytshëm ndaj grave të të tjerëve, në mënyrë që edhe gratë tuaja të jenë të ndershme e të virtytshme.” (Kenzu’l-Ummâl, 34/34) Në fakt edhe ata që janë në kërkim të shpirtit binjak i gjen përpara pasqyrës. Por; I ka kapluar një mendjemadhësi kur thonë “Pasqyrë moj pasqyrë, pa më thuaj mua! A ka më të bukur në botë se unë” Kurse ajo jona është një pasqyrë që tregon sa bukurinë, po aq edhe të metat tona dhe që shpreh të vërtetat aq sa tregon edhe bukurinë. Të thuash shpirti binjak, të kujton kërkimin e partnerit tjetër të shpirtit të vet të “mrekullueshëm”. Ndërsa, duke shikuar në pasqyrën e shpirtit, do të thotë të bësh “mirëmbajtjen” e vetes dhe “me besnikëri” ndaj personit përballë, pra, duke pasqyruar në mënyrën më të mirë gjendjen reale me përkushtim e ndershmëri, të bësh të mundur që edhe ai të arrijë të bëjë mirëmbajtjen, edukimin, pastrimin e shpirtit të tij. Pikërisht këtu duhet të jetë veçoria e plotësimit të gjysmës së martesës. Lexuesit tanë të martuar do ta vërtetojnë këtë. Le të jenë martuar me çfarëdolloj mënyre apo procedure, do të shikojnë se caktimi i Allahut u ka dhuruar atyre bashkëshortë të ngjashëm e në përputhje në disa pika e në disa pika pothuajse krejt të kundërt. Nëse njëri është i kujdesshëm, tjetri është indiferent… Nëse njëri është shumë i përpiktë, tjetri është më i rehatshëm… Nëse njëri preferon të flasë shumë, tjetri preferon heshtjen… Nëse njëri është i ndrojtur, tjetri është inkurajues… Edhe nëse ka diçka të tillë si shpirti binjak, dy shpirtra që janë kopja e njëri-tjetrit, a është e mundur të jenë të lumtur në një organizëm siç është martesa? Në fillim; disa prej atyre që martohen duke thënë se “Kam gjetur shpirtin binjak!” më pas të zhgënjyer nga pretendimet e mëdha, a nuk është e dhimbshme të ngrihen e të thyejnë edhe pasqyrat e shpirtit? Ndërkohë që lumturia në martesë është dy llojesh. 1. Lumturi Materiale/ e dukshme: Për shembull, një bashkëshort/e fisnik/e / me pozitë e autoritet, e bukur / i bukur, i fortë /i/e aftë, i/e pasur / nga një ambient shoqëror i mirë… një sërë mundësish ku nuk përballesh me asnjë mungesë materiale dhe jeton një jetë komode e të rehatshme. Tani le të analizojmë këtë lloj lumturie: a) Gjendja e përkryer e kushteve të kësaj lumturie mendoj se ekziston vetëm në përralla. Madje edhe në përralla shtrigat e liga bëhen pengesë e lumturisë, duke ua nxirë jetën princave me kalë të bardhë e princeshave me flokë të artë. b) Në përgjithësi, kushtet e kësaj lumturie materiale janë në dorën e fatit. Ka të bëjë pikërisht me fatin. Nëse nuk është e shkruar, nuk ju mbetet gjë për të bërë. Është e kotë të merreni me atë që nuk e keni ju në dorë. c) Edhe pse kanë të bëjnë me fatin, njeriu mund të përqendrohet në këto. Në martesën që do të bëjë; mund të mundohet të ketë më të mirën e këtyre kushteve fizike, materiale dhe të dukshme. Por, për arsyet që i përmendëm edhe në dy pikat e mësipërme, ky përqendrim të dërgon në njërën prej këtyre përfundimeve: O mbetet kërkim pa rezultat, pra ai që kërkon partner (bashkëshort/e) pa të meta mbetet pa partner. (Kështu që sot, ndërkohë që martesat pakësohen, fenomeni i jetesës si beqar dhe i/e ve po përhapet.) Ose mund ta orientojë njeriun drejt një zgjedhjeje të gabuar dhe sprovave, si ndërrimit të bukurisë shpirtërore me bukurinë trupore; inteligjencës dhe zgjuarsisë me pozitën; qetësisë me pasurinë. Për shkak se këto pika janë në dorën e fatit, në momentin që individi nuk arrin t’ i zotërojë, në botën e brendshme zhvillohen ndjenja negative. Këto ndjenja negative, nëse drejtohen drejt fatit, kthehen në pakë- naqësi, nëse drejtohen drejt individëve që i zotërojnë, kthehen në xhelozi dhe urrejtje. Çdonjëri prej këtyre përfundimeve është privim nga lumturia. Ndërsa lloji i dytë i lumturisë që mund të përfitohet në martesë, është ajo shpirtërore dhe e padukshme: 2. Lumturia shpirtërore / e padukshme: Kjo lumturi është e thjeshtë. Është harmoni e përkryer, qetësi dhe lumturi që zhduk çdo brengë. Të lumturohesh duke u kënaqur me gjëra të vogla. Është një kënaqësi shpirtërore që buron nga të qenit familje, nga të dashuruarit të tjerët dhe të dashuruarit nga të tjerët, nga të respektuarit dhe të ndjerit dhembshuri, nga të bërit shërbim dhe të shikuarit si i denjë për të të shërbyer, nga besnikëria dhe nga të qenit i sigurt në lidhje me të ardhmen. Kur kësaj i shtohet edhe lumturia e gjeneratës, bëhet e përkryer. Nëse i analizojmë këto: a) Edhe këto pika padyshim që janë çështje fati, por nga pikëpamja e origjinës të gjitha janë rezultatet i sjelljeve morale. Dashuria, nderimi, respekti, besnikëria, kënaqësia, të gjitha këto janë veti që mund të fitohen apo që mund të përfitohen me edukim. Për këtë shkak edhe është e mundur. Martesa është një zgjedhje e përjetshme. Bukuria e përkohshme përballë jetës fishket, por bukuria morale gjatë gjithë jetës është e bukur. Pasuria mund të zhduket, por pasuria shpirtërore nuk shteret. Asnjë lloj pozite nuk është aq e lartë sa besnikëria. b) Personi, i cili ka si synim parësor qetësinë shpirt- ërore edhe kur martohet përsoset pikërisht në këtë. Këtu le të bëjmë një shpjegim të hadithit të njohur të Profetit Muhamed (a.s.): Alternativat që merren parasysh nga kandidati që do të martohet në përzgjedhje janë: Prejardhja (sot kësaj mund t’i bashkërendisim edhe postin e arsimimin), pasuria, bukuria dhe feja… Përderisa të gjitha këto s’mund të kihen njëherësh dhe përderisa tre shkaqet e para materiale e fizike të përzgjedhjes janë të përkohshme e që nuk mund të sjellin një lumturi absolute, alternativa që duhet synuar në të vërtetë mbetet ajo e fesë. Padyshim që këtu me termin fe kemi për qëllim të qenit besimtar i devotshëm, ku përfshihet morali i mirë, edukimi islam, mirësjellja dhe personaliteti. Thamë që martesa është një zgjedhje e përjetshme. Nëse bukurinë e vlerësojmë nga pikëpamja e jetë- gjatësisë së martesës, prejardhja-pozita i intereson rinisë dhe për më tepër moshës së mesme, dhe pasuria më së shumti u intereson të moshuarve. Kurse të qenit i devotshëm gjatë gjithë jetës, i intereson jetës së pafundme e të vërtetë. Të rinjtë që do të martohen në ditët e sotme, ndërkohë që kapen pas kushteve të lumturisë materiale, po humbasin qetësinë shpirtërore. Nga familjet që braktisin moralin shpirtëror zhduket edhe begatia, besnikëria, durimi, rezistenca, dhembshuria. Nga njeriu i ditëve të sotme po bëhen përpjekje të hiqen dy veti të trashëguara: Nga meshkujt xhelozia (ndjenja mbrojtëse), nga gratë ndjenja e turpit. Po mirë, a është ky një zhvillim? Pra, femrat dhe meshkujt e braktisën ndjenjën e turpit dhe xhelozinë në mënyrë graduale? Jo… Plani shoqëror i shtyu individët drejt kësaj. Për shkak të joshjeve, iu afruan dhe e gjetën veten e tyre në këtë gjendje. Shoqëritë që kanë ndjenja fetare, akoma janë paksa më larg kësaj; por edhe tek to vërejmë një ndikim të madh. Por ndikimi anësor del në pah gjithmonë në familje. Në syrin e personit, i cili pandeh se u reziston shikimeve që i hidhen bashkëshortes së tij, në të vërtetë bashkëshortja e tij sa vjen e bëhet më e pavlerë. Shigjetat e shikimeve ekstreme, shigjetat e fjalëve, mikrobet kompleksivë që depërtojnë e i ngulen bashkëshortes së tij nga mëngjesi deri në darkë, kthehen në një ind dhe aromë morale që e bën gruan të urrejë bashkëshortin e saj. Kjo urrejtje që të bën të zhvlerësuar; nganjëherë e egërson mashkullin në atë shkallë, sa gruas të cilën e dashuroi, e pëlqeu dhe u martua me të t’i ngulë qindra thika. Nganjëherë gruan e bën aq të pamë- shirshme, sa të braktisë atë së bashku me dy fëmijët. Sepse mungesa e xhelozisë dhe turpit zhduk besnikërinë dhe përkushtimin. Sepse ndjenja e mbrojtjes, pra të xhelozosh, në origjinë do të thotë të zotërosh. Të xhelozosh, do të thotë të mos duash ta ndash me dikë tjetër. Një dashuri e shkallës: “O je e imja, o je e dheut!”, kur kthehet në urrejtje e bën personin së fundmi ta lërë apo ta braktisë ose e divorcon përfundimisht apo, edhe pse e ka divorcuar nuk e nxjerr nga mendja: e plagos, e vret, e gropos. Në këto vitet e fundit, një pjesë e mirë e ngjarjeve të dhunës ndaj femrës i shikojmë në mesin e çifteve të divorcuar… Thonë: “T’i edukojmë meshkujt që të mos sillen kë- shtu!” Le të shtrojmë pyetjet: A ka familje, nëse nuk ekziston ndjenja e mbrojtjes, xhelozia? Kur nuk gjendet ajo ndjenja e turpit, a qetësohet ajo ndjenja e xhelozisë? Të dyja këto ndjenja janë të natyrshme. Pa dyshim që xhelozia e tepërt duhet lëmuar. Hadithi: “Është një lloj xhelozie që Allahu e do; është edhe një pjesë tjetër e xhelozisë që Allahu nuk e do. Xhelozia të cilën Allahu e do, është xhelozia që personi ndjen në raste dyshimi (me shikimin e një vepre të ndaluar nga i afërmi i tij). Xhelozia të cilën Allahu nuk e do, është ajo që personi të ketë xhelozi pa pasur dyshime…” (Ebû Dâvud, Xhihad 104, 2659) Por xhelozia nuk eliminohet. Edhe nëse mendoni se e keni eliminuar, nuk zhduket. Ashtu siç evidentohet me emra të tillë si shtypje e reflektime të psikologjisë, në një fushë tjetër shfaqet në formën e dhunës në familje e të shtimit të divorceve. Sot anekdotat, komeditë, karikaturat, tregimet e produktet e ngjashme humoristike i shtyjnë meshkujt vazhdimisht drejt ftohjes nga martesa e të bërit një keqtrajtues i pabesë e një hedonist i papërgjegjshëm. Ashtu si intrigantët që përpiqen të fusin dy persona në grindje me njëri-tjetrin, të cilët shkojnë te femrat e duke u thënë që: “Meshkujt gjithmonë kështu janë!”, u imponohet të mos i binden bashkëshortit e për hatër të tyre të mos jenë të detyruara të kenë turp, të mbulohen e të jenë besnike. Versionet serioze të këtyre janë në garë për ta treguar mashkullin si mizor, të egër, të pamëshirshëm e agresiv. Cila është këshilla juaj? Në vend të syve të nxirë, çati ngjyrë vjollcë. Nëse meshkujt dhe femrat i kalibrojnë xhelozinë dhe turpin sipas asaj që të mos bien ndesh me ligjet e Allahut (xh.sh.), e ashtu siç e kërkon suneti i Profetit Muhamed (s.a.v.s.), del në pah një qetësi që do i kënaqte të gjithë. Sot, nëse në një sallon do të bëhej një organizim meshkuj-femra më vete, ata të cilët thonë: “Ah të prapambeturit! Po rikthehen sërish kohët e vjetra! Në cilën epokë jetojmë?”, një ditë do ta kuptojnë se xhelozia dhe turpi, organizimet meshkuj-femra më vete, mbulesa e hixhabi janë nevojë e lumturisë së shoqërisë. Sot diçka të tillë e kundërshtojnë duke thënë se “stili i jetesës” është ky i tyri. Në Egjipt ia dolën mbanë. Gjoja “stili i tyre i jetesës” shpëtoi. Por u zhduk “e drejta e jetesës” e qindra njerëzve të tjerë! Nuk arrijnë të perceptojnë se shqetësohemi paksa edhe për shkak se në këtë anije të cilën janë duke e çarë në paturpësi, shthurje, pabesi… pra se në ketë shoqëri jetojmë edhe ne, se nëse kjo anije fundoset, do të fundosemi të gjithë së bashku. A s’ka ardhur koha t’u vëmë veshin besimtarëve të devotshëm e të shqetësuar?

© Opoja.net

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-