Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK), Naser Ramadani, ka deklaruar se vaksina kundër COVID-19 në Kosovë do të vijë së shpejti.
Ai ka thënë se njerëzit duhet të jenë optimistë dhe të presin.
“Vaksina do të vijë së shpejti, duhet me qenë optimistë me e pritë. Sepse vaksinën më shumë se që ne e duam profesionistët shëndetësorë besoj që edhe të tjerët e dëshirojnë po aq. Ndërsa ka konspiracione të çuditshme të cilat nuk e kanë asnjë bazë shkencore që mos me e marr vaksinën. Pra vaksina është metoda më e mirë, më e lirë dhe më efikase kundër një sëmundjeje”, ka thënë Ramadani në “Debat Pernime“.
Ai ka pretenduar se Kosova dhe Instituti e kanë një plan strategjik se kush dhe si do të vaksinohet fillimisht.
“Problemi i vaksinimit ka të bëjë me një strategji, që quhet strategjia e imunizimit kundër COVID-19, atë strategji Kosova e ka gati që sa muaj. Në bazë të asaj strategjie janë përcaktuar prioritetet dhe indikacionet për vaksinim. Në këto prioritete i kemi lënë punëtorët shëndetësorë të parët dhe të moshuarit krahas dhe pastaj të sëmurët kronikë. E më pastaj popullata tjetër e shëndoshë, sidomos të rinjtë deri në 18 vjet kanë me pritë një etapë tjetër”, ka thënë Ramadani.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.