Misioni në Kosovë bashkon ushtarët babë e bijë nga SHBA-ja

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Misioni i NATO-s në Kosovë ka bashkuar ushtarët babë e bijë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas disa vitesh të ndarë njëri nga tjetri e në misione të ndryshme ushtarake. Për bashkimin e tyre ka shkruar mediumi zyrtar i ushtrisë amerikane.

Kur një fëmijë vjen në jetë, prindërit vetëm ëndërrojnë se çfarë do t’ju sjellë e ardhmja. Pak prej tyre imagjinojnë se do të kenë kryqëzim të karrierave. Për një baba amerikan dhe të bijën e tij, realiteti u bë i tillë pasi të dy shërbejnë në Gardën Kombëtare të Ushtrisë së Virginias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E Kosova u bë vendi që i bashkoi nga dy shtigje të ndryshme.

Komandanti Joseph Viera dhe e bija e tij Kayla M. Jaegger rastësisht u transferuan në të njëjtën kohë në Kosovë, në Bondsteel.

Në një deklaratë për uebfqen e ushtrisë amerikane, Viera ka treguar se është rritur në Bronx të New Yorkut me përpjekje të vazhdueshme për t’i ikur drogës. Pasi iu bashkua Ushtrisë së SHBA-së, ai u dërgua larg New Yorkut. Në Virginia takoi Maryn, që më vonë u bë bashkëshortja e tij, me të cilën i ka tre fëmijë. Kayla Jaegger është vajza e madhe e çiftit. U rrit në Virginia dhe kujton se ka qenë jetë më e lehtë për të sesa që ishte për prindërit e saj. Në vitin 1999, nga detyra aktive, Viera kaloi në ndjekje të karrierës së re në akademinë policore. Hapat e tij i ndoqi edhe e bija e madhe.

“Gjithmonë kam thënë, po të mos ishte Ushtria, unë do të isha në ulësen e pasme të veturës së Policisë, në vend se të ulem përpara. Jam shumë krenar për vajzën e madhe që iu bashkua Ushtrisë”, u shpreh Viera.

Viera iu bashkua Ushtrisë më 1994 dhe Jaegeri bëri të njëjtën më 2010. Të ndarë për më shumë se dy dekada, të dy erdhën në Kosovë në janar të 2022-s. Ishte hera e parë që Jaeggeri dërgohet për mision jashtë vendit të saj, ndërsa për Vieran e katërta, pas misioneve në Irak, Kuvajt e Jordani.

“Është e jashtëzakonshme të jem jashtë vendit për herë të parë, në një vend me babanë tim”, ka thënë Jaegeri.

Të dy festuan ditëlindjen e 30-të të Jaegerit bashkë dhe udhëtuan në Itali në pushim katërditor në maj.

“Gjithmonë e kam pasur babanë idhull dhe gjithmonë më ka inspiruar me arritjet dhe sukseset e tij, sidomos në karrierë”, ka thënë ajo.

Si rreshter në Batalionin e dytë, Regjimentin e 224-të të Aviacionit, Viera është udhëheqës i lartë në njësinë e tij. Jaegeri kryen analiza të përditshme të inteligjencës për drejtues të lartë. Të dyja janë njësi brenda Këmbësorisë së Gardës Kombëtare ushtarake të Virginias dhe mbështesin misionin e NATO-s në Kosovë, që aktualisht ka 3700 trupa nga 27 vende të NATO-s dhe vendet aleate.

“Shpërblimi më i madh i misionit është të shohësh ndikimin e vendimeve tona në nivelin e lartë komandues dhe përmirësimin e jetesës për popullin në Kosovë”, ka thënë Jaegeri.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-