Nata e Madhe e Kadrit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

[miptheme_dropcap style=”normal” color=”#4d4d4d” background=””]A[/miptheme_dropcap]llahu subhanehu na e obligoi agjërimin e këtij muaji duke thënë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare-183)
Gjithashtu Muhamedi salallahualejhiveselem kur flet për vlerën e këtij muaji të shenjtë thotë: Ka thënë Allahu subhanehu ve te’ala: “Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë (nga epshet dhe zjarri), prandaj kur të agjërojë ndokush le të mos flasë fjalë të ndyta dhe mos ta ngre zërin, e nëse dikush e ngacmon apo e sulmon, le të thotë: Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm!”. Dhe, pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti i Muahmmedit, aroma e pakëndshme që del nga goja e agjëruesit është më e mirë tek All-llahu se sa era e miskut. Agjëruesi i përjeton dy gëzime: kur të hajë iftar gëzohet dhe kur ta takojë Zotin e vet gëzohet për agjërimin e vet (për shpërblimin)”. (Buhariu dhe Muslimi)
Gjithashtu ka thënë: “Çdo rob që agjëron një ditë në rrugë të All-llahut, All-llahu e largon fytyrën e tij nga zjarri (i xhehennemit) në një distancë sa ecë njeriu shtatëdhjetë vjet.“ (Buhariu dhe Muslimi)
Dhe ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim në All-llahun dhe me shpresë në shpërblimin e Tij, i falen mëkatet e kaluara dhe kush falet në natën e kadrit me besim në All-llahun dhe me shpresë në shpërbëlimin e Tij, i falen mëkatet e kaluara.“ (Buhariu dhe Muslimi)
Ibni Abasi ka thënë:
“Vërejmë që njeriu përgatit shtrojen për të fjetur, mbjellë farën dhe vërtet ai është prej të vdekurve (ka për qëllim, është caktuar që do të vdesë këtë vit në Natën e kadrit)”
Dhe thuhet se Natën e kadrit iu njoftohet meleqëve ajo që do të ndodhë vitin e ardhshëm.
Kurse në suren e kadrit për këtë natë Allahu thotë:
“Ne e zbriëm atë (Kur’anin) në Natën e kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e kadrit? Nata e kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre (në atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.”[78]
U quajt Kadr sepse kjo është një natë e lartë tek i Madhi Zot dhe se në të falen gjynahet më së shumti dhe mbulohen të këqijat, pra kjo është natë e Magfiretit-mëshirës. Sikurse transmetohet nga Ebi Hurejreja r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Atij që bën ibadet (lutje) Natën e kadrit, me besim e duke shpresuar për shperblimin (që do t’i japë Allahuxh.sh.), do t’i falen ato që i kanë parapri prej mëkateve”[79].
Për këtë dijetarët islamë e quajtën “festë ndër më të respektuarat, natë e paqes, e mirësisë së përgjithshme, e shpërblimit të pashembullt”.
Njëra prej madhështive të kësaj nate është edhe hapja e dyerve të qiejve për të pranuar lutjet e atyre
që i drejtohen Zotit të tyre që t’u zgjidhur hallet, për t’u larguar vështirësitë dhe për t’u sjellë gëzim.
Është kjo natë për të cilën Allahu xh.sh. ka thënë se është: “Më e mirë dhe më e vlefshme se një mijë muaj të tjerë.” Dhe 1000 muaj bëjnë 83 vjet e 4 muaj. Duke ditur se jeta mesatare e njerëzve në këtë botë nuk i kalon të 74 vjetët, do të thotë se kjo natë është më me vlerë se tërë jeta e njeriut. Për këtë Katadeja rahimehull-llah ka thënë: “Allahu ka vlerësuar dhe zgjedhur disa nga krijesat e Tij, ka zgjedhur nga meleqtë të dërguar dhe nga njerëzit Pejgamberë, ka zgjedhur nga fjalët lutjet dhe prej vendeve xhamitë, ka zgjedhur nga muajt Ramazanin, nga ditët të xhumanë (të premten), kurse nga netët Natën e kadrit. Prandaj, o muslimanë, madhëroni ato që ka madhëruar Allahu.”
Vërtet Nata e kadrit ka rëndësi shumë të madhe, Allahu e ka cilësuar atë natë të bereqetshme, natë kur bëhet caktimi i ardhmërisë për vitin që vjen, natë në të cilën ka zbritur Libri i bereqetshëm. Ajo natë është më e hajrit se një mijë muaj; në atë natë zbresin meleqtë, ndër ta, veçanërisht, Xhibrili; ajo është paqë që zgjat deri në agim. Të tëra këto nënkuptohen nga hadithet e shumta të Pejgamberit a.s. dhe nga porositë e dijetarëve që kuptuan më së miri dhe besuan atë që porositi i Madhi Zot dhe Pejgamberi i Tij. Kështu njëri prej tyre shprehet:
“Allahu në këtë natë cakton veçse mirësi, ndërsa në netët tjera gjykon për të këqijat dhe të mirat”[80].
Ndërsa Ikrimeja, Zoti bëftë rahmet mbi të, thotë:
“Haxhinjtë që do të vizitojnë Qaben caktohen Natën e kadrit me emrat e tyre dhe emrat e baballarëve të tyre, (kur të vijë koha e Haxhit) nuk ndodh të shtohet ndonjë ndër ta (prej atyre që janë caktuar)” (Ka nevojë për Sened).
Imam Rraziu thotë për këtë në tefsirin e tij:

“Allahu xh.sh. e ka fshehur atë si shumë gjëra të tjera; kështu Ai e ka fshehur kënaqësinë (razin) e Tij në respektin që i bëjmë, ka fshehur hidhërimin e Tij për mëkatet që bëjmë, ka fshehur përgjigjen në Dua që t’i bëhen lutje sa më shumë; e ka fshehur edhe këtë natë që t’i madhërojmë të gjitha netët e Ramazanit e, sidomos, dhjetë netët e fundit të tij.

Pra neve na mbetet ket nate

1 -Të bëjë sa më shumë dua (lutje).

2-Të bëjë teube e istigfar (të pendohet, për mëkatët dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot.

3-Të shtojë tespihët (të permendurit dhe të madhëruarit e Allahut) dhe falënderimet.

4-Të bëjë salavat për Pejgamberin a.s.

5-Të japë sadaka sa të ketë mundësi.

6-Të ruhet nga mëkatet e gjymtyrëve (duarve, këmbëve, syrit, veshit, etj).

7-Të mos i kalojë namazet pa xhemat (pra të falet sa më tepër në xhami).

8-Të falë namaz nafile dhe tesheh-hud (namaz i natës) më tepër se zakonisht.

Pra: nata e kadrit është nata më e bekuar, njeriu i cili e humb atë me të vërtetë ka humbur një sasi të madhe të mire. Nëse një besimtar është shumë i zellshëm për t’ju bindur Allahut dhe për të shtuar veprat e mira në regjistrin e tij, ai duhet të përpiqet që të takohet me këtë natë dhe ta kalojë ate në adhurim dhe në bindje (ndaj Allahut). Nëse kjo do t’i pranohet atij të gjitha gjynahet e mëparshme do t’i falen.
Duke falur namaz nate, eshtë e rekomanduar për të bërë një namaz nate të gjatë gjatë netëve në të cilat mund të qëllojë Nata e kadrit. Kjo tregohet në shumë hadithe, si mëposhtë:

Ebu Dher, radijallahu anhu, transmeton: “Ne agjëruam me të dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ve sel-lem, në Ramazan. Ai nuk na udhëhoqi në falje aspak deri kur kur kishin mbetur shtatë netë të Ramazanit. Atëhere ai u ngrit me ne (për tu falur) derisa një e treta e natës kishte kaluar. Ai nuk u fal me ne në ditën e gjashtë. Në natën e pestë, ai u fal me ne derisa gjysma e natës kaloi. Kështu ne i thamë:”O i dërguar i Allahut!A po falesh me ne tërë natën?” Ai u përgjigj: “Kushdo që qëndron (në kijam) në Natën e kadrit me Imamin derisa (imami) ta përfundojë faljen, është e regjistruar për të që ai është falur tërë natën…”[Transmetuar nga Ibën Ebi Shejbe, Ebu Davud, El-Tirmidhi (i cili e ka bërë autentik), en-Nesai, Ibën maxhe, et-Tahavi (në Sherh Ma’an il-Athar, Ibën Nasr, el-Ferjabi dhe el-Bejhaki. Zingjiri i tyre është i saktë]
Ebu Hurejre, radijallahu anhu, ka transmetuar që i dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo që qëndron (në kijam) në Natën e kadrit (dhe nëse i bëhet e mundshme atij) nga besimi i tij dhe shpresa (për shpërblimin e Allahut) do t’i falen të gjitha gjynahet e mëparshme”.[El-Buhari dhe Muslimi, me shtesë “dhe nëse i bëhet e mundshme atij” është e regjistruar nga Ahmedi nga një transmetim i Ubade Bin es-samit, nënkupton që është e lejuar për të qënë midis adhuruesve të sinqertë gjatë kësaj nate të bekuar] Bërja e duave eshtë gjithashtu e rekomanduar të bëhen dua të gjata gjatë këtij muaji. Aisha, radijallahu anha, ka transmetuar që ajo e ka pyetur të dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ve sel-lem: ”O i dërguari i Allahut! Nëse unë ta di se cila është nata e kadrit, cfarë duhet të them gjatë saj?” “O Allah! Ti je falës dhe ti e do faljen. Kështu më fal”. [I transmetuar nga Ahmedi, Ibën Maxhe, dhe et-Tirmidhi] Shmagja nga kënaqësitë e kësaj bote për hir të adhurimit

Është e rekomanduar për të shpenzuar më tepër kohë në adhurim gjatë netëve në të cilat Lejletul Kadër (nata e kadrit) është e mundshme të bjerë. Kjo thirrje për shamngjen e shumë dëshirave të kësaj bote bëhet në mënyrë që të sigurohet kohë dhe mendime vetëm për Allahun. Aisha, radijallahu anha, ka thënë: “Kur dhjetë ditët e fundit (të Ramazanit) fillonin, Pejgamberi, salallahu alejhi ve sel-lem, do ta shtrëgonte izarin e tij (ai qëndronte larg nga gratë e tij në mënyrë që të kishte më shumë kohë për adhurim), e kalonte tërë natën zgjuar (duke u falur) dhe zgjonte familjen e tij”.[El-Buhari dhe Muslimi] Dhe ajo, radijallahu anha, gjithashtu ka thënë: “I dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve sel-lem, e shtonte adhurimin më shumë në dhjetë ditën e fundit sesa në ditët e tjera”.[Muslimi]

Andaj, duke e ditur vlerën e këtij muaji të shenjtë, lusim Allahun subhanehu ve te’ala që të na e mundëson ta shfrytëzojmë atë, ashtu siç Ai është i kënaqur. Lusim Allahun subhanehu ve te’ala që ta kalojmë këtë muaj në adhurim ndaj Tij, në namaz dhe lexim të Kur’anit, në falje dhe mëshirë vëllazërore, në ripërtrim të pendimit dhe kërkimit të faljes, në dhënie lëmoshë dhe në përkrahje të të varfërve dhe jetimëve. Amin

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

Fjalë kyqe:
- Reklama-
- Reklama-