Modeli familjar në edukimin e fëmijëve

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Në familjet ku mbizotëron autoriteti, mund të jetë e vështirë të gjenden dashuria, butësia dhe ndjenjat e ngrohta të cilat janë shumë të rëndësishme për një fëmijë. Në këto lloj familjesh, fëmija vlerësohet dhe i ofrohet interesim vetëm nëse ai është plotësisht i dëgjueshëm dhe i bindur. Ndjenjat, mendimet dhe sjelljet e të rinjve shtypen më shpesh dhe nuk ka liri shprehjeje. Në këtë rast, ata mbeten të detyruar t’i përjetojnë disa të fshehta dhe mistere. Për rrjedhojë, këta fëmijë bëhen njerëz pasiv, frikacakë dhe të mbyllur.

Ndërsa në qëndrimet e prindërve që janë tepër mbrojtës ndaj fëmijëve, toleranca dhe sakrificat nuk para kanë kufij. Në këtë rast, fëmijët porositen të jenë të lidhur me prindërit. Fëmijët që rriten në këto lloj familjesh, shpesh bëhen njerëz që u ikin përgjegjësive dhe janë më tepër kërkues. Pra, kërkesat e tyre janë të pafundme dhe mëshirën e familjes mund ta përdorin për interesat e veta. Këta individë janë pa përvojë në jetë dhe nuk janë të guximshëm, nuk ndërmarrin iniciativa dhe nuk mund të luftojnë të vetëm kundër vështirësive të jetës. Si alternativë ndaj këtyre qëndrimeve, prindërit duhet të sillen në mënyrë më të përshtatshme duke kërkuar prej fëmijës të sillet më i pavarur, duke i njohur të drejta të barabarta, duke i përgatitur terrenin që ai të shprehet në mënyrë të hapur dhe duke vepruar me maturi në dashuri dhe tolerancë ndaj tij.

Maturia dhe ekuilibri në ndjenja gjatë edukimit të fëmijëve, u përgatit atyre terrenin për t’u bërë njerëz me besim në vetvete dhe socialë me të tjerët. Kjo lloj qasjeje ndaj fëmijës, është shumë e rëndësishme për zhvillimin e personalitetit të tij. Individët e edukuar në mënyrë të shëndoshë në çdo aspekt, janë vetë shoqëria e shëndoshë. Psikologjia e rrethit ku jeton fëmija, ndikon shumë në zhvillimin e personalitetit të tij. Asnjëherë nuk duhet ta harrojmë se fëmija na merr ne si model. Çdonjëri prej nesh, është edukuesi i fëmijës së vet.

Prindërit duhet të jenë të sinqertë në marrëdhëniet me fëmijët e tyre. Ata nuk duhet t’u drejtohen atyre me fjalë fyese dhe cenuese të personalitetit të tyre. Fjalët e rënda dhe ulëse ndonjëherë janë më fyese se sa dënimet fizike. Kur i flasim fëmijës për ndjenjat tona ndaj ngjarjeve, duhet t’i tregojmë atij se cili është problemi. Nëse ne ia tregojmë fëmijës ndikimin që ka tek ne ai problem, pra nëse i ndajmë ndjenjat tona me fëmijën, tek ai mund të lindë edhe dëshira për të ndryshuar sjellje.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-