Me zemër të pastër dhe faqe të bardhë

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Siç janë të nevojshëm uji, ajri dhe ushqimi  për të jetuar edhe besimi është ushqimi shpirtëror themelor më i nevojshëm për jetën. Besimi është burimi i lumturisë dhe qetësisë shpirtërore për njeriun. Po në të njëjtën kohë, besimi është e vetmja rrugë që u vë rregull sjelljeve të pakontrolluara dhe të çrregullta, që i vendos në ekuilibër ato sjellje me një përputhshmëri dhe harmoni të madhe dhe që ka një plan e synim të shenjtë. Besimi është alternativa e vetme prej së cilës njeriu nuk mund të heqë dorë. Ai është fitimi më i madh për njeriun.

Besimi është pikërisht si një lule. Ai nuk e mban brenda aromën e mrekullueshme të tij, por e shpërndan rreth e rrotull. Edhe sjelljet e mira të njeriut janë një lloj shenje e reflektimit të besimit, pra, e shpërndarjes rreth e rrotull e asaj erës së mrekullueshme. Zemrat që mbartin besim përhapin qetësi shpirtërore dhe lumturi në mjedisin ku jetojnë. Prania e atyre i qetëson zemrat e njerëzve të tjerë.

Besimi nuk përbëhet nga qëllime të mira që nuk shndërrohen në aksion. Në besim ka reflektime madhështore nga Allahu, azza ve xhelle. Ato janë veprat e mira dhe sjelljet e drejta që e shpien robin drejt përsosmërisë. Besimi nuk bën pa vepra. Një besim i thatë, i cili nuk mbështetet dhe nuk ushqehet me vepra të mira, vjen një ditë dhe shuhet. Në besim ka një aksion pozitiv. Rezultatet e arritura jo nëpërmjet besimit, nuk janë nga Allahu, por janë nga shejtani dhe djalli i mallkuar.

Njeriu nuk është një krijesë e krijuar pa ndonjë qëllim. Ai ka një Krijues. Ai është Allahu Teala. Poseduesi absolut i gjithësisë, Allahu i Madhëruar, i ka dhënë njeriut mendje dhe vetëdije duke e stolisur me pajisjet më të mrekullueshme. Pastaj e ka obliguar që t’i besojë Atij. Njeriu, i cili ka ardhur në këtë botë duke mbledhur stolitë (pajisjet) më të bukura, sprovohet në forma të ndryshme përgjatë jetës së tij në këtë dynja. Në Kuranin Fisnik thuhet kështu në lidhje me këtë të vërtetë:

“Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.” (Ankebut, 2-3) Njeriu nuk është sjellë pa ndonjë synim në këtë botë. Përkundrazi, ai është dërguar në dynja me një synim hyjnor dhe qëllim sublim. Gjithashtu, njeriu nuk është lënë pa përgjegjshmëri. Allahu Teala thotë në Kuran:

“Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?” (Kijame, 36)

Çdo njeri, brenda rrjedhave të kohës në këtë botë që e quajmë jetë, është i detyruar ta konceptojë lidhjen ndërmjet besimit dhe sprovës në ngjarjet që i ndodhin. Nëse kjo nuk kalohet me sukses, atëherë, humbja është e pashmangshme. Njeriu, si një krijesë e ndryshme nga të gjitha të tjerat, është krijuar me një synim. Krijuesi i Lartësuar thotë:

“Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!”(Mu’minun, 115) Kur Allahu i Madhëruar ia ka treguar njeriut këtë të vërtetë të shenjtë, ka njoftuar se njeriu nuk është krijuar pa ndonjë qëllim, se në fund do të kthehet te Zoti (xh.sh.) dhe do të japë llogari për ato që ka vepruar. Ndërsa qëllimin e vërtetë të krijimit të njeriut e shpjegon me këtë ajet fisnik:

“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 56)

Atëherë, e vërteta e qartë është kjo se njeriu, i cili është krijuar me qëllimin për të adhuruar Krijuesin e Lartësuar, nuk ka kapital tjetër përveçse jetës së tij. Ndërsa jeta është një proces që mbaron shpejt aq sa hap e mbyll sytë. Çdo gjallesë do të qëndrojë në këtë botë provizore aq kohë sa i është caktuar. Atij që i vjen koha, që një ditë do t’i vijë patjetër, sigurisht se do të shpërngulet nga kjo botë. Për këtë nuk ka asnjë zgjidhje. Jeta e kësaj bote është e limituar dhe e kufizuar. Ndërsa jeta e ahiretit është e pafundme dhe e pakufishme, domethënë, e përhershme. Jeta e vërtetë është jeta e ahiretit, e cila, siç e theksuam më lart, është e përhershme. Ky ajet fisnik na e shpjegon mjaft qartë këtë të vërtetë:

“Allahu ia shton furnizimin kujt të dojë dhe ia pakëson kujt të dojë. Jobesimtarët i gëzohen jetës së kësaj bote, por jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër është vetëm kënaqësi kalimtare.” (Ra’d, 26) Çdo gjë që gjendet në jetën e kësaj bote, shkon drejt vjetrimit, plakjes dhe shkatërrimit. Faqet e kalendarit të jetës bien një nga një. Andaj, ata të cilët e lidhin zemrën me këtë botë të përkohshme dhe e harxhojnë kapitalin (jetën) e tyre për hir të kënaqësive të dynjasë duke e neglizhuar jetën e botës së përhershme, ndërkohë që gjendja është e atillë, me të vërtetë do të jenë prej atyre që janë mashtruar.

Kjo botë pothuajse është si një mysafirhane, në të cilën të gjithë janë të mirëpritur për një kohë të caktuar. Ndërsa njeriu sprovohet me shumë gjëra në këtë mysafirhane të dynjasë, në të cilën gjendet. Këtë ka shumë ajete fisnike që e vërtetojnë:

“Ne do t’ju vëmë në provë ju, derisa t’i njohim ata midis jush, që luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë, e derisa të provojmë ato që thuhen për veprat tuaja.” (Muhammed, 31) Gjithashtu, edhe në një ajet tjetër thuhet:

“Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.”(Enbija, 35) Atëherë, synimi i vetëm i njerëzve të mençur duhet të jetë arritja e lumturisë së përhershme duke i kaluar me sukses sprovat e kësaj bote.

Në Librin tonë të Shenjtë, pra, në Kuranin Fisnik, flitet rreth sjelljeve dhe veprave që priten nga njeriu për t’i shfaqur e për t’i bërë. Aty janë vendosur urdhra dhe rregulla në lidhje me sjelljet e njeriut dhe janë dhënë këshilla që i sigurojnë qetësi e lumturi atij përgjatë jetës në këtë botë. Allahu i Madhëruar thotë:

“Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, për t’i dënuar ata që bëjnë keq, sipas veprave të veta e, për t’i shpërblyer ata që bëjnë mirë, me shpërblimin më të mirë.” (Nexhm, 31) Allahu Teala na njofton se çdo çështje do të shtjellohet me drejtësi në ditën e shpërblimit dhe të ndëshkimit:

“Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (Enbija, 47)

Këto të vërteta të shenjta na tregojnë se njeriu duhet ta marrë seriozisht jetën e kësaj bote dhe se besimi mbart përgjegjësi. Për këtë arsye, besimi e bën të domosdoshme veprën. Njeriu e ka kusht që të jetë prej të devotshmëve, në mënyrë që t’i pranohen veprat të cilat do t’ia paraqesë Zotit (xh.xh.).

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë:

Veprat duhet të bëhen me sinqeritet dhe dëlirësi. Veprat e mira në rrugën e drejtë janë depozitat e kapitalit më të veçantë, i cili i shpie robërit në xhenet.

Përgjatë udhëtimit të jetës në këtë vend, të cilin e quajmë dynja, njeriut mund t’i ndodhin shumë gjëra të bukura e të shëmtuara, të mira e të këqija. Në këtë proces të përkohshëm, pikëllimet dhe brengat e njeriut nuk janë të përhershme siç nuk janë të atilla edhe gëzimet. Secila prej këtyre vjen në jetën e njeriut me një kohë të caktuar dhe pastaj ikën e shkon. Vështirësitë, sëmundjet, dëshpërimet, mangësitë, pamundësitë, aksidentet, vdekjet dhe çdo gjë tjetër, janë nga një shkak për sprovimin e njerëzve. Xheneti është vendi të cilin do ta fitojnë ata që i kalojnë sprovat me sukses. Xheneti është një kënaqësi e pafundme, por ja që çdo gjë e ka një çmim. Gjërat pa çmim janë të pavlefshme. Andaj edhe xheneti nuk është aq i lirë. Xheneti është i rrethuar me vështirësi, ndërsa xhehenemi është i rrethuar me gjëra që i pëlqejnë nefsit. Në këtë rrugë ka mjaft alternativa që duken si të sakta, por që janë të gabuara. Dëshirat vetjake, kurthet e shejtanit, frymëzimet negative të shoqërisë, joshja e kësaj bote, padrejtësitë e ndryshme të të padrejtëve, etj., janë vështirësi që njerëzit duhet t’i mposhtin. Çdo vështirësi kalohet me besim. Besimi e bën të lehtë çdo gjë të vështirë. Ja pra, jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër përveçse një sprovë e tillë.

Ndërkohë që çdo njeri, i cili ecën në vijën e kaderit që i përket atij përgjatë jetës së kësaj bote, patjetër sprovohet me gjërat që i janë caktuar. Andaj, ajo që na takon neve për të bërë është që t’i kuptojmë drejt këto ngjarje dhe të shfaqim sjellje në përputhje me urtësinë e tyre. Ajo që na takon të bëjmë kundrejt çdo lloj ngjarjeje që na duket si negative është që të veprojmë me durim, të kërkojmë mbështetje nga Allahu, t’i nënshtrohemi Atij, të jemi të kënaqur ndaj caktimit të Zotit (xh.sh.) dhe ta falënderojmë Atë sa më shumë të jetë e mundur. Domethënë, neve na takon që të dalim në audiencën e Allahut të Madhëruar me zemër të pastër dhe fytyrë të bardhë. Çdo ngjarje që njeriut i duket si e keqe, është një e mirë e veçantë që e afron atë te Zoti (xh.sh.), sepse në llogarinë hyjnore asnjëherë nuk ka gjë të keqe.

Lus Allahun Teala që mirësitë dhe bukuritë të na e ndriçojnë rrugën përgjatë gjithë jetës sonë!

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-