Imam Rabani është një dijetar i njohur për ndjeshmërinë ndaj besimit dhe luftës së ashpër ndaj armiqve të fesë. Megjithëse i njohur si njeri i ashpër, në të vërtetë ai e vlerësonte shumë njeriun dhe dinjitetin njerëzor. Ai vazhdimisht i këshillonte njerëzit të tregonin mirësjellje dhe edukatë ndaj të gjithë njerëzve pa bërë dallime fetare. Në asnjë mënyrë nuk duhet lënduar zemra e njeriut, e cila është më afër Krijuesit të gjithësisë. Imam Rabani në lidhje me lëndimin thotë:
“Zemra është fqinj i Zotit. Asgjë nuk ka më afër Zotit se sa zemra e njeriut. Prandaj kini kujdes nga lëndimi i zemrës së njeriut. Mbas femohimit, nuk ka mëkat tjetër i cili shkakton zemërimin e Allahut përveç lëndimit të zemrës.
Meqenëse zemra është vendi më afër Krijuesit, të urtët i jepnin një vlerë të madhe, duke e konsideruar lëndimin e zemrës në krye të mëkateve të mëdha.
Sipas Imam Rabanit, ata që lëndojnë zemrën e njeriut kanë zemëruar Krijuesin e asaj zemre.
“Zemra është organi më i vyer dhe i çmuar i njeriut. Ashtu si njeriu, i cili, për shkak se përfshin në vetvete të gjithë universin është shpallur krijesa më e nderuar midis gjithë krijesave edhe zemra e cila përfshin në vetvete gjithë elementët e njeriut është shpallur më e vyera e gjithë trupit. Diçka sa më gjithëpërfshirëse dhe përmbledhëse të jetë, aq më afër krijuesit të gjithësisë është. Zemra është qendra e komunikimit midis kësaj bote dhe botës tjetër. Prandaj nuk lejohet të lëndohet zemra e askujt, qoftë ky edhe mosbesimtar. Sepse kjo shkakton shkëputjen e lidhjes midis Zotit dhe njeriut. Nëse zemra e një personi ftohet për shkak të lëndimit, është shumë i vështirë fitimi përsëri i saj. Njeriu përbëhet nga elementë tokësorë dhe qiellorë, kurse zemra është urë lidhëse midis tokësores dhe qiellores.
Zemra për të cilën flet Imam Rabani, nuk është organi zemër si pompë gjaku, por zemra si një vatër e ndjenjave të njeriut. Përkufizimi i zemrës si veti hyjnore është i pamundur, bota e zemrës është e panjohur për njeriun. Zemra për të cilën flet Imami, megjithëse ka lidhje me zemrën e njohur nga të gjithë, është përtej saj.
Rastet në të cilat merret një qëndrim i ashpër ndaj njeriut janë ndalesat dhe urdhëresat hyjnore. Vetëm në rast se shkelen këto mund të mbahet një qëndrim i ashpër ndaj njeriut. Edhe në këtë rast është shumë e rëndësishme që qëndrimi i mbajtur të mos personalizohet, por dënimi të jetë brenda standardeve të vendosura nga Allahu.
Qëndrimi ynë ndaj njerëzve është i kushtëzuar nga dispozitat hyjnore. Ne mund të mbajmë qëndrim ndaj veprimit të një personi sipas kushteve dhe dispozitave hyjnore. Një person mund të dënohet për fajin aq sa e ka lejuar Allahu; më tepër konsiderohet padrejtësi. Prandaj sofitë edhe ndaj mëkatarëve janë treguar të mëshirshëm dhe vazhdimisht janë përpjekur për t’i fituar zemrën përmes mirësjelljes dhe mëshirës. Por në asnjë mënyrë nuk lejohet tolerimi ndaj urdhëresave dhe ndalesave hyjnore. Ato nuk përfshihen në domenin e tolerancës.
Kurse për ata të cilët kanë shkuar aq larg me tolerancën sa t’u premtojnë jomyslimanëve Xhenetin, Imam Rabani është shumë i rreptë.
Xheneti i përket besimtarëve vepërmirë. Nëse një person vdes duke qenë mysliman, mëshira e Allahut është me të, edhe nëse është mëkatar mbas dënimit në Xhehenem ai kalon në Xhenet. Kurse ai që ka mohuar Allahun është përjetësisht në Xhehenem, sepse errësira e mohimit nuk mund të jetë në të njëjtin vend me dritën e besimit. Si mund të shpëtojë në Ahiret një person i cili neglizhon dhe nuk respekton dispozitat hyjnore. Dijetarët kanë thënë: “Këmbëngulja në mëkat të vogël çon në mëkat të madh, kurse këmbëngulja në mëkat të madh çon në mosbesim.” Allahu na ruajtë nga rënia në një gjendje të tillë.
Toleranca ndaj mëkateve dhe mosbesimit për të kënaqur njerëzit nuk është prej moralit të besimtarit. Lusim Allahun të na bëjë të ekuilibruar dhe të denjë për të përfaqësuar bukuritë e Islamit pa lënduar dhe thyer zemra. Amin!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.