Njeriu në shumicën e rasteve është një krijesë që mund t’i shndërrojë në idhuj dëshirat dhe pasionet e tij. Kështu që në brendësinë e tij nuk mbart ndjenjën e adhurimit ndaj Zotit (xh.xh.), por mbart ndjenjën e të qenët Zot. Kur e gjen mundësinë dhe fuqinë, menjëherë i futen në funksion ndjenjat për ta bërë veten zot, për të formuar sundim dhe për t’i bërë të tjerët shërbëtorë e robër të vetes. Ndërsa duhet që dëshirat e tij të ndjekin Zotin dhe të vërtetën, ai përpiqet ta imponojë të vërtetën për t’u bërë shërbëtorja e pasioneve të tij.
Adij ibn Hakimi (r.a.), tregon: Shkova te i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, ndërkohë që në qafë kisha një kryq prej floriri. Ai më tha: “Çfarë është ky kështu, o Adij? Hiqe atë idhull prej trupi!” Pastaj e dëgjova atë duke kënduar ajetin e sures Teube: “Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes…” (Teube, 31) Pastaj më tha: “Ata nuk i adhuronin këta, por kur këta ua bënin hallall diçka, ata e pranonin si hallall dhe kur ua bënin haram diçka e pranonin si haram. (Në këtë mënyrë i pranonin ata si zota.)” (Tirmidhi, Tefsir, 9/10.)
Prirja për të qenë zot nganjëherë shfaqet te pushtetarët si shembulli i Faraonit, nganjëherë shfaqet te njerëzit e pasur si shembulli i Karunit dhe nganjëherë tjetër shfaqet te klasa e dijetarëve dhe rabinëve. Ne në këtë material do të shtjellojmë lëvizjet manipuluese të atyre njerëzve historicistë dhe modernistë që i konsiderojnë dispozitat e qarta që ka zbritur Allahu si rregulla që i takojnë të kaluarës, që nuk i shikojnë ato si të përshtatshme për kushtet e periudhës sonë dhe që i kanë përveshur krahët për t’i shndërruar ato në përputhje me epshin e tij apo të dikujt tjetër. Ndoshta njerëzit e këtij orientimi thonë se nuk janë duke shkaktuar prishje, por duke bërë rregullime. Madje ata edhe mund të besojnë se janë të tillë. Këta lloj njerëzish mbrojnë mendimin se disa dispozita që i ka vendosur Allahu duhet të jenë të kufizuara me një kohë të caktuar, vend të caktuar dhe kushte të caktuara dhe se nuk mund të jetë e drejtë që ato dispozita të zbatohen në kohë, vende dhe kushte të ndryshme. Domethënë këta lloj njerëzit pothuajse dëshirojnë t’i mësojnë fenë Allahut dhe të jenë zota mbi robërit e Allahut. Këto paralajmërime të Zotit i deshifrojnë plotësisht njerëzit që kanë pikëpamje të tilla: “Thuaj: “Vallë, a të kërkoj tjetër gjykatës përveç Allahut, kur është Ai që ju ka zbritur këtë Libër të hollësishëm?!” Ata që Ne u kemi dhënë Shkrimet e shenjta, e dinë se Kurani është me të vërtetë i zbritur nga Zoti yt. Prandaj, kurrsesi mos u bëj nga ata që dyshojnë!” (En’am, 114)
“Prandaj gjykoji sipas asaj që të ka shpallur Allahu e mos ndiq dëshirat e tyre të kota! Ki kujdes që ata mos të të nxisin të largohesh nga një pjesë e asaj që të ka shpallur Allahu! Nëse ata të kthejnë kurrizin e nuk dëgjojnë gjykimin tënd, atëherë ta dish se Allahu do vetëm që t’i dënojë për disa gjynahe të tyre. Në të vërtetë, shumë njerëz janë të pabindur.” (Maide, 49)
Le të japim edhe një të vërtetë tjetër kuranore të cilën historicistët nuk e shohin dot apo nuk duan që ta shohin: Edhe pse ndërmjet Musait, alejhi’s-selam (shekulli i 13-të para erës sonë) dhe të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kishte kaluar një kohë prej dy mijë vjetësh, çifutët që jetonin në periudhën e Pejgamberit (a.s.), nuk gjykonin me ligjet e zbritura në Teurat. Kjo u bë shkak që ata të cilësoheshin si qafirë, zullumqarë dhe njerëz të prishur. Domethënë, nisur nga botëkuptimi historicist, ata që i manipulojnë dispozitat e Allahut janë gjendur ballë për ballë me një kërcënim shumë të madh hyjnor. Zoti duke iu drejtuar atyre na paralajmëron edhe neve si besimtarë, në mënyrë që të mos biem në të njëjtin gabim:
“E qysh të drejtohen ata ty për t’i gjykuar, ndërsa e kanë Teuratin, në të cilin është gjykimi i Allahut, e madje edhe pas kësaj shmangen prej teje? Sepse ata nuk janë besimtarë. Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut, për të cilin ata dëshmonin. Prandaj, mos kini frikë nga njerëzit, por kini frikë vetëm prej Meje! Dhe mos i ndërroni Fjalët e Mia me ndonjë vlerë të vogël! Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është mohues i vërtetë. Ne u caktuam atyre në Teurat: jeta me jetë, syri me sy, hunda me hundë, veshi me vesh, dhëmbi me dhëmb dhe plaga me plagë (të njëjtë me të). Por kushdo që fal shpagimin si lëmoshë, ka bërë një vepër që është shlyerje për gjynahet e veta. Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka zbritur Allahu, ai është shkelës i vërtetë. Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut.” (Maide, 43-46)
Kush e di, ndoshta ka pasur edhe shumë rabinë që i kanë konsideruar të rënda këto dispozita dhe kanë tentuar për t’i ndryshuar. Ndoshta kanë thënë: “Njerëzimi i djeshëm nuk ka qenë si i sotshmi. Këto dispozita kanë qenë të drejta për ata, por në ditët e sotme shoqërisë moderne duhet t’i vendosim ndëshkime të ndryshme në vend të ndëshkimeve të tilla.” Andaj këto ajete na tregojnë se ata që mendojnë kështu kanë probleme me besimin. Sa paralajmërim i madh që janë për atë të cilin dëshiron të kuptojë!
Dispozitat e prera që shprehen qartazi në fjalën hyjnore nuk mund të ndryshohen me supozime dhe bindje personale. Fjalët e mëposhtme të hoxhës së nderuar, Prof. Dr. Sait Shimshekut janë udhërrëfyese për ata që kanë rënë në dyshime:
“Për çdo ajet të Kuranit Fisnik nuk mund të thuhet se ka zbritur për të zgjidhur problemet e shoqërisë në atë periudhë apo se ka zbritur vetëm si përgjigje për ngjarjet që kanë ndodhur në atë kohë. Madje, edhe në ajetet që kanë zbritur në lidhje me disa ngjarje të caktuara dhe veprime të dikujt, flitet shumë pak për personat, emrat e vendeve dhe kohën.
Personat nuk përmenden me emra e tyre dhe nuk përcaktohet ngjarja apo koha, në mënyrë që t’u jepet një cilësi universale mesazheve etike apo juridike për të cilat bëhet fjalë. Dijetarët tanë thonë se ajetet kanë dy shkaqe zbritjeje. Bazuar në këtë, siç ka ajete që shkaku i zbritjes së tyre është i veçantë, ka edhe ajete që shkaku i zbritjes së tyre është i përgjithshëm. Ajeteve të cilat e kanë të veçantë shkakun e zbritjes janë ajetet që kanë zbritur në lidhje me një ngjarje të caktuar. Ndërsa ajetet që e kanë të përgjithshëm shkakun e zbritjes janë ajetet e zbritura për rregullimin e besimit, moralit dhe të çështjeve sociale të njerëzve që do të vijnë (në këtë botë) deri në kiamet. Këto ajete nuk kanë zbritur duke u bazuar në ndonjë shkak të caktuar. Dijetarët veçanërisht kanë thënë se edhe ajetet që kanë zbritur në bazë të ndonjë shkaku të caktuar nuk vlejnë vetëm për atë shkak, por se dispozita e tyre është e përgjithshme. Këtë e kanë shprehur kështu: <<Shkaku specifik nuk është pengesë për të qenët e dispozitës e përgjithshme.>>”[1]
“Është e pamundur ta ndryshojmë dispozitën e tekstit të prerë duke u bazuar në diçka të supozueshme. Domethënë, nëse te teksti (argumenti hyjnor apo profetik), i cili shpreh një dispozitë, nuk gjendet ileti i asaj dispozite (dmth. qëllimi i cili është bërë shkak për dhënien e asaj dispozite) apo nëse në ndonjë vend tjetër të Kuranit nuk është treguar ky ilet, ne nuk mund të themi se ileti i kësaj dispozite është ky dhe se dispozita ka ndryshuar ngaqë ka ndryshuar ileti. Kështu, pasi Allahu shprehet se nuk ka asnjë problem që gratë e divorcuara t’u kthehen përsëri bashkëshortëve të mëparshëm pasi ta plotësojnë kohën e idetit/pritjes, thotë: “…Allahu di, ndërsa ju nuk dini.” (Bekare, 232) Është shumë interesant fakti që kjo shprehje gjendet në fund të grupit të ajeteve në të cilat përmenden martesa, mehri, divorci dhe ideti. Përveç të tjerash, shprehja: “Allahu di, ndërsa ju nuk dini.”, gjendet edhe në shumë ajete të tjera. Andaj dija e njeriut është e paaftë për të gjetur iletin e disa dispozitave.”[2]
Sigurisht se dijetarët tanë kanë bërë vlerësime/shpjegime të ndryshme në lidhje me ajetet që nuk kanë vetëm një kuptim dhe që japin mundësinë për të bërë komentime të ndryshme. Andaj në lidhje me dispozitat që nuk janë të qarta, gjithmonë mund të bëhet ixhtihad. Përfundimet e arrira në këtë mënyrë dihet se mund të ndryshojnë sipas kohës dhe vendit, sepse edhe ixhtihadi nuk është dije e prerë, por e supozueshme. Por në ditët e sotme po shohim guximtarë të tillë që edhe në lidhje me dispozitat krejt të qarta të Zotit (xh.xh.), thonë se duhet të ndryshohen duke u shprehur se u ka kaluar koha. Çfarë qëndrimi prej besimtari është tentativa për ta ndryshuar dispozitën e Zotit të Lartësuar i Cili ka dije të pakufizueshme, duke i konsideruar si të mjaftueshme dijen, mendjen dhe perceptimin e kufizuar të njeriut? Në fakt njerëzve të tillë u duket i vështirë nënshtrimi ndaj Zotit. Të mos harrojmë se arritja e suksesit në sprovën e nënshtrimit ndaj Zotit nuk varet nga rregullat tona, por nga qëndrimi që mbajmë kundrejt urdhrave dhe ndalesave të Zotit (xh.xh.). Shndërrimi dhe lartësimi i shoqërisë në pozitën që e do Zoti (xh.xh.), në vend të zbritjes së dispozitave hyjnore në nivelin e shoqërisë duke e perceptuar jetën dhe vlerat e saj si burim i dijes, përgjatë gjithë historisë ka qenë misioni i pejgamberëve. Andaj edhe në ditët e sotme preokupimi dhe përpjekja e zemrave besimtare, e dijetarëve dhe e njerëzve të urtë duhet të jenë në këtë aspekt. Zërat dhe thirrjet e ndryshme shpesh herë janë pëshpëritje djallëzore dhe vetjake. I kërkojmë mbrojtje Allahut nga rënia në një gjendje të tillë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.