Autori: Arsim Jonuzi
Vallë, a keni menduar ndonjëherë se cila është perifraza e metodës së paraqitjes diçka? Nëse po, ky shënim nuk është për ju, gjegjësisht pjesa e parë e tij. Nëse jo, atëherë kemi të bëjmë edhe një herë me sindromin “të gjithë ashtu po e përdorin”. Besoni, ndonjëherë, si në këtë rast, është vështirë të gjesh termin edhe duke e pasur nocionin, kurse edhe më vështirë të gjesh nocionin duke e pasur termin, madje edhe nëse termin e caktuar e ke jashtëzakonisht afër teje, para teje, rreth teje e kështu me radhë. Të mos i themi demagogji linguistike, po, siç më pati thënë një herë një profesoreshë imja, ndonëse jo për këtë, po për çështje tjetër – “fenomen i çuditshëm linguistik”, burimi i të cilit është o brishtësia intelektuale, o prani barrierash psikologjike.
Metoda e paraqitjes diçka është – medium – ai term që mbledh në një vend radion, gazetën, televizionin, internetin dhe një vistër të tjerësh, që ndoshta në të ardhmen do të kemi rastin t’i shohim e të përfitojmë prej tyre. Kjo fjalë rrjedh nga latinishtja, siç patëm cekur edhe në një nga shënimet e mëparshme, paradigma kuptimore, thënë kushtimisht, e së cilës është e larmishme. “Medium” do të thotë “mesatar” edhe, si një nga kuptimet më të shpeshta e më të njohura për lexuesin shqiptar brenda për brenda suazave të tërësisë së kuptimeve të termit në fjalë.
Të kthehemi te kuptimi që kemi përzgjedhur ta shtjellojmë – te mediumi si metodë e paraqitjes diçka. Televizioni, ta zëmë, është medium audio-vizuel – bën emetim të gjithfarë paraqitjesh me zë dhe me fotografi. Tutje, gazeta është medium i shtypur; ueb faqja është medium elektronik etj. Kështu, të gjitha këto japin informata, – këtë e kanë të përbashkët, – ndërsa çdonjëri dallon prej tjetrit. Ju lutem, nuk implikojmë se një televizion dallon prej tjetrit, apo se një gazetë e caktuar dallon prej tjetrës – sepse kjo tanimë s’do të ishte çështje gjuh(ësi)e.
Qëllimi ynë është të arrijmë të argumentojmë se televizioni dallon prej gazetës, sepse, megjithëqë që të dyja janë burim informatash, metodën e kanë të ndryshme. Njëri (televizioni) ka metodë audio-vizuele të përçimit të informatave, kurse tjetri (gazeta) ka metodë informimi përmes një numri të caktuar fletësh të numëruara në të cilat informatat jepen të shkruara. Pra, që të dyja kanë metoda unike! Së këndejmi, secili lloj mediumesh ka metodë paraqitjeje (informatash), ndaj çdo metodë paraqitjeje informatash është medium.
* * *
Pjesa e mësipërme ishte për ata që përgjigjes në fillim i janë përgjigjur me “jo”, ndërsa pjesa në vazhdim është për të gjithë. Kjo më poshtë ka të bëjë fill me paradigmën e emrit “medium”. Kini parasysh, theksin e kemi te shumësi i natyrshëm i këtij emri. Parë në përgjithësi, dy janë trajtat e gabuara të shumësit të këtij emri. Ajo me shkallë më të lartë është “medie”, e cila s’ka kurrfarë rrënje të shëndoshë që të normëzohet, kurse ajo më pak e gabueshme është “media”. Kjo e fundit rrënjët i ka te anglishtja, si një prej gjuhëve ku haset kjo formë shumësi. E anglishtja e ka përvetësuar prej latinishtes, e kurse në latinisht shumësi i emrit “medium” bën “media”.
Tani ju do të pyesnit: si është e mundur në anglisht të jetë e normëzuar kjo trajtë (flasim për trajtën “media”), gjegjësisht në latinisht, e cila është burimi parësor, e në shqipe të mos jetë? Përgjigjja është kjo: natyra e normëzimit të shqipes dikton që emrat me prejardhje të huaj të kenë paradigmë të përshtatshme fonetiko-fonologjikisht. Si pasojë, më e natyrshme do të ishte sikur shumësi i fjalës “medium” të ishte “mediume”, sepse shtohet vetëm mbaresa “e”. Mirëpo, të thuash “medie” është absolutisht e papranueshme, gjersa “media”, po ta pranonim këtë, atëherë, për të mos pasur laramani në kornizat e normës, do të duhej edhe fjalët e tjera të burimit të njëjtë të trajtohen me mbaresën “a”, duke ua modifikuar kështu rrënjën e fjalës. Kështu, fjalët: kolokuium, referendum, ultimatum etj. do të duhej shumësin ta kenë: kolokuia, referenda, përkatësisht ultimata.
Nuk ka vend të ketë përjashtim vetëm për fjalën “medium”, se ndoshta ndokush do të thoshte se është përjashtim. Po pse? Çfarë e bën atë të meritojë të jetë jashtë rregullit? Të gjithë këta emra dhe shumë të tjerë i takojnë të njëjtit “lakim”, ndaj edhe paradigma e secilit prej tyre duhet të jetë e njëllojtë në formë.
* * *
Mbiemërzimi është çështje që do prekur po ashtu, kur kemi të bëjmë me këtë term. Ekziston një farë përshtypje se jemi duke ndjekur parimin e modës: sa më shumë veta që përdorin një term në ndonjë trajtë, aq më shumë do të besohet se ajo trajtë është normative, gjë që nuk përbën gjithmonë të vërtetën! Me të vërtetë duhet t’u kthehemi referencave burimore dhe jo të mbahemi pas kreativitetit të përdorimit të fjalëve të shkruesve, sepse “e vërteta nuk njihet nga njerëzit, po njerëzit njihen nga e vërteta”.
Kështu, herë përdoret “medial”, herë “mediatik”. Cila normë është më e natyrshme, pra normative? Ju lutem, nëse marrim parasysh atë që thamë më lart, sidomos pjesën e fundit të pjesës së parë, do të dilte se mbiemri për “medium” do të ishte “mediumor”. Kjo, sepse “-or” është një nga prapashtesat më të shpeshta që u vihen mbiemrave të panyjshëm. Në diskutim janë edhe ca prapashtesa të tjera, si: “-al”, “-(t)ar” e “-atik”, por asnjëra nuk do të mbijetonte pas testimit.
Ky shkrim nuk do të shkruhej po ta kishte parashkruar Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHASH-it. Në fjalorin e gjuhës shqipe nuk figuron fjala “medium”, pra si emër, e ku më si mbiemër. Instituti në fjalë ka obligim shkencor dhe shoqëror të japë verdiktin përfundimtar në lidhje me çështjen, si dhe të parashkruajë, brenda kopertinave të fjalorit të ri, trajtën normative edhe të një vistër fjalësh të tjera të reja që s’janë përdorur para ’72-tës.
[Autori është student në Fakultetin Filologjik në Shkup]
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.