Ministri i Jashtëm çek: Pritjet e mia për liberalizimin e vizave janë të larta, por duhet ende punë

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Ministri i Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky është shprehur se ende ka punë për tu bërë sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, megjithatë tha se ky proces është në rrugë të drejtë.

“Duhet të kuptojmë që duhet të bëhet ende punë, por ne jemi në rrugë të mirë dhe shpresojmë që të gjejmë përkrahje politike që ky proces të përfundoj dhe janë disa takime teknike që shpresoj se do të ndikojnë në një vendim pozitiv për këtë. Presidenca çeke është duke punuar në atë drejtim dhe ne jemi duke e mbështetur plotësisht që kjo të ndodh”, tha ministri Lipavsky.

Ai tha se pritjet e tij që shtetet e BE-së të marrin vendim pozitiv për vizat janë të larta.
“Për ta kuptuar thjesht, është proces që përbëhet nga aspektet teknike dhe politike. BE-ja do të rishikojë pjesën teknike dhe presidenca çeke shpreson që aspekti politik të marrë vendim pozitiv.

Pritjet e mia nga vendimet politike janë të larta dhe është shumë e lartë në agjendën time. Kam kërkuar nga ministri i Jashtëm i Holandës qëndrimin e tij, por ai ka thënë se do të shohim aspektin teknik dhe shpresoj që përmes kësaj do të kemi lëvizje dhe pastaj do të vendosim për aspektin politik”, tha Lipavsky.

Ministri i Jashtëm çek theksoi se qytetarët e Kosovës mund të llogarisin në mbështetjen e Çekisë në proceset e saja drejt intgerimit në BE dhe NATO.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, tha se është e rëndësishme që të dyja vendet të normalizojnë marrëdhëniet.“Me zëvendëskryeministrin Bislimi kemi biseduar edhe për situatën në rajon, përfshirë edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve i cili është aspekt qenësor për procesin e integrimit evropian. Të dyja palët duhet të respektojnë dhe impelmentojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel”, tha Lipavsky. /Telegrafi/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-