Nagavci: Shqetësuese deklarimet se nuk do të zëvendësohen orët e humbura mësimore

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se vetëm deri në fund të javës së kaluar janë rreth 580 mijë orë të humbura mësimore. Ajo shtoi se deklarimet se asnjë orë nuk do të zëvendësohet janë shqetësuese. Këto komente ajo i bëri në një konferencë për medie ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit që zhvilloi me Këshillin Grevist të BSPK-së.

Nagavci shtoi se kompetencat për caktimin e kalendarit shkollor i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe se do të bëjnë më të mirën që të kompensohen dëmet e nxënësve.

“Deri të premten e javës së kaluar, kur ishin shtatë ditë të pa mbajtura të mësimit, mesatarisht janë diku rreth 580 mijë orë të humbura. Po besoj që pajtoheni se janë tepër shumë. Edhe për mua është tepër shqetësuese deklarimi me lehtësi se asnjë orë nuk do të zëvendësohet. Përtej asaj që janë zgjedhur format më ekstreme të shpalljes së pakënaqësisë ose kërkesës për një vlerë, e cila faktikisht tashmë ka të bëjë me 30 euro, nuk ka të bëjë me as 100 euro. Sepse 50 euro janë ofruar nga qeveria, kërkesa ka qenë 100 euro, të tatueshme i bie që 80 euro do të ishin në kontot e mësimdhënësve. Të përmendet me kaq lehtësi që asnjë orë nuk do të zëvendësohet, kjo veç e vështirëson më shumë situatën. Natyrisht, kompetencat dhe përgjegjësia për caktimin e kalendarit shkollor i takon Ministrisë së Arsimit do të analizojmë me shumë kujdes dhe dot ë bëjmë më të mirën e mundshme që sado pak të kompensohen dëmet që po u shkaktohen nxënësve”, ka theksuar ajo.

Sa i takon kërkesave të SBASHK-ut, ministrja e Arsimit u shpreh se nuk ka munguar vullneti nga ana e qeverisë dhe se këto kërkesa më të rëndësishme kanë qenë për qeverinë sesa për vetë kryesinë e Sindikatës.

“Vetë deklarata menjëherë pas asaj që greva vazhdon është pak problematike nuk është se nuk ka pas vullnet prej qeverisë, nuk ka munguar asnjëherë, çështja që u prezantua jo vetëm sot po në vazhdimësi e tregon se kërkesat e sindikatës janë përmbushur në vazhdimësi por duket se ajo kanë qenë më të rëndësishme për ne sesa për vetë kryesinë e sindikatës”, u shpreh Nagavci.

Nga mësimdhënësit ajo tha se vazhdimisht ka kërkuar të nisë mësimi, dhe në forma të tjera të vazhdojnë grevat për kërkesat e tyre.

“Por nuk mundem si ministër i Arsimit se ka mundësi apo nuk ka mundësi shteti të ofroj vetëm për punëtorët e arsimit 100 euro. Kërkesa ime ka qenë të trajtohen ashtu si duhet në ligjin e pagave dhe në anën tjetër që të mos ndëshkohen fëmijët, të filloj mësimi ashtu siç po ndodh në shumicën e institucionit qendror ku mbi 80% apo më shumë janë duke punuar dhe ata që po pësojnë janë vetëm fëmijët. dhe nga kryesia e SBASHK-ut dhe mësimdhënësit në vazhdimësi kam kërkuar të diskutojnë në forumet e tyre të fillojnë mësimin me nxënës dhe të vazhdojnë qoftë edhe me forma të tjera të grevës jo me formën më ekstreme e të vazhdojmë me dialogun social sepse edhe ne jemi të interesuar të përmirësojmë gjendjen e mësimdhënësve”, deklaroi ministrja e Arsimit.

Në këtë konferencë për medie i pranishëm ishte edhe ministri i Financave, Hekuran Murati i cili kur u pyet se a do të ketë ndalje të pagave për grevistët, tha se janë në pritje të listave nga ana e komunave.

“Ne do të shohim sepse sot është afati që parashihet një ditë pune pas datës 10 shtator, do të shohim se si janë deklaruar ato dhe në varësi të paraqitjes së gjendjes faktike të komunave do të procedojmë me hapat sipas legjislacionit në fuqi që është Ligji për menaxhim të financave publike dhe përgjegjësit që kërkon që të bëhet auditim i veçantë për këto çështje dhe të shihet nëse ka pas mashtrim, deklarim të rrejshëm të listës së pagave dhe është dëmtuar buxheti. Nëse ndodhin këto do të duhej të ndërmerren hapat që parasheh legjislacioni në fuqi”, theksoi Murati.

Ministri i Financave grevën e punëtorëve publik e ka konsideruar si barrikadim në kurriz të nxënësve.

“Megjithatë çka kemi parë është se ka një refuzim të pakuptimtë ndaj hapave që ka ndërmarrë qeveria dhe insistim të vazhdueshëm që nuk lëvizet nga kërkesa fillestare. Kërkesat kanë qenë tri dhe për të gjitha ka përmbushje… 2423 Qeveria ka treguar në vazhdimësi përkushtim por edhe ofertë dhe rezultate konkrete, megjithatë kemi një barrikadim në pozicion në kurriz fillimisht të nxënësve dhe së dyti në këtë rast edhe të mësimdhënësve, të gjithë do të duhej të lëvizin nga pozicionet në mënyrë që të mos pësojnë ata që kanë nevojë për mësim, arsimi është diçka që është në interes tonin dhe të gjithë e dimë që rezultatet e dobëta që kemi po na kushtojnë ”, theksoi Murati.

Tutje, edhe Murati u shpreh se mësimdhënësit me Projektligjin e ri të Pagave gëzojnë koeficientin më të lartë.

Në këtë deklarim para mediave, ishte i pranishëm edhe kryeministri i Ksoovës, Albin Kurti i cili nuk qëndroi gjatë tërë konferencë para gazetarëve me arsyetimin se ka një takim urgjent. Mëngjesin e sotëm ai u takua me Këshillin Grevist të BSPK-së të cilët janë në grevë që nga data 25 gusht.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-