Dr. Ratib en-Nabulsi ka thënë: “Shumë herë, gjatë leximit të Kuranit, jam ndalur te surja Jasin dhe kam gjetur kuptime, të cilave mbase shumë muslimanë nuk ju kushtojnë vëmendje. Surja Jasin tek muslimanët e sotëm, kryesisht lidhet me vdekjen. Shpesh mund të shohim se si familja i lexon Jasin ndonjërit prej anëtarëve të saj, i cili është në prag të vdekjes, me shpresë se ai lexim do t’i ndihmojë atij që është duke vdekur. Mirëpo, unë vëmendjen time e kam përqendruar në diçka shumë të rëndësishme nga kjo sure kuranore. Në fakt, në suren Jasin, Allahu i Plotfuqishëm ka thënë se Ai e ka shpallur Kuranin:
“Për ta paralajmëruar atë që është i gjallë…” (Jasin, 70), dhe nuk ka thënë:
“Që të jetë i dobishëm për ata që vdesin!”
Unë këtu nuk dua të polemizoj, për atë se, a ju bën dobi të vdekurve leximi i Kuranit nga ana e njerëzve të gjallë, por dua të them se ne e kemi lënë pas dore urtësinë më të madhe të Kuranit, e që është se ai është paralajmërim për atë që është i gjallë.
Pastaj bëra pyetje:
– Sa muslimanë të gjallë e lexojnë suren Jasin për të pasur dobi nga ai lexim?
– Sa prej tyre i dinë dhe i kuptojnë domethëniet e kësaj sureje?
– Sa ka ndikuar surja Jasin në jetën e tyre dhe sa i ka ndryshuar për të mirë?
Dhe në fund, i bëra pyetje vetes sime:
“Çka ke bërë dhe si sillesh ndaj sures Jasin?”
Shumë fakte dhe të vërteta nga kjo sure më kanë bërë përshtypje, por vëmendjen time më së shumti ma ka tërhequr tregimi për qytetin, në të cilin kishin ardhur pejgamberët e Allahut për t’i ftuar njerëzit në monoteizëm. Posaçërisht më ka impresionuar rasti i njeriut, i cili ishte i bindur se e vërteta është në atë që po thirrnin pejgamberët, kështu që, duke u ngutur, erdhi nga skaji i qytetit te populli i tij.
– Erdhi për të diskutuar me popullin e tij, dhe për t’i ftuar ata në atë që ishte i bindur se do tu sjell sukses dhe lumturi.
– Erdhi për t’ua ofruar atyre të mirën.
– Erdhi për të biseduar me ta dhe për të ndikuar në emocionet dhe ndjenjat e tyre, që të pajtohen me të vërtetën.
– Erdhi për t’ju drejtuar mendjeve të tyre dhe për t’i bindur ata për të vërtetën, me të cilën kanë ardhur pejgamberët e Allahut.
Por, si ia ktheu populli i tij këtë të mirë dhe me çka e shpërbleu? Me mbytje!!!
Ata e mbytën njeriun bamirës, dhe atë në mënyrën më mizore, e cila është karakteristike vetëm për kafshët egra, të cilat nuk dinë për asnjë lloj të edukatës dhe arsimit. Në tefsire përmendet se, e kishin goditur aq shumë me grushta dhe shqelma, sa që kafazi i kraharorit i kishte dalë në shpinë.
Mirëpo, njeriu befasohet nga ajo që ka ndodhur pas kësaj. Kurani na tregon se këtij njeriu besimtar iu tha: “Hyn në xhenet!”
Po të isha unë në vendin e tij, gjëja e parë, gjëja e parë që do të më binte në mendje, do të ishin fjalët: “O Allahu i dashur, këta njerëz janë vrasës, më mbytën mua në mënyrën më mizore, andaj hakmerru dhe dënoji, dërgo mbi ta bisha të egra që t’i torturojnë ata deri në vdekje.” Por, ajo që më befasoi dhe impresionoi, janë dëshirat e njeriut nga surja Jasin, i cili pas mbytjes, tha: “Ah, sikur ta dinte populli im, për çka më fali (nga mëkatet) Zoti im dhe më bëri të nderuar!” (Jasin, 26-27)
Unë kam menduar një kohë të gjatë rreth kësaj madhështie të vërtetë njerëzore. Rreth bujarisë dhe dhembshurisë së pazakontë, që nuk është e inatosur as me vrasësit e vet. Përkundrazi, dëshira e tij e parë ishte që t’i gëzojë ata me xhenet, vetëm sikur ta dinte kjo shoqëri mizore, sesi e ka shpërblyer Allahu, sikur ta dinte populli i tij mizor dhe i pafé, se çfarë shpërblimi ka përgatitur Allahu dhe çfarë të mira i presin ata, që vdesin si besimtarë të mirë e të ndershëm.
Më ka impresionuar mua fakti, se ai i dëshiroi të mirën popullit të tij, edhe përkundër asaj se ata e mbytën.
Më ka impresionuar mua dëshira e tij dhe këmbëngulja, për t’i ndryshuar dhe përmirësuar, përkundër kokëfortësisë dhe kryelartësisë së tyre.
Disa ditë më vonë, duke e lexuar biografinë e Pejgamberit (savs), hasa në një situatë të ngjashme. Përkatësisht, kur Muhamedi (savs), po kthehej nga Taifi, ku përjetoi poshtërim dhe u gurëzua nga popullata lokale, dhe Allahu i Plotfuqishëm e dërgoi Melekun e Kodrave, i cili i tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse ti don, Unë do t’i bëjë rrafsh me tokën këto dy kodra mbi ta.” Pejgamberi (savs), iu përgjigj: “Jo, unë shpresoj se Allahu nga kurrizi i tyre, do të nxjerrë pasardhës, të cilët do ta adhurojnë vetëm Allahun.”
Përmbledhje: Vetëm besimtarët e vërtetë dhe madhështitë e vërteta njerëzore, i përballojnë marrëzitë dhe keqtrajtimin e njerëzve, për shkak të qëllimeve sublime, dhe kjo është korrigjim dhe reformim i tyre. Vetëm besimtarët e vërtetë dhe madhështitë e vërteta njerëzore, nuk kanë disponim armiqësor ndaj kujtdo qoftë për të marrë hak për veten e tij.
Për fat të keq, masat e gjëra nuk e dinë vlerën e besimtarëve të vërtetë dhe të madhështive të vërteta njerëzore, të cilët janë të gatshëm të përballojnë dhe durojnë edhe sprovat më të mëdha, për të mirën e popullit të tyre dhe shoqërisë në tërësi.
I lutemi Allahut që të na bëjë besimtarë të sinqertë me madhështi të vërteta njerëzore dhe të na bashkojë me ta në xhenet. Amin!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.