“Nagavci është ende e hidhëruar”| Jasharaj e lidhë shkëputjen e kontratës kolektive me grevën

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Intervista

Më 21 nëntor Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, njoftoi SBASHK-un se e ka shkëputur kontratën kolektive të nënshkruar më 21 janar të 2021-tës. Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj foli për shkëputjen e kësaj kontrate dhe për grevën e pezulluar.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, thotë se kjo sindikatë shkëputjen e kontratës kolektive e konsideron “veprim të ngutshëm, të pabazuar, të njëanshëm e të pa efekt”.

Jasharaj deklaroi se janë duke u konsultuar me ekspertë të fushës së drejtësisë dhe se janë duke e analizuar situatën.

“Ajo  ka qenë vetëm si informatë dhe e konsiderojmë si veprim të ngutshëm e të njëanshëm të ministres Nagavci dhe si veprim i tillë e konsiderojmë si tëpabazuar dhe pa efekt, ngase në kontratën kolektive thuhet qartë që asnjëra palë nënshkruese nuk ka të drejt të marrë hapa të tillë të zhvlerësimit të kontratës kolektive. Pra një të drejtë të tillë se ka MASHTI as SBASHK-u. Ne jemi në konsultim me ekspertë të fushës se drejtësisë dhe jemi duke e analizuar situatën. Me siguri do të dërgojmë përgjigje zonjës Nagavci për t’i treguar se e ka bërë një hap të gabueshëm dhe se nuk ka të drejtë për shkëputjen e njëanshme të kontratës”, u shpreh ai për Express.

Kur u pyet rreth mundësisë që të shkëputet kjo kontratë, e të bëhet një e re, Jasharaj tha se “nuk kanë arsye”, derisa shton se Nagavci mund të jetë ende e hidhëruar për grevën.

“Kontrata është nënshkruar nga të dyja palët më 21 janar 2021 dhe t’iu them të drejtën është e habitshme ky veprim i Nagavci pas dy viteve, mbase ende e ka atë hidhërimin për shkak të grevës”, tha ai.

I pari i Sindikatës së Arsimit bëri të ditur se kontrata e nënshkruar në kohën e Qeverisë Hoti ka qenë me afat të pacaktuar.

“Kontratat zakonisht te ligji i pagave përpara kanë qenë në afate prej tri vitesh, por në kontratën kolektive të 2021 janarit thuhet qartë dhe ishte mirëkuptim i të dy palëve nënshkruese se kontrata është më afat të pacaktuar, mirëpo palët në marrëveshje mund të bisedojnë, mund të formojnë komisione të cilat do të bëjnë ndonjë shtesë, ndonjë aneks eventual në kontratë, por gjithnjë që avancon të drejtat e të punësuarve në sektorin publik”, tha Jasharaj.

Jasharaj foli edhe për grevën e pezulluar. Ai tha se janë duke e pritur janarin, mirëpo shpreson që çështja e ligjit të pagave të zgjidhet deri atëherë.

“Jemi duke pritur janarin. Lajmet janë se ligji i pagave që ishte problemi kyç që i dërgoi të gjitha sindikatat në grevë, është aprovuar nga Qeveria dhe ka shkuar në parlament. Ka deklarata nga deputetët  e pozitës se është hequr edhe neni ku thoshte se pas votimit në Gazetën Zyrtare duhet të pritet edhe 8 muaj për implementim. Ne presim që qeveria dhe deputetët ta mbajnë fjalën, në procedurë të rregullt ta analizojnë dhe ta votojnë ligjin në dy leximet. Me një ligj të mirë të pagave, do të uleshin tensionet në tërësi dhe do të kishim një atmosferë krejtësisht tjetër. Edhe në kohët e kaluara, kryesisht ishte ligji i pagave ai që i dërgoi mësuesit në greva”, tha ai

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-